Rama: Do të jem kryeministër jashtë parlamentit
Ashtu siç kishte deklaruar gazeta “TemA”, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, nuk ka ndërmend të hyjë në garën elektorale të këtij viti duke e pasur emrin si kandidat në listat e deputetëve. Në një takim me gazetarët, Rama ka deklaruar se do të jetë kryeministër i shqiptarëve në rast fitoreje edhe pa qenë deputet.
Duke folur pa praninë e kamerave, Rama u tha gazetarëve se ai ka ndërmend që ta çojë deri në fund kontratën e tij me qytetarët e Tiranës. Madje, ai shtoi se duke qenë kryeministër ai do të bëjë edhe më shumë për Tiranën.
Rama tha se shembulli i një kryeministri jashtë parlamentit është i njohur dhe në demokraci shumë të zhvilluara.
“Elektorati i Tiranës më ka zgjedhur që unë të jem në krye të Bashkisë së Tiranës për katër vite të tjera. Duke më votuar mua si kryeministër do të kem mundësinë që të punoj 5-fish për Tiranën dhe të punoj më shumë për Shqipërinë. Ky shembull është edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, janë ekstraparlamentare”, - tha Rama.
Kryetari i selisë rozë iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me programin, dhe konkretisht me taksat. Ai tha se gjatë qeverisë socialiste nuk do të ketë ulje taksash, as rritje të tyre, po ndihmë të madhe për biznesin dhe qytetarët. Ndërkohë, në mbledhjen e djeshme të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste janë miratuar kriteret që do përdoren për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë, edhe pse tashmë duket se lista është në përfundim e sipër. Megjithatë, Asambleja ka miratuar disa kritere dhe një rrugë të gjatë diskutimi për nxjerrjen e këtyre emrave. Gjithë procesi do realizohet për fare pak ditë, për shkak se lista e deputetëve duhet të dorëzohet më 18 maj. Bie në sy se edhe në kriteret e përcaktuara nga Asambleja, asnjë nga të zgjedhurit vendorë të PS nuk mund të jetë kandidat për deputet. Gjithashtu, strukturat vendore nuk do të mund të propozojnë asnjë nga deputetët aktualë si kandidatë për deputetë.
“Si rregull nuk mund të jenë kandidatë për deputetë kryetarët e njësive të qeverisjes vendore, përfaqësues të Partisë Socialiste;
Nuk mund të propozohen nga strukturat e partisë si kandidatë të listës së kandidatëve për deputetë deputetët aktualë të GPS”, - thuhet në kriteret e miratuara nga Asambleja.
Finalizimi i listës do të bëhet nga kryetari i PS dhe ajo do të miratohet përfundimisht nga kryesia e kësaj partie.
“Asambleja Kombëtare e PSSH ngarkon kryetarin e partisë të finalizojë konsultimet me drejtues të strukturave të partisë dhe përfaqësues të shoqërisë civile”, - vijojnë kriteret.
Socialistët kanë deklaruar se do kenë 30% të listës me femra, duke nxituar të thonë se kishin ndërmend që ta bënin një gjë të tillë edhe përpara se të miratohej Kodi Zgjedhor.
Këto ditë Rama do të nënshkruajë dhe marrëveshjet zgjedhore me aleatët e tij. Asambleja Kombëtare ka mandatuar Ramën për të nënshkruar marrëveshje me ato “subjekte politike elektorale që kanë afërsi me programin, idetë, qëllimet, qëndrimet dhe filozofinë qeverisëse të PSSH.”
Dokumenti i miratuar nga Asambleja
Si do përzgjidhen kandidaturat e PS
- Kandidaturat e propozuara do të jenë nga anëtarësia e PSSH, nga përkrahësit e partisë dhe nga shoqëria civile;
- Ushtrimi i kompetencave statusore të organeve të partisë në përzgjedhjen dhe përcaktimin e kandidaturave për deputetë;
- Tërheqja e mendimit nga shoqëria civile;
- Garantimi i përvojës së fituar dhe ripërtëritja e grupit parlamentar socialist nëpërmjet ri-kandidimit dhe kandidimit të figurave të reja me aftësi, vizion dhe përkushtim për përparimin ekonomik dhe social të vendit;
- Respektimi i të gjitha ndjeshmërive dhe diversitetit brenda qarkut;
- Respektimi i raporteve midis profesioneve, raporteve moshore, gjinore etj;
- Gratë dhe vajzat të përbëjnë jo më pak se 30% të kandidaturave të listës shumë-emërore për deputetë, pavarësisht kërkesës ligjore të parashikuar në Kodin Zgjedhor;
- Përzgjedhja e figurave mbi bazën e CV, kontributit dhe angazhimit politik, formimit dhe përvojës profesionale, reputacionit, integritetit moral;
- Takimet dhe konsultimet për tërheqjen e mendimit të strukturave të partisë për kandidaturat potenciale do të organizohen në bazë rrethi.
- Në këto takime dhe konsultime do të marrin pjesë delegatët e Kongresit të PSSH, anëtarët e Asamblesë Kombëtare të PSSH në rrethin përkatës dhe anëtarët e KS të rrethit.
- Takimet dhe konsultimet për propozimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë, sipas rretheve, zhvillohen nën drejtimin e anëtarit të Kryesisë së PSSH të ngarkuar për qarkun përkatës.
- Si rregull, nuk mund të jenë kandidatë për deputetë kryetarët e njësive të qeverisjes vendore, përfaqësues të Partisë Socialiste;
- Nuk mund të propozohen nga strukturat e partisë si kandidatë të listës së kandidatëve për deputetë deputetët aktualë të GPS.
- Asambleja Kombëtare e PSSH ngarkon kryetarin e partisë të finalizojë konsultimet me drejtues të strukturave të partisë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
- Takimet e konsultimet me strukturat e partisë zhvillohen sipas një grafiku të caktuar në periudhën nga 09-14 maj 2009.
- Kryesia e PSSH bën vlerësimin e listës së kandidaturave të paraqitur nga kryetari i PSSH për secilin qark mbështetur në plotësimin e kritereve për të dhënat individuale, në propozimet e strukturave të partisë dhe të organizmave të shoqërisë civile të sipërpërmendura, si dhe në sondazhet e kryera nga Njësia e Sondazheve në bazë qarku.
- Kryesia miraton listat përfaqësuese përfundimtare rajonale me kandidatët për deputetë.
LSI shpall zyrtarisht koalicionin “Aleanca Socialiste për Integrim”
LSI shpalli dje zyrtarisht koalicionin “Aleanca Socialiste për Integrim”. Në koalicionin që drejtohet nga LSI bëjnë pjesë edhe pesë parti të tjera, që janë PSV’91, Partia e Gjelbër e Shqipërisë, Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve dhe Partia Toleranca e Re, që mbron të drejtat e komunitetit rom dhe atij egjiptian. Ky koalicion shumë shpejt do të regjistrohet pranë KQZ, sipas procedurave ligjore. Duke folur pas zyrtarizimit të marrëveshjeve për koalicion, kryetari i LSI, Ilir Meta, tha se ky koalicion do të nënshkruajë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
“Është një koalicion që përbëhet kryesisht nga forca politike të reja, të krijuara në Shqipëri gjatë katër viteve të fundit si një reagim, jo vetëm kundërshtues ndaj politikës së vjetër, por njëkohësisht si një propozim, si një zgjidhje, por edhe si një zgjedhje e re për shqiptarët, pasi është një koalicion që bazohet mbi vlera shumë të rëndësishme, mbi vlerat e ruajtjes, mbrojtjes, forcimit dhe pavarësisë së institucioneve në këtë vend, dhe është një koalicion që bazohet fort mbi vlerat dhe të drejtat e njeriut që deri tani janë respektuar për fat të keq vetëm në letër në këtë vend. Është një koalicion, i cili beson se vetëm në këtë mënyrë, duke qëndruar fort mbi këto vlera, do të mund të realizohet anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Në fund të fundit nuk ka asgjë të keqe, Berisha nisi aplikimin për qëllime elektorale, por ne do të nënshkruajmë edhe anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, sepse pa këto vlera që ne mbrojmë nuk mund të bëhet konkrete, e prekshme dhe afër Shqipëria si anëtare e Bashkimit Evropian që do të bëhet”, - tha Meta.