Shqetësim e zhgënjim i qytetarëve, mashtrim e qëndrim cinik i qeveritarëve për letrat me vlerë
Më dt, 21.04.2009, ne, një grup qytetarësh, në emrin tonë, por qe jemi dhe anëtarë të Shoqatës së Letrave me Vlerë, të shqetësuar nga qëndrimi tepër indiferent i të dy krahëve të politikës, i kemi dërguar me e-mail një letër kryeministrit, por deri më sot nuk kemi parë asnjë reagim.
Problemin e aktivizimit të letrave me vlerë (bonove e lekëve të privatizimit), shoqata jonë dhe qytetarë të ndryshëm nuk e shtrojnë për herë të parë, ky është një shqetësim e zhgënjim i popullatës që prej dhjetë vjetësh e me parë, përveç vitit 1996, kur u bë diçka pozitive në këtë drejtim, ku një pjese të publikut iu dha mundësia për t’i shndërruar letrat me vlerë në aksione. Mbas kësaj, ndaj këtij problemi dhe ndaj djersës së derdhur në vitet e regjimit të kaluar (me të drejtë kështu u tha, kur u shpërndanë ato), është mbajtur qëndrim indiferent, injorues e cinik i politikanëve e pushtetarëve ndaj kësaj djerse të
derdhur nga punëtorët e intelektualët shqiptarë të të gjitha fushave e drejtimeve ku krijohej pasuria kombëtare, e cila sot po tjetërsohet në lloj-lloj formash të drejta e të padrejta deri dhe në mënyra korruptive. Por vetëm tjetërsimi i saj nëpërmjet letrave me vlerë, që është mënyra më e drejtë, është bllokuar. A nuk është qëndrim injorues, cinik e i papërgjegjshëm fakti që deri në vitin 1999 fondi i investimeve “Angloadriatica” ka grumbulluar letrat me vlerë të mbi 45 000 familjeve shqiptare dhe me gjithë preokupimin e qytetarëve edhe nëpërmjet Avokatit të Popullit nga qeveri të ndryshme mbahet qëndrim “Nul”? A nuk është ky qëndrim i papërgjegjshëm, cinik e injorues i pushtetarëve ndaj qytetarëve, për të cilët kujtohen, vetëm kur u duhet vota?!
Në të gjitha privatizimet strategjike, sipas Ligjit për Strategjinë e Privatizimit, duhet të kishte paketë aksionesh për publikun, ku do përdoreshin bonot e privatizimit, por në vend që të ndodhte kjo, kohët e fundit po shiten për të huajt edhe këto aksione, siç janë ato në AMC, Albtelekom, INSIG etj.
Për privatizimin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme, ligji parashikon përdorimin e letrave me vlerë nga publiku deri në masën 50%, por deri tani është hapur drita jeshile vetëm për ato objekte që janë në truallin e ish-pronarëve, të cilët kanë të drejtë t’i para-blejnë duke përdorur në 80% letrat me vlerë. Më e keqja qëndron në faktin se Drejtoria e Administrimit dhe e Shitjes së Pronës Publike mjaftohet me publikimin për shitjen e ndonjë “Bjellorusi” apo objekti minor, ndërkohë që zoti Bode pretendon se “se shpejti do të dalë një listë e gjatë objektesh” për t’ua shitur pronarëve të truallit edhe me letra me vlerë.
Po masa e gjerë e qytetarëve, z. ministër, pse injorohet?! Ata presin e vetëm presin. Po deri kur? A nuk është ky një qëndrim cinik ekstrem?! A është ky një premtim i pambajtur i qeverisë tuaj, zotërinj ministra e z. kryeministër?!
Për këto e për shumë arsye të tjera dhe me shpresën se diçka mund të bëhet menjëherë, kryeministrit i jemi drejtuar si më poshtë:
Shqetësim dhe zhgënjim qytetar për letrat me vlerë
Zoti kryeministër.
Jemi një grup qytetarësh arsimtarë e intelektualë në pension me banim në Tiranë. Kemi një shqetësim dhe duam të gjejmë një rrugëzgjidhje, pavarësisht se ky është shqetësim edhe për qindra e mijëra shqiptarë të tjerë.
Konkretisht, në përputhje me ligjet e shtetit dhe vendimet e qeverive të ndryshme, sidomos atyre të krahut Tuaj, kemi përfituar bono privatizimi, aq sa na takojnë sipas dekretit Tuaj, që kur ishit president. Disa nga ne kanë investuar duke blerë të tjera, sepse shteti na ka thënë që është lirisht e tregtueshme.
Ndonjë nga ne ka përfituar ose blerë lekë privatizimi dhe ka librezë me llogari bankare në ish-Bankën e Kursimeve (sot e privatizuar nga Raiffeisen Bank).
Në po të njëjtën bankë kemi futur në fondin e investimeve “Angloadriatica” bono dhe lekë privatizimi. Për rrjedhojë, nga kursimet dhe puna e bërë kemi investuar një sasi jo të vogël në pará shqiptare duke i kthyer në letra me vlerë, të cilat janë të qeverisë shqiptare. Këtë gjë e kemi bërë, sepse kemi patur dhe kemi besim te shteti shqiptar, ligjet, qeveria dhe administrata e tij. Por na vjen keq të themi se deri tani jemi të zhgënjyer, sepse ka mbi 10 vjet që nuk po gjejmë dot rrugë për t’i shndërruar ato në aksione dhe ne të shndërrohemi në pronarë të tyre, mbasi në këtë drejtim vetë shteti shqiptar nuk po na hap rrugë që ne të justifikojmë besimin tonë te vetë shteti ynë, qeveria, ligjet, vendimet dhe
premtimet elektorale, në të cilat ne jemi bazuar në këto investime.
Deri tani funksionon vetëm VKM nr. 1638, dt. 17.12.2008, për shitjen e objekteve shtetërore në tokën e ish-pronarëve, sipas të cilit ne nuk mund të veprojmë, se nuk jemi pronarë trualli me objekte shtetërore në shitje. Por të mos harrojmë se jemi pronarë për djersën e derdhur ndër vitet e regjimit të kaluar, për të cilën vetë shteti dhe Ju, zoti kryeministër, na keni thënë që do të shndërrohemi në pronarë aksionesh, por që në fakt këtë proces e mbani të bllokuar.
Lidhur me këtë situatë, në bazë të dëshirës dhe mundësive që keni, kërkojmë mirëkuptimin tuaj për të na sqaruar vetë apo nëpërmjet specialistëve e ndihmësve Tuaj mbi këto pyetje:
1. Kur, ku dhe në ç’mënyrë do i përdorim bonot tona familjare të përfituara sipas dekretit përkatës?
2. Kemi punuar si punëtorë, arsimtarë e në administratën shtetërore dhe nuk kemi mundësi t’i përdorim në ndërmarrjet që privatizohen si punonjës të tyre?
3. A do të ketë paketë aksionesh për privatizim nga publiku me këto letra me vlerë?
4. A do të ketë fonde investimesh, ku ne të investojmë bonot tona të privatizimit, me kusht që të mos mbeten si ai “Angloadriatica”, të cilin shteti e lejoi të krijohet dhe që vetë e bllokoi duke mos e futur në privatizim?
5. Çfarë do të bëhet me fondin Angloadriatica dhe me investimet tona në të? A do të rinovohet licenca e tij për të vepruar e për të marrë pjesë në privatizimet?
6. A do të ketë ose kur do të funksionoje bursa shqiptare e letrave me vlerë, ku shteti të shesë aksionet e tij edhe me letra me vlerë?
7. Kur do të zhbllokohen veprimet për tjetërsimin e këtyre letrave me vlerë në fondin e investimeve “Angloadriatica”, si dhe në llogarinë bankare për lekët e privatizimit të shpërndara për ish-të përndjekurit politikë, sepse Banka Raiffeisen, si trashëgimtare e asaj të Kursimeve, ku ne kemi kryer veprimet, na thotë që qeveria dhe Ministria e Financave ka bllokuar lëvizjen e lirë të tyre dhe nuk veprohet më, ashtu siç veprohej deri në vitin 1999 dhe na adreson te Ministria e Financave?
8. Më në fund disa pyetje shumë më direkte:
a. Kur na shpërndanë këto letra me vlerë, na thanë se po ua japim për djersën e derdhur në regjimin e kaluar në krijimin e pronës shtetërore. Deri këtu shumë faleminderit.
b. Po atëherë, pse nuk na e jepni ne qytetarëve këtë pronë të merituar e të premtuar?
c. Kjo pronë është privatizuar e po privatizohet me lloj-lloj ligjesh e vendimesh të ndryshme të qeverive të ndryshme, ku parashikohet edhe paketa për publikun, por në fakt kjo është harruar. Pse?
ç. Pse nuk na jepet dhe ne kjo pronë? Sepse shteti i merr lekët nga investitori strategjik që ble paketën kryesore të aksioneve në shoqëritë që privatizohen, por qytetarëve të thjeshtë akoma nuk po ia jep në mënyrë direkte, por më e keqja është se në kundërshtim edhe me vetë ligjin mbi strategjinë e privatizimit, paketat e lëna për publikun po u shiten të huajve, si në AMC, Albtelekom, INSIG etj.
d. Pra, kur këto lekë që duhet t’i merrnim ne duke futur letrat me vlerë, i merr shteti, atëherë shteti pse nuk na i kthen këto letra me vlerë në mjet pagese për shpenzimet tona në AMC, Albtelekom, letërnjoftimet elektronike etj…?
e. Pse trajtohen kështu qytetarët shqiptarë?
f. Më në fund, çfarë të shpresojmë në prag të fushatës elektorale?
Respekt për Ju dhe faleminderit për mirëkuptimin!