E Shtunë, 31 Tetor 2026

(Ri)kthehet shovinizmi i Qosiçit të zhgënjyer

Nga RFE

Akademiku serb, Dobrica Qosiç, ka deklaruar këto ditë se Serbia duhet të dalë me propozime për një marrëveshje me shqiptarët dhe ka përsëritur qëndrimin e mëhershëm se copëtimi i Kosovës do të ishte zgjidhja më e mirë për shqiptarët dhe serbët.

Në librin “Koha e gjarpërinjve”, Dobrica Qosiç paraqet pikëpamjet e tij gjatë kohës së intervenimeve të NATO-s në ish-Jugosllavi. Në këtë libër, siç pohon shtypi beogradas, ka edhe qëndrime shoviniste.

Shkrimtari Vidosav Stevanoviç thotë se Dobrica Qosiç, gjatë jetës së tij, disa herë ka ndryshuar qëndrimet politike, por në fund është përcaktuar për panserbizmin, për të cilin angazhohet tash 30 vjet.

“Sa më shumë dëme që ka bërë politika e tij, aq më e vlerësuar ka qenë. Mjerisht, edhe politikanët që dolën në skenë pas Millosheviçit, kanë përvetësuar një pjesë të qëndrimeve të tij, duke bërë dëm të madh deri në ditët e sotme”, - thotë Stevanoviç, i cili Qosiçin e cilëson intelektual oportunist.

“Qosiçi është njeri që i përshtatet çastit dhe që miraton ato ide që i duken më popullore. Ky njeri është i interesuar vetëm për pushtet dhe asgjë tjetër”, - thotë Stevanoviç.

Një shkrimtar tjetër nga Serbia, Filip David, thotë se Qosiç në rrugën e vet politike ka qenë i afërt me Titon, Millosheviçin, Koshtunicën, ndërsa tash edhe me Tadiçin.

“Ajo që është më e çuditshmja në gjithë këtë rrëfim, qëndron në faktin se atë e mbështet njësoj si e majta, ashtu edhe e djathta. Esenca e kësaj politike, flas për Qosiçin si politikan, është shumë tradicionaliste dhe antireformiste, dhe kjo i shkon për shtat një pjese të konsiderueshme të popullit serb, që mashtron veten, se gjithë bota na urren. Por, kjo politikë u shkon për shtat dhe qarqeve të pushtetit”, - konkludon Filip David.

Libri “Koha e Gjarpërinjve” është një ditar i Dobrica Qosiçit, që përfshin periudhën nga 21 marsi i vitit 1999, deri më 1 janar të vitit 2000. Në libër, siç pohon edhe shtypi beogradas, ka qëndrime shoviniste. Për shembull, kur flet për dallimin e kodit etnik shqiptar dhe serb, Dobrica Qosiç pohon se “kjo shtresë sociale, politike, morale dhe barbare e Ballkanit bëhet aleat i Amerikës dhe BE në luftën kundër popullit më demokratik, më të civilizuar dhe më të arsimuar të Ballkanit - popullit serb”.

Analisti politik, Sllobodan Antoniç, pohon se kohëve të fundit vihet re zhgënjim te Qosiçi.

“Kemi të bëjmë me një Qosiç të lodhur, të zhgënjyer, madje edhe fatalist, një Qosiç që konsideron se të gjitha idetë e tij kanë vdekur dhe se në vepër është diskontinuiteti ndërmjet asaj për çka është angazhuar dhe asaj që tani ekziston në Serbi”, - konkludon analisti Sllobodan Antoniç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›