Flamurtari rikthehet te fitorja në shtëpi, krutanët në tokë
Vlonjatët e kanë zgjidhur mirë ndeshjen, por trajnerit Lutaj si pëlqen loja, ndërsa Ndreu e ka me futbollistët me eksperiencë
Flamurtari Kastrioti 3-1
Flamurtari fiton dhe arrin fitoren e dytë në tri javë, ndërsa Kastrioti shënon humbjen e dytë radhazi. Është pritur me interes ndeshja, ku Flamurtari kthehej në stadiumin e vet dhe me thënë të drejtën në shkallët e stadiumit ka pasur një numër shumë të lartë sportdashësish për të ndjekur këtë takim. Flamurtari shkon tashmë në kuotën e 6 pikëve në dy javë, duke qarë kreun e renditjes pas humbjes në minutën e fundit të ndeshjes së Durrësit dhe tashmë e pret sërish një tjetër sfidë ferri, atë ndaj Tiranës në kryeqytet.
Pjesa e parë Ndeshja është luajtur në temperatura disi të larta për stinën dhe minutat e para janë thjesht për të njohur lojën e kundërshtarit. Një gjuajtje e Plakut dhe një nga Veliu, që përfundon jashtë, janë momentet që mund të thuhen deri në minutën e 30-të, edhe pse në disa momente loja ashpërsohet dhe nuk mungojnë kartonët e verdhë.
Pas minutës së 30-të loja e Flamurtarit ndryshon plotësisht. Fillimisht Veliu jep shkëndijen e parë, ku Hoxha largon në korne. Nga goditja e këndit vjen goli i Rajoviçit për Flamurtarin. Sërish një mbrojtës. Janë minuta ku vlonjatët dominojnë dhe mund të shënojnë sërish. Dhe nuk vonon goli i dytë, ai vjen në minutën e 42-të, kur Veliu ekzekuton saktë një goditje dënimi, topi prek ndoshta edhe një mbrojtës dhe përfundon në rrjetë. Ka reagime të lojtarëve të Kastriotit dhe pankinës, por nuk ndryshon asgjë. 2-0 dhe me këtë rezultat mbyllet pjesa e parë.
Pjesa e dytë Në 45 minutat e dyta Ndreu nis ndryshimet e para në lojë, hyn Sefa, por edhe Xhihani, që mund të përfitojë sapo hyn, por gjuajtja e tij nga larg është jashtë. Rastet nisin dhe shtohen, Brkiç në një moment nuk mund ta shtyjë topin në rrjetë, ndërsa Sakaj vonohet në pasin e fundit brenda zonës.
Por goli i tretë më në fund do të vijë nga një sulmues dhe është pikërisht Hysa që ka realizuar pas tri goditjeve radhazi në portë të Flamurtarit. Pas golit, vlonjatët lëshojnë dhe i besojnë vetëm kundërsulmit, mes të cilit mund edhe të shënonin sërish nga rastet e krijuara. Sefa godet shtyllën, ndërsa Plaku përballë Moçkës nuk shënon.
Minuta e fundit sjell një gol nga ish-futbollisti i Flamurtarit, Plaku, i cili shënon golin e nderit për Kastriotin pas një mosmarrëveshjeje mes mbrojtjes dhe portierit. Përfundimisht, 3-1 për Flamurtarin, që merr kështu fitoren e dytë sezonale, ndërsa krutanët rrëzohen sërish, këtë herë në transfertën e tyre të parë.
Lutaj: I kënaqur nga pikët, jo nga loja
Jam i gëzuar me fitoren, por nuk mendoj se duhet të luajë në këtë mënyrë një ekip si Flamurtari. I kemi dhënë shumë hapësirë kundërshtarit pas golit dhe kjo nuk duhet të ndodhë. Në futboll nuk lejohet që kundërshtarit ti lëshosh milimetrin, ndërsa Flamurtari i ka dhënë metra të tëra Kastriotit. Duhet kuptuar që kur je në avantazh dhe e ke lojën në dorën tënde, nuk mund ta veprosh në këtë mënyrë.
Pa dyshim që jam i kënaqur me fitoren, por kemi ende për të përmirësuar dhe për këtë do të flasim me futbollistët. Shënuan mbrojtësit, por gol sot bëri edhe Hysa që është sulmues. Mbrojtësit na kanë zgjidhur situatën, kjo është e vërtetë, por në të ardhmen do të jenë sulmuesit ata që vendosin fatet e një takimi. Mendoj se kemi ende punë, është një fitore që do të na vlejë.
Ndreu: I zhgënjyer nga lojtarët me përvojë
Një ndeshje shumë e dobët, Kastrioti dështoi. Nuk mund të luajmë në këtë mënyrë, jam krejtësisht i pakënaqur. Kemi në ekip shumë futbollistë që janë cilësorë dhe në një ekip me pretendime dhe këta duhet të kuptojnë që futbolli luhet dhe me lojtarët e tjerë. Nuk jam i kënaqur sot (dje), por unë them se Kastrioti do të rivalizojë fort për Europën dhe besoj se i kemi mundësitë tona.
Sot (dje) nuk kemi zhvilluar një ndeshje të mirë dhe nuk jam i kënaqur, duhet të ndryshojmë për të shkuar te pretendimet tona. Flamurtari ka një ekip të mirë, por është shpejt të flasësh për pretendentët. Do ta analizojmë këtë humbje gjatë javës, që javës tjetër ti rikthehemi fitores, aq më tepër që presim Vllazninë, një tjetër skuadër të fortë dhe pretendente.
Të veçanta
- Ka pasur një debat Lutaj-Ndreu vetëm pas pesë minutash lojë, që është zgjidhur paqësisht. Gjithçka kish të bënte me hyrjen e trajnerit të Kastriotit pranë pankinës së Flamurtarit për të udhëzuar ekipin e tij.
- Të dy ekipet kanë pasur të njëjtin sponsor në fanellën e tyre dhe bluza e bardhë e Kastriotit dukej si fanella e dytë e Flamurtarit.
- Në mesin e pjesës së dytë ka pasur një ndërprerje për tu ardhur në ndihmë lojtarëve të freskohen nga temperaturat e larta.
- Presidenti i Flamurtarit, Gjika, e ka ndjekur takimin së bashku me presidentin e Kastriotit, Djala.
