Çiro Ferrara paralajmëron Del Pieron dhe Interin
Trajneri i Juventusit duket se nuk i ka idetë e qarta vetëm për lojtarët dhe skuadrën e tij, por edhe për sa i përket sfidës në distancë me zikaltërit për titullin kampion
Pas fillimit të shkëlqyer të sezonit, me dy fitore në dy ndeshje, te Juventusi optimizmi është më i lartë se kurrë, edhe pse jo të gjithë duken të kënaqur. Një nga këta është edhe kapiteni dhe simboli i kësaj skuadre, Alesandro del Piero, i cili ka arritur t’i shijojë vetëm nga stoli dy fitoret e shokëve të skuadrës së tij në kampionat ndaj Kievos dhe Romës. Por gjithsesi, simboli i “Zonjës së vjetër” me rifillimin e kampionatit pas pauzës, për shkak të ndeshjeve kombëtare, do të kërkojë një vend titullari, duke parë edhe se ndeshjet do të shtohen me fillimin e Ligës së Kampionëve.
Por për sa i përket aktivizimit të Aleksit, ka ndërhyrë edhe trajneri i ri i bardhezinjve, çiro Ferrara, i cili ka dashur të vërë edhe pikat mbi “i” në njëfarë mënyre. “Alesandro është kapiteni dhe lojtari simbol i kësaj skuadre, - është shprehur për mediat italiane ish-mbrojtësi i Juventusit. - është e qartë se ai nuk është i kënaqur me zgjedhjen time teknike, por kam katër sulmues të nivelit të lartë në skuadër dhe nuk mund t’ia garantoj vendin asnjërit”.
Por trajneri i Juventusit duket se nuk i ka idetë e qarta vetëm për lojtarët dhe skuadrën e tij, por edhe për sa i përket sfidës në distancë me zikaltërit e Interit. “Jemi në të njëjtin nivel? Do ta thotë vetëm fusha, por blerjet tona të kësaj vere janë të një niveli të lartë, - ka vazhduar Ferrara. - Organika e skuadrës është përmirësuar ndjeshëm me sezonin e kaluar dhe për këtë jam shumë i kënaqur. Do të kërkojmë që të bëjmë më mirë se në sezonin e kaluar, edhe pse e dimë se do të jetë e vështirë. Kemi fituar dy ndeshje shumë të vështira, dhe për këtë jemi shumë të lumtur, por duhet të vazhdojmë përpara”.
Bufoni i kundërpërgjigjet Murinjos
“Na kanë hequr dy kampionate, nuk mund të na heqim edhe të drejtën për të shpresuar”. Në fund edhe përgjigjja për Zhose Murinjon ka ardhur. Portieri i Juventusit, Xhianluixhi Bufon, në konferencën e tij të parë për shtyp gjatë grumbullimit me kombëtaren është shprehur: “është mëse e drejtë që tifozët e Juves të ëndërrojnë, por në fund duhet të jemi realistë, sepse do të jetë shumë e vështirë, - është shprehur numri një i portës së Juventusit dhe kombëtares italiane. - çfarë kam menduar kur Murinjo u nxeh me parashikimet e Lipit? Sinqerisht nuk e kam kuptuar se ku deshi të dilte. Mund të them vetëm se dy kampionate na i kanë hequr, por tashmë nuk mund të na heqim të drejtën për të shpresuar”.
Ferrari, dy emra për zëvendësuesin e Masës
Ferrari nuk mund të presë më që kolaudatori Luka Badoer të mësojë të ngasë makinën në garat zyrtare, duke u përqendruar në dy emra që mund ta zëvendësojnë atë që në garën e ardhshme. Bëhet fjalë për Xhiankarlo Fisikelën dhe Robert Kubican. Pas paraqitjes negative të Badoer në dy garat e fundit, Fisikela i ka dërguar Ferrarit disa mesazhe, duke shprehur gatishmërinë e tij për të garuar me kokëkuqen. Nga ana tjetër qëndron pretendenti i ri, Robert Kubica, i cili ka një avantazh ndaj italianit për sa u përket cilësive teknike, sepse e di si përdoret sistemi “Kers”.
Xabi Alonso: Largimi nga Liverpuli ishte i vështirë
Mesfushori i Realit të Madridit, Xabi Alonso, ka folur për largimin e tij nga Liverpuli, skuadër në të cilën qëndroi pesë vjet, duke e konsideruar largimin si të vështirë, mirëpo si diçka që duhej të ndodhte. “Largimi nga Liverpuli ishte një vendim shumë i vështirë për mua. Pas pesë vitesh, mendoj se kam qenë shumë me fat që kam përjetuar mbrëmje të bukura në “Anfield”, - tha mesfushori spanjoll. - Kam përjetuar mbështetjen e tifozëve më të mirë në botë dhe u jam shumë mirënjohës dhe gjithmonë do t’i kem në mendjen time. Verën e kaluar, klubi më propozoi që mund të shitesha për të transferuar lojtarë të rinj, dhe kjo ishte e vështirë për mua. Mirëpo e pranova si një profesionist dhe ai moment ndryshoi mendjen time. Mendoj se nga ai moment ishte koha për një ndryshim”.
Ranieri: Dua ta rikthej Romën te suksesi
Trajneri i porsaemëruar i Romës, Klaudio Ranieri, beson se mund t’i kthejë verdhekuqtë sërish te suksesi. “Në katër vitet e fundit, Luçiano Spaleti ka treguar futboll të shkëlqyer këtu. Roma, Barcelona dhe Arsenali janë skuadrat të cilat e luajnë futbollin më të bukur në Europë. Kjo skuadër ka bërë shumë dhe ka arritur gjëra të mira me Spaletin, - është shprehur ish-trajneri i Juventusit. - çfarë mund të premtoj unë? Do të sjell pragmatizmin tim. Nuk mund të them se do të jetë Roma e njëjtë e Spaletit. Do të jetë ndryshe, por do të jap gjithçka, sepse kam vullnet të madh që të punoj këtu. Do të jap më të mirën nga vetja, që ta kthej këtë skuadër në nivelet e mëparshme”.
US Open
Ana Ivanoviç eliminohet që në raundin e parë
Ana Ivanoviç është eliminua nga “US Open” që në ndeshjen e saj të parë, pasi u mund nga tenistja ukrainase, Katerina Bondarenko, në tre sete me rezultatin 2-6, 6-3, 7-6. Serbja, numri 11 në klasifikimin e përgjithshëm, edhe pse është paraqitur mirë gjatë këtij viti, u largua shumë shpejt, që në raundin e parë gjë, që i ndodh për herë të parë në karrierë. 21-vjeçarja Ivanoviç e filloi mirë ndeshjen, duke fituar bindshëm setin e parë, por në të dytin lëshoi terren, gjë që u shfrytëzua shumë mirë nga Bondarenko, e cila nuk e humbi besimin për asnjë moment. Një debutim bindës në këtë turne ka bërë Maria Sharapova, e cila mundi lehtësisht tenisten bullgare Tsvetana Pironkova, me rezultatin 6-3, 6-0, duke kaluar kështu në raundin e dytë të turneut amerikan.
Meshkuj, Andi Murray e nis mirë
Për meshkuj, britaniku Andi Murray me vështirësi ka arritur të kalojë letonezin Ernests Gulbis, me rezultatin 7-5, 6-3, 7-5 në raundin e parë të “US Open”. Murray, finalisti i vitit të shkuar, ku u mund nga Federer, vuajti në fillimin e ndeshjes, pasi Gulbis u tregua shumë agresiv, megjithatë letonezi nuk arriti të mbante gjatë gjithë lojës këtë ritëm, duke u dorëzuar në setin e tretë.