E Diel, 1 Nëntor 2026

Flamurtari, gati një miqësore luksi me Lacion



Flamurtari i ka mbyllur ditët maqedonase, për të nisur në Vlorë një tjetër cikël përgatitjesh, në kuadër të sezonit të ri futbollistik, që pritet të startojë më 21 gusht. Më shumë se asnjëherë tjetër, në kampin vlonjat mbizotëron optimizmi për një sezon të suksesshëm, ku synimi i tyre është fitorja të paktën e një trofeu. Ndonëse deri më tani kanë zhvilluar mjaft ndeshje miqësore, kjo nuk mjafton për drejtuesit e Flamurtarit që kërkojnë ndërtimin e një skuadre kampione për sezonin e ri.
Kështu, drejtuesit kuqezi, kanë menduar të zhvillojnë një tjetër miqësore, por këtë herë me një skuadër italiane të një niveli më të lartë që militon në Serinë A, siç është Lacio. Ideja për të zhvilluar një ndeshje miqësore me skuadrën e Lacios është hedhur nga shefi i klubit të Flamurtarit, Geri çipi, i cili para disa ditësh ka folur me ish-shokun e tij të Kombëtares Igli Tare, ku ky i fundit mban rolin e drejtorit teknik te ekipi italian. Në fakt, kjo është ftesa e dytë që i bën ish-mbrojtësi i kombëtares, Flamurtarit për të zhvilluar një ndeshje miqësore. Kujtojmë këtu, se para 7 viteve, Igli Tare u përpoq të organizonte një takim miqësor midis Flamurtarit dhe ekipit, fanellën e së cilës mbronte asokohe, Breshias. Mirëpo, kjo gjë nuk u arrit, pasi Tare u largua nga ekipi i Breshias.
Panioniosi - Edhe ekipi grek i Panioniosit, ku punon ish-portieri i Kombëtares Foto Strakosha gjatë fazës përgatitore i kërkoi Flamurtarit që ta zhvillonte fazën përgatitore në Greqi, me qëllim që të zhvillonin edhe miqësore. Mirëpo, përgjigja e krerëve kuqezi ka qenë negative, kjo për arsye të vonesës së marrjes së vizave, e cila do t’u hante shumë kohë. Ndërkohë, që edhe kosto financiare ka qenë një tjetër arsye që i privoi vlonjatët të udhëtonin drejt Greqisë, për të zhvilluar fazën përgatitore. Ndërkohë, për sa i përket ftesës së fundit të bërë nga skuadra italiane, për të zhvilluar një ndeshje miqësore, krerët kuqezi pritet të japin një përgjigje javën e ardhshme. Kjo sepse çdo gjë varet nga klubi i Lacios, që tashmë po zhvillon fazën përgatitore dhe është shumë e vështirë, për të gjetur një datë për zhvillimin e kësaj miqësoreje. Megjithatë, shefi i klubit Geri çipi është mjaft optimist, se kjo ndeshje i ka të gjitha mundësitë për t’u zhvilluar. Kjo edhe pas bisedës telefonike të bërë me drejtorin teknik të Lacios, Igli Tare, i cili ka premtuar se do të bëjë gjithçka për të bindur drejtuesit e klubit të Lacios, pasi edhe influenca e tij në klub është e madhe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›