E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miqtë e mirë për këtë janë

Nga “Wall Street Journal”

Me butonat “rifillo” të shtypur në rrethet diplomatike që me ardhjen e Barack Obamës në Shtëpinë e Bardhë, tani është momenti i përshtatshëm për të pyetur se kush mund të quhet një aleat i mirë. Evropa sapo na ka ofruar dy përgjigje të vlefshme që mbahen mend, ndërsa zoti Obama do të vizitojë kontinentin plak javën që vjen, për herë të parë prej marrjes së detyrës.

Më shumë ra në sy komenti i kryeministrit çek të mërkurën, Merek Topolanek, që stimuluesi i Obamës po shtron “rrugën për në Ferr”. Komentuesit e shigjetuan menjëherë zotin Topolanek, i cili, si mbajtës i presidencës së BE, po tërheq vëmendjen më shumë se zakonisht, për vështirësimin e marrëdhënieve transatlantike para takimit të G20 javën që vjen në Londër dhe samitit të NATO-s në Strasburg.

Po a nuk mund të flasin aleatët sinqerisht, kur kanë pikëpamje të kundërta? Zoti Topolanek thjesht shprehu më drejtpërdrejt të njëjtin opinion që kanë shprehur të tjerët, që nga liderët e Gjermanisë dhe Francës e deri te kreu i Bankës Qendrore Evropiane. Me administratën e Obamës që nuk u kushton vëmendje dhe vazhdon me rritjen e deficitit, përse të mos ngrihet zëri më me forcë? Miqtë nuk i lënë miqtë e tyre të shkatërrojnë ekonomitë e tyre.

Para pak ditësh, siç u mor vesh, Spanja dha një shembull real se si mund të humbasësh miqtë dhe të armiqësosh aleatët. Me një paralajmërim më pak se njëzet e katër orësh, Madridi tha të enjten e shkuar se do të tërheqë 600 trupat e saj nga forca paqeruajtëse e NATO-s në Kosova. Shumë më shqetësuese në substancë, veçanërisht e ngjashme me tërheqjen e papritur të trupave spanjolle nga Iraku, pasi Zapatero u bë kryeministër, kjo lëvizje gjeneroi më pak zhurmë se komentet e zotit Topolanek.

Në prag të takimit të G20 dhe NATO-s, zoti Obama nuk mund të kishte kërkuar një ilustrim më të mirë për mënyrën se si i vlerëson Evropa fjalët e ëmbla më tepër se veprimet konkrete.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›