E Diel, 1 Nëntor 2026

Trajneri kërkon t’i ketë lojtarët te Tirana për sezonin e ri “Ultimatumi” i Starovës: Dua Plakun dhe Bulkun

Trajneri Sulejman Starova e konsideron sulmuesin Sebino Plaku pjesë të Tiranës. Ai shpreson që futbollisti të bashkohet sërish me ekipin.

Lojtari së bashku me Pero Pejiçin treguan një paraqitje të mirë gjatë katër ndeshjeve të paraeliminatoreve të Ligës Evropiane në repartin ofensiv. Të dy futbollistët e njohin mirë njëri-tjetrin, pasi janë aktivizuar më parë tek ekipi i Dinamos. Ndërkohë që largimi i tij e dëmton sulmin. Te Tirana aktualisht është afruar sulmuesi Oriand Abazaj.
Starova
Për trajnerin Starova, gjendja te Tirana është ashtu siç ka qenë më parë përsa i përket formacionit. “Plaku është pjesë e jona. Vërtet që ka pasur disa probleme ekonomike midis klubit e lojtarit, por jam i bindur se do të zgjidhen”, – u shpreh Starova për gazetën “Panorama Sport”. Sipas teknikut, paraqitjet e tij i kanë shërbyer shumë këtij klubi. Edhe pse Plaku tani është bërë pjesë e Flamurtarit, Starova shpreson se ai do të vijë sërish te Tirana. “ Ai është një lojtar që i ka shërbyer ekipit gjatë ndeshjeve të paraeliminatoreve të Ligës Evropiane. Shpresoj që edhe ai ta kuptojë se është pjesë e ekipit dhe të bashkohet sërish me ne”, - vazhdoi trajneri i Tiranës. Starova foli edhe për merkaton në ekip. Ai u shpreh se Tiranës do t’i bënte punë që Ervin Bulku të vishet bardheblu. “Deri tani në merkato kemi shkuar mirë. Shpresojmë që të afrohet me ne edhe mesfushori Ervin Bulku, pasi klubi ka shfaqur interes për të, por të shohim në ditët në vazhdim. është një lojtar që i duhet skuadrës”, – përfundoi tekniku.
FSHF
Komisioni i Disiplinës vendosi që Sebino Plaku të marrë pagesat e pashlyera nga klubi i Tiranës. Më pas, ai do të mblidhet sërish pas një jave për të marrë vendimin përfundimtar në lidhje me çështjen e largimit të tij. Ndërkohë, Plaku, në lidhje me vendimin u shpreh: “ Isha sot për të marrë vendimin. Pashë që nuk kishte asnjë përfaqësues të klubit të Tiranës. Kjo më krijon idenë që ata kanë hequr dorë. Them që vendimi i marrë sot nga Komisioni i Disiplinës ishte një përgjigje në heshtje ndaj Tiranës. Besoj se tani jam më afër Flamurtarit”. Kështu, sulmuesi ka fituar betejën e parë me Tiranën. Lojtari u largua para tetë ditësh nga bardheblutë për t’u bashkuar me Flamurtarin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›