Një Milan perfekt, Interii jep lamtumirën titullit?
Një Milan perfekt ka triumfuar 3-0 në derbin ndaj Interit, duke nisur shkëputjen drejt titullit kampion në Serinë A. Supersfida e mbrëmshme në “San Siro” ka përfunduar me fitoren e kuqezinjve, që tashmë janë shkëputur me 5 pikë në krye të renditjes. Një super Aleksandre Pato, nën sytë e Barbara Berluskonit, ka hedhur në tapet skuadrën e Leonardos, duke shënuar 2 gola dhe duke bërë që mungesa e Zllatan Ibrahimoviç të harrohet. Derbi i mbrëmshëm ka dhuruar spektakël dhe emocione të shumta, ndërkohë që edhe këtë herë nuk munguan polemikat mbi arbitrimin. Një gol që i mosakorduar për Interin në pjesën e parë mund të kishte ndryshuar shumë gjëra, por kjo nuk i heq aspak meritën Milanit për ndeshjen perfekte që dhuroi në harkun e 90 minutave. Zikaltërit janë shfaqur nën ritmin e tyre të zakonshëm, kjo edhe për shkak të nisjes së vrullshme të Milanit, me një gol që në sekondën e 50-të të takimit. Ndërkohë, spektakli në fushë as që mund të krahasohej me atë në tribuna, ku në qendër të vëmendjes kanë qenë thirrjet dhe pankartat kundër Leonardos. Një tjetër moment i veçantë i derbit kanë qenë rastet flagrante të humbura nga Robinjo, i cili edhe pse doli tre herë vetëm për vetëm me Zhulio Sezar, nuk arriti ta dërgonte asnjëherë topin në rrjetë. Po ashtu, një tjetër personazh i veçantë ka qenë Antonio Kasano, i futur 7 minuta para fundit. Barezi mori një penallti, shënoi një gol dhe në fund doli me të kuqe për një faull të kotë.