E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një Bush tjetër

Nga Malte Lehming

A është kriza financiare për Angela Merkel ajo çfarë lufta në Irak ishte për Gerhard Schröder, një arsye për të tendosur seriozisht marrëdhëniet e Gjermanisë me SHBA? Nuk është e nevojshme të përgjigjesh me një “po” të pakushtëzuar që të shqetësohesh seriozisht.

Në takimin e G20 në Londër, këtë javë, evropianët do të festojnë dhe nderojnë presidentin e ri amerikan. Do të ketë mundësi të bukura për fotografi dhe unitet të dukshëm. Por kundërshtitë në prapaskenë janë keqësuar. Barack Obama kërkon një përkushtim financiar më të madh nga Gjermania dhe Evropa për të ringjallur ekonominë; zonja Merkel dhe BE refuzojnë dhe iu kërkojnë amerikanëve të rregullojnë më shumë tregjet e tyre financiare.

Nuk ka dyshim që zonja Merkel ka argumente të forta thelbësore në anën e saj. Edhe zoti Schröder kishte disa, kur kundërshtoi Bushin para dhe gjatë luftës në Irak. Megjithatë, amerikanët dhe opozita gjermane - CDU e Merkelit - e akuzuan Schröder-in për mungesë sinqeriteti. Tek e fundit, qëndrimet e tij kundër luftës ishin të motivuara edhe nga strategjia elektorale dhe nuk ishin tërësisht të çliruara nga antiamerikanizmi i përgjithshëm.

Por, kujtohuni, a nuk do të ketë zgjedhje elektorale edhe për zonjën Merkel sivjet? Vetësiguria e saj në marrëdhëniet e Uashingtonit mund të jetë e mirëpritur në Gjermani, po aq sa ishte edhe qëndrimi antiluftë i Schröder-it. Dallimi mes dy kancelarëve është se mënyra e zonjës Merkel nuk është agresive, por kundërshtuese. Kur ajo mbron politikat e saj financiare, ajo pëlqen të na kujtojë që nuk duhet të harrojmë se ku nisi kriza. Të gjithë e dinë për cilin vend e ka fjalën ajo.

Zoti Obama flet për një krizë globale që ka nevojë për reagim global. Për gjermanët ajo është vërtet krizë globale, por duhet të zgjidhet kryesisht nga SHBA, se aty filloi. Prandaj kompanitë gjermane financiare që ngecën në spekulimet e dyshimta shikohen si viktima të dobëta që u joshën, ndërsa joshësit e zgjuar amerikanë që shkaktuan tullumbacen reale të banesave duhet të ndëshkohen.

Tani viktimat kërkojnë të drejtën t’i thonë “jo” paketës se re stimuluese. Ata kërkojnë gjithashtu që SHBA të mos lejohet më të joshë - dhe të kufizohet me “më tepër transparencë në tregjet financiare, gjë që Gjermania e kërkuar shumë kohë më parë”, - siç thotë zonja Merkel.

Dikur shpresat ishin të pakufishme. Me zgjedhjen e Barack Obamës ndarja transatlantike që u rrit në vitet e Bushit, mund të mbyllej më në fund. Me krizën e tanishme financiare kjo shpresë mund të rezultojë iluzion. Shumë gjermanë mendojnë se po merren peng nga SHBA dhe duan të shprehin zemërimin e tyre. Ata dyshojnë se programi gjigant stimulues i zotit Obama është i ngjashëm me programin gjigant të luftës të zotit Bush. Presidenti i ri duket se po reagon ndaj kësaj “krize globale”, në mënyrë po aq radikale sa edhe republikanët reaguan ndaj sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, duke kërkuar të njëjtën aleancë pa kushte nga aleatët që kërkoi edhe Bushi. A janë neokenesianët po aq të gabuar sa ishin atëherë neokonservatorët? A nuk është gjigantizmi amerikan problemi më i madh?

Duke shpjeguar motivet amerikane, gjermanët arrijnë në përfundime po aq jomiqësore sa edhe gjatë përgatitjeve të luftës në Irak (etja për naftë). Më 9 mars, revista gjermane “Der Spiegel” botoi një kryeartikull: “Gabimi i shekulli - Si shpërtheu krizën botërore dështimi i një banke”. Ai sugjeronte se qeveria amerikane e la me qëllim të dështonte bankën “Lehman Brothers. Pse? “Me sa duket, Gjermania ishte qëllimi kryesor i spekulimit” të “Lehman Brothers”, - thoshte revista, - sepse siguri të tilla lejohen në Gjermani, por jo në Francë dhe SHBA.” Dhe “ka shumë fakte se bankat synonin fondet e pensionistëve gjermanë naivë duke tregtuar sigurimin e “Lehman.” Ky lloj interpretimi për ngjarjet është shumë i hapur në Gjermani. Madje, edhe kreu i këshillit të kishës protestante, Wolfgang Huber, e përkrah atë.

Gjithnjë e më tepër zemërimi prej krizës dhe pasojave të saj po kthehet në shqetësim social; mjaft të hidhni një sy nga Greqia, Franca, Irlanda, Islanda ose Evropa Lindore. Sa më shumë të zgjatë kriza, aq më shumë njerëzit do ta ngrenë zërin kundër vendit të origjinës së krizës, SHBA. Obama po kthehet në një rrufe për stuhinë evropiane. Kur ai të vijë në kontinentin e vjetër për herë të parë si president i SHBA, ka shumë mundësi që të mos shikojë turma të gëzuara mikpritëse sa vitin e kaluar në Berlin.

Para luftës në Irak, Bushi ia doli ta ndante Evropën në “të vjetër” dhe “të re”. Në krizën financiare, kontinenti është i bashkuar ndaj pasuesit tij, Barack Obama.

Autori është redaktor i faqes së opinioneve të “Der Tagesspiegel”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›