E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bakaj: Na shërbyen sfidat me ‘big’-ët



Elis Bakaj, fantazisti
i Dinamos, është
dukur i kënaqur pas përfundimit të periudhës përgatitore në Maribor. Jo thjesht fakti se janë luajtur tre miqësore luksi, por përballja me ekipet më të mira të Evropës duket se i ka forcuar më shumë. Këtë e ka pohuar dhe vetë Bakaj për “Panorama Sport”. “Unë mendoj se skuadrës i ka bërë mirë kjo periudhë përgatitore në Slloveni. Ka ardhur më e përgatitur dhe plotësisht e gatshme për ta përballuar mirë këtë sezon. Pse jo dhe për ta filluar atë me trofe. Të paktën nuk ishim si pjesa tjetër e skuadrave të kampionatit tonë, që luajtën me njëra-tjetrën. Por ne matëm forcat dhe treguam sa kemi mundësi ndaj Palermos, Real Sociedadit dhe Nacional Madeirës. Dhe kjo i ka bërë mirë të gjithë grupit”, ka nënvizuar Bakaj.

Mentaliteti
Në tre ndeshje miqësore të luajtura brenda një jave në Austri e Slloveni, Dinamo ka shënuar 3 gola dhe ka pësuar 8. Madje ka një fakt që ndoshta dhe mund të jetë problem, në dy ndeshjet e para, ndaj Palermos dhe Real Sociedadit, deri në të 80’ dinamovitët kanë qenë me një rezultat të pranueshëm. Nëse me italianët ishin në një disavantazh 0-1 dhe po kërkonin barazimin, me spanjollët ishin në avantazh 2-1. Pikërisht këtu vinte dhe regresi i skuadrës, që nuk do ta dëshironte askush. “Shiko jemi ende me mentalitetin e të luajturit në Kampionatin shqiptar, kur duhet të jemi më profesionist me vetveten. Që do të thotë se në të 80’ e fjetëm mendjen që ndeshjen e fituam dhe nisëm të toleronim duke i thënë njëri-tjetrit që hë se kundërshtari nuk ka për të sulmuar më dhe e humbëm ndeshjen. Por loja luhet deri në fund. Kjo ishte e gjitha. Mendoj se Dinamo ka skuadër dhe jo vetëm formacionin, që në pjesën më të madhe është i konsoliduar dhe tashmë dihet se si është, por dhe stolin e rezervave”. E në ndeshjen e tretë me Nacional Madeirën, Dinamo jo vetëm fitoi, por dhe e dominoi lojën. “Në ndeshjen ndaj portugezëve – shpjegon mesfushori – e vlerësuam më drejt situatën dhe u munduam deri në fund të tregojmë vlerat tona të vërteta. Dhe them se ia arritëm qëllimit”.

Goli
Ndaj portugezëve të Nacional Madeirës, goli jo vetëm që ishte model, por dhe një mënyrë origjinale në ekzeku-tim; goditje këndi, kros i saktë i Bakajt dhe Malakarne me kokë ka shënuar te shtylla e dytë e portës. “Ne kemi kohë – thotë Bakaj – që luajmë bashkë dhe e di me saktësi se ku e do topin Malakarne për të shënuar. E kemi bërë dhe herë të tjera dhe do të kemi dhe më shumë gola në kampionat kështu. Pastaj ne kemi treguar jo vetëm tani, por dhe gjatë sezonit të kaluar se pikën tonë më të fortë kemi goditjet standard”. Dhe Bakaj e mirëpret dhe Duron, por dhe Bylykbashin. “Sa më shumë lojtarë cilësorë, aq më mirë do të jetë për Dinamon”, ka përfunduar mesfushori.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›