Sulmi, ende një “hall” për Muçën
Sulmi i Skënderbeut është ende në krizë, edhe pse dy lojtarë të huaj janë në provë. Madje korçarët janë gati të sjellin dhe një tjetër të huaj. Megjithëse kërkimet për një sulmues, për drejtuesit juglindorë, nuk janë shterur, ende asnjë kontratë nuk është mbyllur për t’i dhënë fund merkatos së korçarëve. Në garë për një vend tek Skënderbeu janë dy të huaj, një kamerunas dhe një boshnjak. Por të dy këta lojtarë, deri më tani, nuk kanë dhënë asgjë konkrete në ndeshjet miqësore. Teksa boshnjaku Zoran Kokot ka luajtur në dy miqësore me Skënderbeun vetëm gjatë kësaj jave, ndryshe ka ndodhur me kamerunasin Bentrand, i cili ka mundur të jetë në fushën e lojës vetëm gjatë ndeshjes me Flamurtarin, që u zhvillua në Pogradec. Burime nga presidenca korçare kanë bërë të ditur, për gazetën “Panorama Sport”, se në rast se dy lojtarët nuk do të jenë të preferuarit e trajnerit Muça, atëherë do të vihet në zbatim plani rezervë. Sipas të njëjtave burime mësohet se do të jetë një tjetër lojtar i huaj, që do të kërkohet të vijë në Korçë gjatë javës së ardhshme. Por kjo do të ndodhë nëse Bong Bentrand nga Kameruni dhe Zoran Kokot nga Bosnja do të largohen nga skuadra, pasi nuk do të jenë ajo prerje lojtarësh që parapëlqen kryepankina e Skënderbeut për kampionatin e ri. Përsa i përket lojtarit tjetër nuk jepen të dhëna, por drejtuesit e klubit bëjnë të ditur se e kanë dhe një mundësi. Kamerunasi 23- vjeçar nuk ka arritur tek goli gjatë ndeshjes me vlonjatët, megjithëse kishte deklaruar se është një “makineri” golash. Trajenri Muça nuk është nxituar të dalë në përfundime konkrete, për të dy futbollistët, megjithëse peshorja deri tani duket se anon më tepër tek kamerunasi. Gjithçka mbetet e hapur, përderisa të dy futbollistët janë ende në provë dhe asnjëri prej tyre nuk ka marrë një përgjigje zyrtare nga teknikët e skuadrës. Fakti është se sulmi është një shqetësim për bardhekuqtë e Muçës. Albana çakshiri