E Shtunë, 31 Tetor 2026

ALMA KOVACI Trainiere në Akademinë Ushtarake Amerikane

Ish-volejbollistja e ekipit të Dinamos për femra, Alma Kovaçi, është aktualisht një nga trainieret më të lakmuara në Amerikë. Që prej vitit 2007 ajo drejton një nga ekipet më të rëndësishme të vendit, atë të Akademisë Ushtarake “West Point”. Si u largua dhe si mbërriti deri këtu lojtarja e Dinamos. Orët e rënda të punës dhe minutat e shtrenjta që i mbeten të lira...

“West Point nuk gjeti dot traniere në Amerikë, nuk kishin nga t’ia mbanin, kështu që më zgjodhën mua…” Alma Kovaçi është tejet e entuziasmuar dhe i tregon gjithë humor tani këto batuta që jep sa herë e shohin të çuditur për theksin e saj jo të zakonshëm. “I’m Albanian” (jam shqiptare)- është përgjigjja që duhet të japë ndoshta edhe më shumë se një herë në ditë. Veçse tani, që ka arritur të jetë trainieria e parë e ekipit të volejbollit për Akademinë Ushtarake të “West Pointit” dhe vështirësitë e kohëve të para kanë kohë që kanë kaluar, këto përgjigje vetëm sa e argëtojnë. Alma Kovaçi ka mbërritur në Amerikë qysh në vitin ’97 prej bursës së studimit që mori në ‘Temple University’. Rekordet që thyente njëri pas tjetrit në ndeshjet e volejbollit e bënë të mos mbetej në hije. Mbiemri i saj, në grupet e trainierëve që gjithnjë synojnë të rekrutojnë lojtare të mira, po bëhej po aq i lakuar sa ç’ishte dikur, kur luante me ekipin e Dinamos. Por ja që e ardhmja e afërt e saj nuk do të ishte si lojtare. Në moshë fare të re, 23 vjeç, aplikoi dhe fitoi vendin e ndihmëstrainieres në Akademinë “West Point” deri sa, pak vite më parë, do të kryesonte si trainiere e parë. Nuk është e vështirë të dallohet në fytyrën dhe buzëqeshjen e Almës entuziazmi i një pune të tillë, që megjithatë e ka bërë ta lërë pas dore jetën private...

çfarë përfaqëson “West Point”, cili është niveli i rëndësisë së saj, për shqiptarët që nuk është i njohur?
“West Point” është i njohur si një Akademi Ushtarake historike dhe shquhet si një institucion i arsimit të lartë udhëheqës dhe progresiv. Në historinë e USA, krijimi i kësaj akademie daton me Luftën Revolucionare, kur të dyja palët realizuan rëndësinë strategjike në bregun perëndimor të lumit Hudson. George Washington e konsideronte “West Point-in” si gjënë më të rëndësishme të jetën e Amerikës. Për shkak të arsimit të shkëlqyer, të diplomuarit e “West Point-it”, historikisht kanë qenë të njohur për nivele të larta, në poste civile dhe ushtarake të udhëheqjes, duke përfshirë edhe dy presidentët e SHBA, disa ambasadorë, qeveritarët e shtetit, ligjvënësit, gjykatësit, anëtarët e kabinetit, edukatorët, astronautët, inxhinierët dhe drejtuesit e korporatave. Misioni i Akademisë Ushtarake është të edukojë dhe frymëzojë kadetët, në mënyrë që çdo i diplomuar të jetë një udhëheqës i talentuar dhe i angazhuar me vlerat e detyrës, nderit dhe vendit dhe për t’u përgatitur për një karrierë të shkëlqyer profesionale edhe në shërbim të kombit, si një oficer në Shtetet e Bashkuara të Ushtrisë.
Si është e ndërtuar puna, ç’përfshin ritmi i ditës së një trainiereje?
Unë besoj se puna e trainieres është art. Loja e volejbollit në kolegjet e Amerikës, sidomos top 100 ekipet nga 336 në kategorinë e parë janë shumë ekipe të mira. Kam dëgjuar në Shqipëri që thonë se loja në Amerikë nuk është e mirë, por besoj se njerëzit janë të keqinformuar. Ekipi i Kombëtares së Amerikës zuri vendin e dytë në Olympic, ndërsa ekipi i djemve fitoi “Medaljen e Arit” në Olympics. Puna e tranierëve ketu në Amerikë është shumë më ndryshe sesa në Evropë, sepse ne punojmë në kolegje. Liga profesioniste pothuajse nuk ekziston. Së pari, unë si trainiere udhëtoj shumë nëpër klubet sportive dhe ture, që të shoh për lojtare premtuese për “West Point”. Klubet Sportive këtu janë shumë të rregullta dhe lojtaret fillojnë që nga mosha 8 deri në 18 vjeç. Nëpër këto turne marrin pjesë pothuase 1000 lojtare. Sezoni që ne e quajmë rekrutim fillon në fund të janarit, deri në korrik. Kështu, që gjatë këtyre muajve, unë së bashku me stafin tim, udhëtojmë pothuajse gjithë Amerikën. Pas ndeshjeve, takohemi me lojtaret e prindërit e tyre dhe flasim për shkollën tonë, dhe të ardhmen e vajzës së tyre tek “West Point”. Natyrisht që ne tek “West Point” e kemi punën më të vështirë sesa trainierët e tjerë në kolegjet normale. Ne duhet të edukojmë familjet për “West Point”, karrierën në ushtri, por pa u devijuar nga konfliktet e luftës ne Irak dhe Afganistan. Duke pasur këtë punë mbi supe, unë nuk mund ta paraqes veten vetëm si një trainiere volejbolli.
A ka aty rregulla rigoroze që duhet të përmbushësh, pra që e bëjnë dhe jetesën ndryshe nga të profesioneve të tjera?
Si traniere, çdo vit duhet të japësh një provim për NCAA dhe duhet ta kalosh me 80%. Tek “West Point”, çdo gjë është me rregulla. Megjithëse unë nuk jam ushtarake dhe mbaj veshje civile, edhe ato i kam të përcaktuara. Por ka edhe rregulla shumë të bukura. çdo darkë, në orën 6, kur “West Point” ul flamurin amerikan, me një melodi ritmike ushtarake, të gjithë ndalojnë makinat, dalin jashtë tyre dhe rrinë e dëgjojnë; është një ndjenjë shumë e bukur tradite dhe krenarie.
Qoftë kur përmendet, Akademia Ushtarake sikur përmban brenda fuqi, po në fakt a e ndien ndryshe veten aty një femër, për më tepër e huaj?
“West Point” ka 4500 kadetë. Vetëm 16-17% janë vajza. Gjithashtu, edhe profesorët e trainierët janë meshkuj. Kur unë u zgjodha si trainieria e parë e ekipit, në janar të 2007, isha e vetmja trainiere femër në shkollë. Kështu që natyrisht ndihesh në një vend më shumë testosteron, por kjo arsye nuk më ndali të arrija ato rezultate që doja për ekipin. Shume ide të reja që solla në shkollë u mbështetën nga supervizorja ime, Monica Love dhe drejtori i shkollës, Kevin Anderson. Kur mora përsipër ekipin, ne ishim në vendin e 265-të dhe kemi arritur deri në vendin e 68-të, duke fituar Kampionatin e Ligës për herë të parë në historinë e shkollës. Sa për të qenët e huaj, në fillim kur erdha si asistente në 2003, mbaj mend që drejtori i dikurshëm i shkollës nuk donte të më merrte mua dhe ai tregohej i sigurt që duhet të kishte trainierë të tjerë të aftë në Amerikë. Por në fund, fitova unë. Të qenit e huaj nuk e kam marrë në mënyrë personale dhe nuk kam lejuar të më kapë ndjenja e inferioritet. Kam ulur kokën dhe kam punuar. Pasioni për volejbollin dhe punën që kam, më bën të harroj se jam e huaj. Kur flas me mediat, ose familjet e vajzave që dua t’i marr në shkollë, ata dëgjojnë një theks të çuditshëm dhe bëhen konfuzë. U them duke qeshur, që jam shqiptare dhe “West Point” nuk gjeti dot trainiere në Amerikë, nuk kishin nga t’ia mbanin kështu që më zgjodhën mua. Njerëzit qeshin. Një mënyrë për të thyer akullin.
Ju vetë, kur e morët këtë detyrë, ju shkaktonte ankth, frikë si nga çdo gjë e panjohur?
Unë u ngrita në detyrë brenda një dite, isha vetëm 28-vjeç, një nga trainieret më të reja në moshë në kategorinë e parë. Shumë emocione, frikë... Kam pasur dhe vazhdoj të kem shumë trainierë me përvojë që më kanë ndihmuar. Gjëja më e vështirë në fillim ka qenë balancimi i jetës, shumë netë pa gjumë dhe jo shumë jetë pas pune. Ky vit do të jetë viti i 4-t si trainiere e parë, kështu që është bërë më e lehtë. Balancimi i jetës vazhdon të jetë një nga armiqtë e mi.
Ka qenë qellimi juaj i gjithëkohshëm të mbërrini deri këtu apo kështu kanë rrjedhur gjërat?
Faktikisht, unë nuk doja të ikja kaq larg familjes. Synoja të luaja në Itali, Greqi edhe vende të tjera më të afërta, por ja që ngjarjet rrodhën kështu.
ç’synime kishit kur u larguat nga Shqipëria?
Doja të mbaroja shkollën në ‘Temple University’ dhe kisha dëshirë të kthehesha në Tiranë. Qëlloi që rruga të devijonte për mirë, luajta në një Ligë profesioniste për 1 vit dhe pastaj erdha tek “West Point”. Megjithëse fizikisht jam larg volejbollit shqiptar, zemra ime vazhdon të jetë atje. Në 2006-n, megjithëse isha trainiere, kisha nderin nga Kreshnik Tartari dhe profesori im, tani presidenti i Federatës Shqiptare, Leonard Tase, të merrja pjesë si lojtare. Kur dëgjova himnin tonë, u mallëngjeva shumë, më kishte munguar, shpresoj që një ditë të jem e lidhur me ekipet shqiptare si ndihmëstrainiere ose në çfarëdo roli që mund të ndihmoj. Profesor Nardi më merr në telefon, madje ai mund të jetë zemëruar me mua, se nuk i kam kthyer telefonatën e tij të fundit.
Nga përshkrimet dhe entuziazmi me të cilin punoni (ajo çka perceptohet përmes fotove) duket se kjo është më e mira që mund të bënit. Në fakt, kjo është ajo ku donit të arrinit?
Besoj që kam qenë me fat. Fati, pasioni dhe të punuarit fort më kanë sjell deri këtu, sepse kanë qenë shoqërues gjatë gjithë jetës.
Si e shihni të ardhmen?
Të them të drejtën... nuk e di. E dua punën time, e dua “West Point-in” dhe lojtarët e mi, më pëlqen shumë të udhëtoj. Besoj se mund të fokusohem pak më shumë në balancimin ndërmjet punës dhe jetës sime personale. Prindërve dhe motrës po mundohem t’iu bëj dokumentet që të vijnë këtu, tek “West Point” për vizitë. Shkolla më ka dhënë një shtëpi jazhtëzakonisht të madhe, si shpërblim për punën që bëj me kadetët. Por ndërkohë, puna tek “West Point” më mban gjithë kohën të ngarkuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›