E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdojnë me lobim

Në këtë fundjavë, në Londër nis manifestimi tetëditor ‘Sport accord - 2011”, i cili mbledh krerët e të gjitha federatave sportive nga e gjithë bota. Aty do të marrë pjesë edhe kreu i KOK-ut, Besim Hasani dhe Malsor Gjonbalaj nga Ministria e Sportit. Që të dy ata do të lobojnë për ta përshpejtuar procesin e ndërkombëtarizimit të sportit kosovar. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 02 prill 2011 në ora 13:00

Në këtë fundjavë, në Londër nis manifestimi i madh sportiv “Sport accord-2011”, në të cilin marrin pjesë krerët e të gjitha federatave sportive nga të gjitha shtetet e botës, por edhe krerë të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe udhëheqës të komiteteve olimpike të shteteve të ndryshme të botës, të cilët zhvillojnë takime të ndërsjella dhe aktivitete të ndryshme në interes të sportit.

Këtë manifestim do të mundohen ta shfrytëzojnë edhe zyrtarë të sportit kosovar për të lobuar rreth përshpejtimit të procesit të ndërkombëtarizimit. Në fakt, Kosovën në këtë ngjarje do ta përfaqësojë kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani dhe Malsor Gjonbalaj, këshilltar i ministrit për Sport, Memli Krasniqit.

“Ky manifestim nis të dielën dhe zgjat deri më 8 prill. Është një mundësi e mirë për ne që të lobojmë. Bashkë me Gjonbalajn do të takohemi me shumë krerë të federatave sportive nga mbarë bota dhe me krerë të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Tashmë veç i kam aranzhuar disa takime, përfshirë edhe takimin tonë me ministrin e sporteve të Britanisë së Madhe”, deklaroi Hasani për Express.

Hasani tha se do të kërkojë nga ministri britanik që ta shfrytëzojë ndikimin e tij dhe ta mbështetë pjesëmarrjen e sportistëve kosovarë në Lojërat Olimpike, që mbahen në Londër në vitin 2012.

“Ne do ta njoftojmë ministrin britanik se qëllimi jonë kryesor është pjesëmarrja e sportistëve tanë në Olimpiadë. Meqenëse vendi i tij është nikoqir i Olimpiadës, ai njeri ka ndikim dhe do të kërkojmë të na ndihmojë rreth realizimit të aspiratës sonë. Ai mund të na ndihmojë shumë”, u shpreh Hasani.

Ai pohoi se do të përqendrohet kryesisht të realizojë takime me krerë të federatave sportive ndërkombëtare, të cilat e kanë më të lehtë pranimin e disa federatave sportive kosovare, për dallim prej disa federatave tjera siç është FIFA.

Hasani shprehu keqardhjen e tij që në këtë manifestim nuk do të marrin pjesë edhe krerë të federatave tjera sportive kosovare, pasi, sipas tij, ky do të ishte një rast i mirë për ta që të lobojnë dhe ta përshpejtojnë procesin e ndërkombëtarizimit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›