Shkumbini dhe Bylisi, “X” në Ohër
Shkumbini dhe Bylisi kanë mbyllur fazën përgatitore në tokën maqedonase, duke zhvilluar dje një miqësore në stadiumin e Ohrit. Takimi ka përfunduar në barazim 1-1. Pjesa e parë ka qenë më e mirë për peqinasit, të cilët kanë kaluar në avantazh me anë të mbrojtësit Ahmed Mujdragiç. Ka qenë minuta e 37-të, kur pas një goditjeje dënimi, boshnjaku i ardhur në ndihmë të sulmit, kërceu fuqishëm me kokë dhe realizoi golin e avantazhit. Pjesa e parë u mbyll me fitoren e Shkumbinit. Në 45 minutat e dyta, të dyja skuadrat bënë disa ndryshime në formacion. Bylisi ishte më kërkues dhe në minutën e 68-të, pas një aksioni personal të sulmuesit Romeo Hamzai, u barazua rezultati. Edhe pse rastet nuk munguan, gjithçka u mbyll në shifrat 1-1. Sot pritet që të dyja ekipet shqiptare të kthehen në qytetet e tyre, për të vijuar stërvitjen në prag të sezonit, që nis më 21 gusht. Bylisi rikthehet të luajë në Superiore, ndërsa Shkumbini, pas përforcimeve të shumta që ka bërë, do të synojë një vend në Kupat e Evropës. Ecuria e këtyre ekipeve mbetet për t’u parë. M.Gjika