E Enjte, 5 Nëntor 2026

Flamurtari, katër fitore në Ligën Unike

Flamurtari në basketboll për femra ka marrë fitoren e katërt në Ligën Unike, Shqipëri – Kosovë, teksa të martën pasdite, në Pallatin e Sportit në Vlorë, ka mundur Prishtinë, 64-57. Një ndeshje që është luajtur mirë nga vajzat e trajnerit Erion Hoxhaj, të cilat kanë kryesuar nga fillimi deri në fund. Perioda e parë është mbyllur në shifrat 20-15 për vendëset, ndërsa në pushim Flamurtari ka shkuar në dhomat e zhveshjes me avantazhin, 31-29. Perioda e tretë ka qenë më e mirë për Flamurtarin, që thellon diferencën e pikëve, e cila në përfundim të 30 minutave ka shënuar shifrat, 50-41.

Dhjetë minutëshi i fundit është administruar mirë nga Flamurtari, kurse Prishtina nuk ka patur forcë për të reaguar. Ndaj dhe në fund, vlonjatet i janë gëzuar fitores, 64-57. Flamurtari renditet në vendin e dytë në përfundim të fazës së parë të Ligës Unike, kurse takimi Penza – Bashkimi i Prizrenit mbyll pjesën e parë të sezonit të këtij kampionati të përbashkët Shqipëri – Kosovë. Ndërkohë vlonjatet të mërkurën në ora 18:00, në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, në takimin që do të vijë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, do të luajnë Superkupën e Shqipërisë ndaj Partizanit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›