Specialistët, gropa të mbushet urgjentisht
ELBASAN - Pas alarmit të dhënë nga banorët e zonës së Dumresë, për krijimin e një grope karstike, ditën e djeshme shkuan në vend ekspertë të Ministrisë së Mjedisit. Ata mbërritën në komunën Shalës, për të kryer një studim emergjent në lidhje me këtë gropë e cila është krijuar tri ditë më parë, nga ku konstatuan se momentalisht nuk përbënte rrezik për banorët e kësaj zone. Sipas specialistëve të gjeologjisë, gropa duhet të mbushet menjëherë, dhe se këtë ata do t’ia kërkojnë zyrtarisht Ministrisë së Bujqësisë, për të akorduar edhe fondin përkatës. Ndërkohë është klasifikuar e rrezikshme prania e saj afër rezervuarit të Kashtës, i cili momentalisht ka një kapacitet prej afro 2.7 milionë m3 ujë. Specialistët pohuan se kjo përbën rrezik të madh për banorët e kësaj zone, nëse nuk do të ndërhyhet menjëherë për mbylljen e kësaj grope, e cila ka një diametër prej 30 metrash gjerësi dhe rreth 100 metra thellësi. Ndërkohë gropa do të jetë nën vëzhgimin e specialistëve të bordit të kullimit të ujërave në qarkun e Elbasanit dhe atyre të komunës, deri sa ajo të mbushet plotësisht me qëllim shmangien e rrezikut për banorët e kësaj zone të populluar. Gropa vazhdon të jetë në gjendje aktive, por shpejtësia e rritjes së përmasave të saj ka tendenca rënie. a.k