E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri sqarohet për përdorimin e Skënderbeut në fushatë

Nga Antena brenda familjes

Flamuri dje ishte shumë i hutuar nga deklarata e atij burrit se opozita ka sulmuar Skënderbeun. E dëgjoi një herë para dy ditësh, po iu duk lajthitje gazetarësh. Dje e dëgjoi prapë në Belsh. Flamuri ishte përqendruar te kasetat që do t’u shpërndanin televizioneve, pasi ai burri i ka dhënë porosi të heqë Fahri Balliun, nëse e zë kamera rastësisht në takimet e Elbasanit. Për në Belsh kishte porosi të rreptë të mos dukej askund.

Duke parë me vëmendje kasetat, e dëgjoi me veshët e vet atë punën e Skënderbeut. Çudi e madhe, tha me vete. Pse ta ketë thënë këtë ai burri?! Se, që opozita nuk ka folur ndonjëherë për Skënderbeun, dihet, por që dhe ky burri nuk e thotë kot, kjo dihet e dihet.

U ul ta sqaronte këtë punë me Glorin si këshilltar për NATO-n.

- Dua të të pyes, - i tha Flamuri, - pse po thotë ai burri që opozita ka sulmuar Skënderbeun? Se mirë që s’kam gjetur ndonjë lajm që opozita ka sulmuar Skënderbeun, po s’kam gjetur as ndonjë lidhje pse e bën këtë. Aman, se ma kërkojnë militantët.

Qeshi Glori i kënaqur që Flamuri ishte në dorë të tij.

- Po ç’të të thom mo Flamur. Vajte katër vjet pas atij burrit e s’mësove një gjë nga politika, s’mësove. Po nuk e ke dëgjuar atë të thotë mo, që hyrja në NATO realizoi ëndrrën pesëqindvjeçare të shqiptarëve nga koha e Skënderbeut…?

- E kam dëgjuar, - tha Flamuri.

- Po e ke dëgjuar kur thotë mo se hyrja në NATO realizoi ëndrrën e Skënderbeut?

- E kam dëgjuar, - tha Flamuri.

- Po pse mo, ç’mendon ti, se këta socialistët e duan NATO-n vërtet?

- Jo, jo, u mërzitën shumë, - tha Flamuri, - që na goditi ne anëtarësimi në pushtet.

- Po hë mo, ç’të të thom më, kjo është e tëra. Ata janë mërzitur për NATO-n, NATO është ëndrra e Skënderbeut, dhe ata i bie të kenë sharë me vete Skënderbeun mo, se nga NATO s’ua mban.

Flamuri u shkri i tëri nga shpjegimi i hollë i Glorit.

- Gjithmonë kam menduar që ju këshilltarët jeni kot, por ju shkuaka mendja te ca gjëra që s’i shkon njeriut, - tha Flamuri. - Tani e kuptova. D.m.th., këta socialistët paskan sharë Skënderbeun nën dhëmbë, pse ka thënë ai burri që NATO vuri në vend ëndrrën e Skënderbeut. Ha, ha, ha, e madhe qenka! Sa mirë të shkoi mendja! Unë thashë ku e kanë hallin këta që e shajnë. Ku s’më shkoi mendja. Një herë më shkoi mendja se këta e shajnë, ngaqë Skënderbeu e ka nënën serbe dhe duan të bëjnë paralelizma kush e ka nënën serbe apo kush ka krushqi me serbët. Pastaj më shkoi mendja te ky Fazlliçi, se thashë dhe ky serbo-boshnjak. Këtu s’më kishte shkuar mendja.

- Po jo mo, ç’thua. E ka për NATO-n, e di mirë unë. Po ki, ç’thua ti mo?! Pse mo dhe me nënën e Skënderbeut do merren këta të opozitës?

- Jo mo kot më shkoi mendja, - tha Flamuri, - ngaqë ai libri për Skënderbeun me këto gjëra merret, me nënën serbe, me vëllezërit murgjër serbë, me kështu ngatërresash. S’më kishte shkuar mendja te NATO të them të drejtën.

- Po mirë mo, pse të të shkojë, kot jemi ne këtu? Për NATO-n piet ç’të duash mo, të përgjigjem në mes të natës unë. Po dhe kur të të pies unë për listat, ti në mes të natës duhet të më përgjigjesh.

- Jo or mixh, se s’kam asnjë listë, kot me të rrejt. As ai vetë madje nuk i ka. “Nuk ka rëndësi Flamur, - thotë. -Natën e fundit ulemi bashkë dhe i bëjmë. Shqiptarët do më votojnë mua dhe jo listën. S’ka rëndësi lista.” Ky parlament është e sigurt që është pa Edi Ramën. Pa Edi Ramën bën qejf njeriu në parlament. Unë jam në Këshill Bashkiak me Edi Ramën dhe nuk çaj kokën. Jo të isha në parlament. I kam thënë atij burrit që grupi më i mirë kundër Edi Ramës ne të Këshillit Bashkiak jemi. Por me sa po shoh unë, më shumë rëndësi do ketë Këshilli Bashkiak se parlamenti, ndaj dhe Rama nuk hyn.

- Po mirë mo, më fut mua në parlament, rri ti te Këshilli Bashkiak. Po s’u bë qameti mo, një vend dua unë. E kam hall mo, më beso.

- Po mirë, po i them këtë komentin që më bëre për opozitën pse e shan Skënderbeun dhe me siguri do kënaqet e do të të fusë në listë.

- Jo mo jo, mos ia thuaj këtë, se s’i dihet si e merr. Se njëherë më ka thënë, mo ta zë më në gojë NATO-n pa leje. Unë këtë ta thashë ty si mik që ta kuptosh lidhjen. Po ai burri nuk do që ta kuptojë njeri lidhjen. Ai do që opozita të merret tani disa ditë të gjejë ku e ka sharë Skënderbeun, dhe ai pastaj t’ua thotë këtë lidhjen. Mos na e nxirr sekretin mo, se e ha më keq unë pastaj. Se po doli sekreti, aty e ha ose unë, ose ai Kulluri. Se atë e ka si për të hequr stresin, sa herë xhindoset, thotë: “Kush e ka bërë këtë pisllëk, ai Këllira?” E ka Kulluri, i thashë unë një ditë pa dashje, se s’e kuptova. “Këllira të thashë!” - më ulëriti. E qepa unë, ç’m’u desh që fola.

- I kam thënë dhe unë, mo ta shoh më atë Kullurin aty, po më tha që e ka shef kabineti Arben Imami, i cili është po ashtu shef kabineti. Po ti mos ki merak. Unë po ia hap me takt këtë punën e Skënderbeut dhe argumentin tënd dhe i them që ia vlen të jetë në listë. Pastaj, si të gjithë të tjerët, ose do të të futi, ose do të ta futi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›