Flamurtari, pas Tiranës është radha e Dinamos?
Vlonjatët janë të vetëdijshëm për forcën e tyre në këtë kampionat dhe tashmë grupi i sezonit të kaluar ka edhe një vit më shumë eksperiencë mbi supe
Sokol Xhihani
Java e dytë e Superligës që do të luhet sot në orën 17.00 (me përjashtim të ndeshjes Vllaznia-Apolonia që do të fillojë në orën 19.00) pritet të dhurojë ecomocione për sportdashësit shqiptarë pasi paraqet sfida shumë interesante. Një nga këto sfida që pritet të jetë interesante dhe e fortë është Flamurtari-Dinamo. Pas fitores të arritur në kryeqytet një javë më parë ndaj Tiranës, kuqezinjtë e Flamurtarit janë më të karikuar se kurrë dhe sot në stadiumin e tyre do të kërkojnë sërish tre pikët ndaj Dinamos së Shkëlqim Muçës.
Skuadra e Eqerem Memushit ka treguar në këtë fillimin kampionati një formë shumë të mirë dhe për më tepër ka edhe lojtarë të rinj por mfajt të talentuar si Zeqiri, Roshi etj, të cilët mund të ndëshkojnë këdo. Sipas të gjitha gjasave trajneri i vlonjatëve Memushi, pritet të konfirmojë të njëjtin 11-ësh që fitoi në Tiranë edhe pse nuk përjashtohet ndonjë surprizë e momentit të fundit. Stadiumi “Flamurtari” pritet të jetë i mbushur plot e përplot në mbështetje të skuadrës së tyre të zemrës, e cila gjatë këtij sezoni pritet ti dhurojë shumë emocione tifozëve kuqezinj.
Por nga ana tjetër edhe blutë e Dimanos, të cilët e startuan sezonin më një fitore 3-1 në Krujë përballë Kastriotit, do të udhëtojnë drejt qytetit bregdetar për të marrë një rezultat pozitiv, ky synohen tre pikët. Dje dinamovitët kanë kryer vetëm një seancë stërvitore në urdhrat e stafit teknik të skuadrës. Në fillim blutë kanë punuar në vrapime dhe punë të ndryshme me topin, ndërkohë që më pas trajneri Muça ka testuar edhe formacionin e mundshëm që mund të zbresë në fushën ndaj Flamurtarit.. Kështu 11-shja e mundshme që do të zbresë në fushë sot ndaj Flamurtarit në Vlorë do të jetë me shumë mundësi e tillë: Kotorri, Putinçanin, Pisha, Malota, Del Monte, Allmuça, G. Muça, Diop, Kuli, Bakaj, Soza. Ndërkohë që në sy ka rënë lënia jashtë formacionit e sulmuesit Sebino Plaku, i cili ka kaluar një gjendje jo të mirë shëndetësore gjatë kësaj jave. Gjithsesi, zgjedhja është tërësisht në dorën e stafit teknik të bluve dhe deri në minutat e fundit përpara ndeshjes gjërat mund të ndryshojnë.
Gjithsesi nga ajo çka kanë dhënë këto dy skuadra në javën e parë, pritet të jetë një sfidë shumë interesante. Vëndasit janë të vetëdijshëm për forcën e tyre në këtë kampionat dhe tashmë grupi i sezonit të kaluar ka edhe një vit më shumë eksperiencë mbi supe por gjithsesi përballë Dinamos së drejtuar nga Shkëlqim Muça (një trajner që di si ti luajë ndeshjet në transfertë) gjithçka mund të pritet.
Kategoria e parë
Partizani, Elbasani dhe Lushnja, nisin sezonin e ri
Përveç Supërligës edhe kategoria e parë paralajmëron rivalitet të madh dhe interes të të gjithëve. Themi kështu, pasi në këtë sezon në kategorinë e parë do të luajnë skuadra me emër, si Partizani, Elbasani, Lushnja etj. Skuadra e kuqe, pavarësisht se mban në vetvete akoma enigma të mëdha, si rezultat i mospagesës së lojtarëve, do të presë në stadiumin “Selman Stermasi” Bilisht Sportin, ndërsa Elbasani po në shtëpi do të luajë me Besëlidhjen e Lezhës. Gjithashtu, në kuadrin e javës së parë të kategorisë së parë, ka edhe ndeshje të tjera interesante, sipas kalendarit më poshtë:
Superliga
Kategoria Superiore
Java 2, 17.00
Tirana-Skënderbeu Jorgji
Laçi-Gramozi Peza
Shkumbini-Besa Janku
Teuta-Kastrioti Jemini
Flamurtari-Dinamo Jareci
Vllaznia-Apolonia * Taullau
*Ora 19.00
Java 1
Dajti-Ada Cjapi
Pogradeci-Turbina * Beqiri
Lushnja-Luftëtari Metohia
Elbasani-Besëlidhja Kello
Memaliaj-Bylis Bogdani
Burreli-Sopoti Batalli
Gramshi-Skrapari Ziri
Partizani-Bilisht Sport Alla
*Luhet në Korçë
Lorik Cana: Dhimbja në dorë nuk më ndalon të luaj
Lorik Cana është i lumtur që po arrin të ndihmojë skuadrën e tij, Sandërlendin edhe pse i detyruar të luajë më dhimbje në dorën e ti, e cila ka pësuar një frakturë. Mësfushori shqiptar, i cili u dëmtua në ndeshjen ndaj Boltonit, është shprehur i gatshëm që të startojë ndeshjen e kësaj fundjavë në Premier Ligë përballë Stok Sitit si titullar edhe pse ndien ende dhimbje në dorë.
“Nuk do të ndaloj së luajturi, - u shpreh 26-vjeçari, i cili është një nga lojtarët më të përfolur për lojën e tij të mirë në Angli në tre javët e para të Premier Ligës, - është një dëmtim në dorë dhe kaq. Nuk është një dëmtim në këmbë, pasi nëse do të ishte diçka e tillë atëherë do të më duhej të ndalesha. Dhimbja harrohet menjëherë sa zbres në fushën e lojës”.
Bogdani, titullar edhe ndaj Lacios
Nesër Kievo e Erjon Bogdanit do të bëjë debutimin në stadiumin e saj “Bentegoti”, përballë romanëve të Lacios. Në javën e parë të Serisë A, veronezët u mundën me rezultatin 1-0 në Torino përballë Juventusit, ndeshje në të cilën sulmuesi shqiptar Erjon Bogdani u aktivizua si titullar. Në sfidën e nesërme ndaj Lacios së Balardinit, Bogu pritet që ta fillojë sërish ndeshjen si titullar në krah të sulmuesit tjetër Serxhio Pelisie, në skemën 4-3-1-2, i mbështur nga fantazisti Pinzi. Sulmuesi i kombëtares duket se tashmë ka besimin e plotë të trajnerit Di Karlo.
Vllaznia
Lika: Duhet të japim maksimumin në çdo ndeshje
Edhe pse Vllaznia e ka nisur sezonin me një humbje 2-0 në Kavajë ndaj Besës, trajneri i shkodranëve Hasan Lika ka theksuar se skuadra do të reagojë por gjithsesi duhet dhënë në çdo ndeshje maksimumi. “Nëse duam të synojmë titullin kampion, - është shprehur trajneri Vllaznisë, - duhet të japim në çdo ndeshje maksimumin”. Sot Vllaznia do të presë në “Loro Boriçi” Apoloninë, e cila e nisi sezonin më një fitore në fushën e vet 2-0 ndaj Teutës. Vllaznia është një nga tre skuadrat që sezonin e kaluar u ka marrë fierakëve 9 pikë të plota në tre ndeshje. Shkodranët kanë fituar respektivisht: 3-1, 2-1 dhe 1-0.
Kuzhe vëzhgon Tirana-Skënderbeu
Pas një turi dy javor vëzhgimi të lojtarëve jashtë vendit dhe disa ditë pushimi në Kroaci, trajneri i kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe është kthyer dje në Tiranë. Menjëherë trajneri kroat pritet të fillojë punën në prag të ndeshjes së 9 shtatorit me Danimarkën, ndërsa sot ai do të jetë në tribunën e stadiumit “Qemal Stafa” për të parë nga afër ndeshjen Tirana-Skëndërbeu”.