E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamurtari, dramë në Durrës, Skënderbeu bëhet i frikshëm

TIRANE-Pushimi për ndeshjet e kombëtares duket se i ka bërë mirë Skënderbeut, ndërkohë që ka ndikuar për keq te Flamurtari. Dy skuadrat kryesuese të Superligës kanë zbritur dje në fushë për ndeshjet e javës së 26-të, ndërkohë që të fituarit e vetëm kanë qenë korçarët. Skuadra e Shpëtim Duros e ka ngushtuar në vetëm 1 pikë distancën me kryesuesit e kampionatit, pas fitores 2-0 në Krujë ndaj Kastriotit dhe ndalesës së Flamurtarit në "Niko Dovana" përballë Teutës. Sfidat e djeshme, përballë dy skuadrave që rrezikonin seriozisht rënien dhe nuk mund të falnin asgjë, kanë nxjerrë në pah problemet e vërteta të dy skuadrave që luftojnë për titullin. Nëse korçarët ia kanë dalë mbanë, duke triumfuar në një fushë "tabu" si Kruja, ndryshe qëndroi puna me vlonjatët, që i kanë komplikuar në maksimum shanset për t'u shpallur kampionë. Gjithsesi, rezultatet e djeshme kanë ndihmuar për ta bërë akoma më spektakolar fundin e sezonit, i cili që prej startit të tij, ka parë vetëm dy skuadra protagoniste. Përsa u përket ndeshjeve, terri i transmetimit vazhdoi edhe dje, për shkak të përplasjeve të njohura tashmë mes Federatës dhe paketës Supersport.
FINALJA
Kur mbeten edhe 7 javë deri në fund, çështja e titullit kampion duket se do të zgjidhet në përballjen direkte mes Flamurtarit dhe Skënderbeut. Dy skuadrat janë duke ecur paralelisht mes tyre dhe diferenca aktuale në renditje të bën të besosh se takimi i fundit në Vlorë do të jetë një finale. Por, një rëndësi të madhe ka se kush shkon i favorizuar në këtë sfidë, pasi në vitet e fundit, skuadra që ka qenë më përpara në renditje, në fund ka arritur të fitojë titullin. Këtë sezon, dy skuadrat kryesuese kanë qenë 100 % në fushën e tyre, duke marrë maksimumin e pikëve, kështu që Flamurtari, të paktën për momentin mbetet i avantazhuar. E megjithatë, dy ekipet kanë edhe përballje të tjera të vështira deri në fund, sidomos me ekipet që synojnë të luajnë në Evropë apo me Shkumbinin, që ende rrezikon rënien.
TRAJNERËT
Në sfidat decizive për titullin kampion, një pjesë të mirë të diferencës e bëjnë edhe trajnerët. Në rastin e Skënderbeut dhe Flamurtarit, si Shpëtim Duro, ashtu edhe Gugash Magani, nuk kanë fituar asnjë titull dhe eksperi-nca e fitimit të tij, nuk përbën avantazh për askënd. Por, është fakt se Duro ka një përvojë të suksesshme në drejtimin e shumë ekipeve, madje edhe të kombëtares. Magani në krahun tjetër shquhet për grintën që i jep ekipit dhe kjo është parë sidomos në ndeshjet brenda, ku Flamurtari ka "shkelur me këmbë" çdo kundërshtar.
NDALESA E FLAMURTARIT
Pas fitores së Skënderbeut në Krujë, të gjithë dje prisnin që të njëjtën gjë të bënte edhe Flamurtari, por vlonjatët janë ndalur në një barazim 1-1 në "Niko Dovana". Ndeshja u luajt me drita dhe skuadra e Maganit kishte avantazhin që dinte rezultatin e Skënderbeut, por gjithsesi kjo duket se krijoi më shumë presion mbi të. Julian Ahmataj realizoi golin e parë për Flamurtarin pas 6 minutash lojë, por vendasit barazuan me Frashërin në minutën e 39-të. Megjithë përpjekjet, vlonjatëtnuk gjetën dot golin e avantazhit, duke lejuar afrimin e frikshëm të Skënderbeut.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›