Hamdi Salihi, bomberi shqiptar që nuk njeh pengesa
Edhe pse kaloi te Rapidi i Vjenës vetëm para dy javësh, sulmuesi shkodran në debutimin e tij me gol të dielën, ka treguar edhe njëherë se mund të shënojë kudo
Ndeshja e parë, goli i parë dhe idhull i ri i tifozerisë së Rapidit. Kjo është ajo që ka fituar Hamdi Salihi brenda 45 minutash aktivizim në barazimin dramatik 2-2 midis dy skuadrave më të mëdha të Austrisë, Rapidit të Vjenës dhe kampionëve në fuqi, Salzburgut. Mediat austriake, por edhe faqet e forumet në internet i kanë thurur në kor lavde sulmuesi shqiptar, i cili shënoi golin e barazimit në debutimin e tij me “jeshilët” vjenezë. Një sinjal i mirë vetëm tri ditë përpara ndeshjes së Rapidit kundër Hamburgut në Ligën e Europës, teksa në takim ishin edhe dy menaxherë, një nga gjermanët e Hamburgut dhe një tjetër nga italianët e Romës.
“Salihi është në një rrugë të mbarë”, - shkruan gazeta austriake “Kurier”. Në fakt, Salihi është një specialist goli kundër Salzburgut, pasi edhe gjatë këtij sezoni, kur ai ishte pjesë e SV Ried, shënoi golin e vetëm të takimit, në fitoren 1-0 të Riedit, edhe pse kishte hyrë në lojë pasi kishte marrë një “qese” me antibiotikë. Interesant është një fakt: golin e dytë të tij sezonal shkodrani ia kishte shënuar Rapidit (1-1), ndërkohë që të tretin e realizon për fanellën e Rapidit. “Debutim i lumtur i Salihit”, - theksonte “Kurier”. Salihi nuk e fshehu kënaqësinë: “Jam shumë i kënaqur. Por perfekte do të ishte nëse unë vetëm pak minuta përpara përfundimit të takimit do të shënoja golin e dytë”. Trajneri i Rapidit, Peter Pakult, në fakt nuk e hodhi Salihin në fushë nga minuta e parë, për shkak të disa problemeve të lehta të sulmuesit shqiptar. Hamdiu u rikthye në ekip me probleme muskulore nga ndeshje e Shqipërisë me Danimarkën. “Ishim në tehun e thikës nga ana e Salzburgut, pasi kishim lejuar shumë hapësira në fushë, për më tepër që Salihi kishte disa probleme të lehta”, - tha Pakult. Por njeriu që e kërkoi me ngulm ish-lojtarin e SV Ried në kryeqytetin austriak tha për agjencinë austriake të lajmeve, APA: “Me atë në fushë, gjithmonë mund të llogaritësh diçka. Ai ka një “hundë” perfekte për situata të tilla”. Salihi e shënoi golin pikërisht mbi vijën e bardhë të portës. Vetë Salihi u shpreh: “Një 0-2 për Salzburgun ishte me të vërtetë një situatë e vështirë. Por ne treguam karakter dhe mund ta kishim fituar ndeshjen edhe 3-2”. Salihi goditi shtyllën në minutën e 93-të. Hamdi Salihi është një nga sulmuesit më të suksesshëm shqiptarë në kampionatet e ndryshme europiane. Shkodrani e nisi sezonin në mënyrë spektakolare kampionatin austriak, duke shënuar një gol me vlerë trepikësh në fitoren 1-0 të SV Ried kundër kampionëve të Austrisë, Red Bull Salzburg, të vlefshme për javën e dytë të Bundesligës 1. Shkodrani shënoi në minutën e 88-të me kokë, edhe pse ishte i sëmurë. “I sëmuri Salihi rrëzon me kokë kampionët”, ishte titulli në faqen austriake “Laola1.at”. Nëntëdhjetë minuta përpara fillimit të takimit, trajneri i SV Ried, Paul Gludovatz, nuk ishte ende i bindur nëse duhet ta përfshinte lojtarin në 18-en e takimit. Shkak ishin bajamet e Hamdiut ende të acaruara, ndërkohë që gjatë ditës së shtunë Salihi ishte i detyruar të merrte antibiotikë. Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare është “specialist” për të shënuar ndaj ekipeve të mëdha austriake, pas golit të fitores kundër Salzburgut. Salihi shënoi golin e barazimit kundër Rapidit (1-1). Goli i tij i tretë ishte ky me fanellën e Rapidit dhe sërish kundër Salzburgut. Për momentin Salihi renditet i shtati në listën e golashënuesve, kryesojnë dy lojtarë të Lask Linz, Christian Mayrleb dhe Thomas Prager, me nga gjashtë gola. Te Rapidi i Vjenës, shënuesi më i mirë është Steffen Hofmann, me 4 gola.