Flamuri udhëzon zëdhënësen e re të PD
Dje për Flamurin ishte një ditë mallëngjyese. Gerti Bogdani, me të cilin ai ndante hallet e partisë i vetëm, duhej të largohej nga detyra. U ulën të dy bashkë për herë të fundit për të bërë dorëzimet. Meqenëse dhe çelësat e zyrës së Gertit i mbante Flamuri, hapën zyrën të dy bashkë dhe i hodhën një sy inventarit. Çdo gjë ishte në rregull, billboard-i i konferencës për shtyp, podiumi, një shkop i vogël dhe një dollap ku ishin disa libra me pluhur, nga ata që autorët që janë militantë të PD i falin atij burrit.
- Në rregull çdo gjë, - i tha Flamuri. - Ike ti, shpëtove. Tani më ngeli prapë e gjithë puna. Tani je rehat te Forumi Rinor. Se aty s’ke asnjë punë. Kam fol me Qukapin, do merret ai me të gjitha gjërat. Më tha që mos u bëj merak për vulën dhe zyrën që e mbajnë ata, por u duhet. Ti do jesh kryetar dhe s’do kesh rival për t’u zgjedhur. Me të tjerat do merren ata.
Bogdani i mallëngjyer i dha dorën të ndaheshin.
- Prit, - i tha Flamuri, - se duhet të takojmë këtë vajzën që do të të zëvendësojë. T’i japësh dhe asaj detyrat.
Pas pesë minutash erdhi Erla, vajza që do të zëvendësojë Bogdanin.
Flamuri duhet të mbante fjalën e rastit.
- Më lejoni t’u them dhe unë dy fjalë, - tha. - Nuk është rastësi që në këtë post të lartë të PD ai burri zgjedh gjithnjë një të ri që vjen nga Ministria e Transportit dhe Punëve Publike. Mes të tjerash ai do të dëshmojë rëndësinë që ka ajo ministri për imazhin e PD. Kur zoti Bogdani erdhi në këtë detyrë, ne ngritëm supet, por ai burri na kthjelloi, se na tha që u kam sjellë njeriun që ka dhënë lajmin e madh për shqiptarët, se ne do të fillojmë rrugën Rrëshen-Kalimash. Dhe sot më mori në telefon dhe më tha se po sjell në PD një avokate të shkëlqyeme të rrugës Rrëshen-Kalimash. Kjo tregon rëndësinë e madhe që ka për imazhin e PD kjo rrugë. Nga ana tjetër, dua të them se PD është një parti e hapur që nuk merret me të shkuarën e askujt dhe nuk u kushton rëndësi biografive si kundërshtarët tanë. Fakti që erdhi dita që ju të dy të bëni karrierë në krye të PD, edhe pse para vitit 2005 nuk keni pas asnjë lidhje me të, tregon qartë hapjen tonë reale dhe vlerat tona politike…”.
Erla, që s’ishte mësuar me fjalime të tilla, mori frymë e lehtësuar.
- Më fal, - tha, - se unë s’para e ndjek shumë PD, por jam shumë e lehtësuar që paskemi vendosur si parti të mos merremi me biografira. D.m.th., unë s’do lexoj më deklarata që flasin për orgji apo për dashnorët e gjysheve të këtyre të PS…
- S’e kisha fjalën tek ato, - tha Flamuri. - Ato i di ai burri se ç’do thuash ti. E kam fjalën që ne jemi parti e hapur dhe ju kemi futur dhe ju në gjirin tonë.
- Ou, mirë që ma kujtove, - i tha zëdhënësja e re. - Po unë tani do jem anëtare e PD?
- Patjetër, - tha Flamuri. - Po mos u bëj merak, se këtu s’ka njeri tesera. E kemi lënë të mbarojnë njëherë kartat e identitetit, pastaj të marrim softin e kartave dhe të printojmë ca tesera.
Bogdani, i cili ishte i lehtësuar, mori fjalën.
- Mos e merr me emocione Erla, - i tha. - Se dhe unë në fillim vuaja shumë, kur i lexoja. Po mësohesh pak nga pak. Herën e parë dhe të dytë të vjen pak zor e skuqesh. Pastaj mësohesh me të. Kështu që mos ki zor. Mos lejo gazetarët të të pyesin. Bëj vetëm deklaratë dhe ik. Dhe je në rregull. Gjërat që do përsërisësh më shpesh janë se Edi Rama bën orgji në shtëpi me katër vetë, do të të japë dhe inicialet ai, se i ndërron vazhdimisht, pastaj do flasësh që vjehrra e Erion Veliajt s’ka qenë grua me moral të lartë, pastaj do kesh ndonjë rast që do akuzosh Ina Ramën dhe Bamir Topin për ndonjë krim që s’e tregojnë... dhe kaq. S’janë ndonjë gjë e madhe. Në fillim duket sikur do përmbyset bota, pastaj mësohesh. Dhe kujdes telefonin, vëri ndonjë emër tjetër atij burrit. P.sh., unë e kisha shkruar “zemra ime”, ngaqë ai i binte shpesh dhe, kur e shihte dikush, mendonte se ishte gruaja. Dhe ti ashtu bëje, se të merr dhjetëra herë në telefon dhe shqetëson njerëzit.
- Mirë që ma the, - tha Erla, - se kam disa vetë në telefon me këtë nickname e t’i fshij.
Pas kësaj u ndanë. Erla e pyeti Flamurin se ku mund ta gjente çelësin e zyrës.
- Çelësin nuk e japim, - tha Flamuri, - deri në zgjedhje. Sa herë të kesh konferencë, do më thërrasësh mua. Po s’më gjete, nise me e-mail, se s’kemi ç’bëjmë. E kam porosi që deri më 28 qershor mos t’i dorëzoj çelësat, se ai burri i ka shumë frikë zyrat bosh, ku secili ka nga një çelës.