Flamurtari merr “flamurin” e Kategorisë së Parë

Flamurtari duket se i ka lënë problemet e së shkuarës dhe është rikthyer një ekip kompakt, që është vështirë t’i mundësh, edhe pse kanë patur edhe ata luhatjet e tyre në fillim sezoni. Ardhja në stol e Marcelo Troisit ka ndryshuar shumë gjëra, gjeti një ekip që kishte humbur identitetin dhe tekniku brazilian duket se e ka kthyer në shinat e duhura. Në 7 ndeshje deri më tani, Troisi numëron 6 fitore e një barazim. Kundër Orikut, kuqezinjtë fituan me shifrat 3-0. Por përveç suksesit në Vlorë janë të kënaqur edhe me atë se çfarë po prodhon skuadra në fushën e lojës. Vendi i parë në kuotën e 17 pikëve është një tregues i qartë se jo më kot ndodhet aty.
Tekniku brazilian ka mundur t’i marrë maksimumin, edhe atyre lojtarëve që kanë një eksperiencë të gjatë në futboll, duke filluar nga portieri Moçka, tre mbrojtësit Bicaj, Gocaj dhe Liçaj, që janë një garanci në prapavijë, mjafton të shohësh golat e pësuar që janë vetëm 4, duke e bërë mbrojtjen më të mirë të kampionatit. Troisi duket se ka insistuar tek pesha e fanellës dhe tek eksperienca e këtyre lojtarëve për të bërë të funksionojnë mekanizmat e skuadrës.