Flamurtari, Magani pezullon Gramin
Jo gjithçka shkon mirë te Flamurtari. Dje, trajneri Gugash Magani ka bërë të ditur për “Panorama Sport” se mbrojtësi Elton Grami është pezulluar nga skuadra për një afat të pacaktuar. Shkak i kësaj mase penalizuese për titullarin e kuqezinjve, janë bërë disa mosmarrëveshje që ai ka pasur me kreun e pankinës. Ky i fundit i ka kërkuar shpeshherë mbrojtësit të tij që të jetë më i disiplinuar në stërvitje. Por, pas shumë paralajmërimesh, Magani është detyruar të përdorë një “dorë të hekurt”, duke e pezulluar lojtarin nga ndeshjet miqësore dhe gjithashtu nga stërvitja. Për acarimin e situatës në ekip, trajneri sqaroi shkurtimisht se këto raste nuk mund të tolerohen. “Mbrojtësi Grami shpesh vepron në mënyrë të papërgjegjshme, duke mos marrë pastaj parasysh pasojat që mund të vijnë. Unë si trajner nuk mund të toleroj të tilla gjëra. Ua kam bërë të qartë lojtarëve se kërkoj disiplinë”, - tha ai.
Lojtari
Në fakt, dy ditë më parë ishte aluduar se mungesa e Gramit në ndeshjen miqësore ndaj Elbasanit ka qenë për shkak të një dëmtimi të tij. Por, një gjë e tillë është përgënjeshtruar nga vetë trajneri i Flamurtarit. Magani i ka komunikuar vetë lojtarit para nisjes së stërvitjes masën e pezullimit. Ende nuk dihet sa ditë do të zgjasë ky pezullim, por tashmë Grami rrezikon seriozisht që këtë sezon ta nisë nga tribuna. Trajneri kuqezi është i vendosur për të mos toleruar lojtarët. “Vitin e kaluar, për të mirën e skuadrës isha detyruar të bëja një vesh shurdh dhe një sy qorr, për të gjithë ata lojtarë që nuk mobilizoheshin plotësisht në seancat stërvitore. Por, e përsëris që në këtë sezon unë nuk kam ndërmend të toleroj asnjë lojtar, kushdo qoftë ai. Vetëm kështu mund të ecë Flamurtari, pasi klubi ka bërë një shpenzim kolosal”, - përfundoi trajneri i vlonjatëve.