Tension në Fier, Apolonia dhe Laçi ndajnë nga një pikë
Shënues: Emurllai 57, Rama 62
APOLONIA: Xhelilaj, Mehmetaj (Agastra 58), Ofoyen, Ndoni, Muhaj, Da Silva, Meto, Muçaj, Gërxho, Rama, Ribaj. Trajner: S. Nica.
Kartonë të verdhë: Ofoyen, Meto, Muçaj, Gërço, Rama
Karton i kuq: Nica
LAÇI: Malaj, Doku, Buljan, Milenkoviç, Xhafa, Shazivari, Marashi (Jushi 73), Trajkoviç, Selimi (Zefi 68), Emurllai, Dragiçeviç. Trajner: N. Dede.
Kartonë të verdhë: Emurllai
Gjyqtarë: K. Meta, E. Qirici , D. Rexha (Tiranë)
Radiografia
3- Ndoni, i ndodhur i vetëm përballë Malajt, nuk shënon dot. Është portieri mik që ka grushtuar.
25- Gërxho provon me një gjuajtje nga distanca, por mbi shtyllën traversale të portës kurbinase.
27- Është një aksion i Laçit. Marashi gjuan fort, por ka ndërhyrë Ofoyen dhe korne. Pas ekzekutimit nga këndi, Emurllai shënon në portën e Xhelilajt, por më parë ka pasur një ndërhyrje të parregullt dhe goli është anulluar.
31- Një gjuajtje e kalibruar e Gërxhos, sfera kalon ngjitur me shtyllën traversale.
57- I ndodhur në një pozicion tepër të dyshimtë, Emurllai ka marrë një top nga mesfusha e tij dhe, pasi ka shmangur mbrojtësin Ofoyen, gjuan në vijën e zonës, në krahun e majtë të sulmit të vet, duke e dërguar topin në trekëndëshin e majtë të portës së Xhelilajt. 0-1 për Laçin.
62- Gjuajtja e kapitenit Gërxho është larguar nga mbrojtja mike dhe shkon në këmbët e Ramës, që shkarkon pa mëshirë të djathtën e tij dhe barazim 1-1.
69- Laçiantë rrezikojnë nga një goditje këndi, ku Buljan e Dragiçeviç provojnë njëri pas tjetrit, po është Xhelilaj që bëhet vendimtar.
79- Tragiçeviç gjuan fort në portë, por sfera është përplasur te shoku i skuadrës së tij, Xhafa.
85- Jushi shmang dy futbollistë të Apolonisë nga e djathta e sulmit të vet, futet në zonë, pason tek Emurllai, por kapiteni mik gjuan mbi tra.
Komenti
Apolonia nuk ka shkuar dot më shumë se barazimi në ndeshjen e radhës kundër skuadrës së Laçit, në një takim ku kryesori Meta ka ekzagjeruar me kartonët e panumërt të dhënë kundër fierakëve dhe jo më pak me një gol që, po të shprehemi i dikutueshëm, do të ishte eufemizëm. Ka qenë një përballje që ka dhuruar dy panorama: një pjesë të parë të dobët, pa nerv dhe pa shumë momente për tu fiksuar, dhe një pjesë të dytë me grintë, plot emocione, episode dhe momente të diskutueshme, ku skanë munguar as golat. Duke u ndalur te kronika e takimit, duhet thënë se Apolonia ka qenë një skuadër më kërkuese, e ka synuar më shumë rezultatin dhe është përpjekur për të zotëruar mesfushën. Loja e bardhejeshilëve ka qenë e rrezikshme sidomos në krahun e majtë, ku Rama lëviz mirë, por gjithsesi larg portës mike. Kurbinasit përpiqen të kontrollojnë sulmet e fierakëve dhe të zënë në befasi mbrojtjen kundërshtare përmes kundërsulmeve. Pjesa e parë ka fare pak raste dhe loja është zhvilluar më tepër në mesfushë dhe larg portave respektive. Si Xhelilaj, ashtu dhe Malaj, kanë pasur fare pak punë në këtë fraksion. Për të ardhur në pjesën e dytë, ku loja është futur në të tjera rrjedha. 10 minutat e para janë të qeta dhe skuadrat presin që të gabojë kundërshtari, ndërsa më vonë loja bëhet më interesante dhe me aksione në të dyja portat. Janë laçianët të parët që do ti gëzohen golit, ndonëse, nisur nga këndi i vështrimit tonë, Emurllai ka qenë në pozicion jashtë loje. Gjithsesi, loja ka vazhduar dhe miqtë kalojnë në avantazh. Fierakët protestojnë gjatë, kërkojnë sqarime të gjyqtaria, sa te Meta, aq dhe tek anësori Qirici. Është edhe trajneri Nica që është futur në fushë, por të gjitha këto sjellin kartonë të verdhë për kapitenin Gërxho dhe të kuqin për trajnerin Nica. Pas 4 minutash ndërprerje, ndeshja rifillon, Apolonia ka fituar një goditje këndi, Gërxho tenton portën, mbrojtja mike largon jo me shumë siguri. Topi ka shkuar te Rama, i cili nuk fal, po ka gjuajtur mjeshtërisht në gjysmëlartësi, duke barazuar rezultatin. Pas këtij momenti, loja ka pasur më shumë çaste të bukura, me lojën që zhvendosej sa në njërën portë në tjetrën, ku janë miqtë ata që kanë pasur rastet më të pastra, por pa sjellë ndryshim rezultati. Bilbili i fundit i Metës ka sinjalizuar përfundimin e një ndeshjeje që është karakterizuar nga lufta sportive, që ka pasur në brendi të vet edhe tension dhe që është mbyllur në barazim. Bardhejeshilët janë të pakënaqur, dhe faturën e kësaj pakënaqësie këtë herë e mban gjykimi.
Nica jep dorëheqjen, Byzyka e mohon
Nuk ka dalë në konferencën e shtypit. Megjithatë, i kontaktuar në oborrin e Akademisë së Futbollit në Fier, ku janë edhe dhomat e zhveshjes së ekipeve, i nervozuar, trajneri Nica është shprehur: Nuk kthehem më tek Apolonia! I pyetur nëse ishte kjo një deklaratë për shtyp apo një shprehje dëshpërimi momental, Nica ka thënë: Po, deklarojeni në shtyp, pasi këtu jo vetëm gjyqtarët, por edhe fierakët vetë janë kundër Apolonisë. Më vonë, ka qenë sekretari i klubit fierak, Todian Byzyka, i cili është shprehur se trajneri Nica e ka shprehur diçka të tillë në nervozizëm e sipër, për shkak të barazimit dhe gjykimit të ndeshjes dhe se ai vazhdon të jetë trajner i Apolonisë.
Dede: Patëm mundësi ta fitonim ndeshjen
Jam i kënaqur nga loja e skuadrës. Futbollistët dhanë gjithçka në fushën e lojës, ndonëse shpërdoruan shumë. Ne kishim mundësi, si në pjesën e parë, ashtu dhe në të dytën, që ta mbyllnim ndeshjen. Megjithatë, arritëm të merrnim një pikë. Arma kryesore e skuadrës ishte loja në grup. Gjithsesi, lojtarët e mi ranë në presion shumë shpejt dhe nga kjo erdhi edhe goli i barazimit i fierakëve. Synimi për të ardhmen është ndeshja e radhës, ku do të futemi për të marrë fitoren dhe pikët e plota. Më bëri përshtypje irritimi i tifozëve fierakë, të cilët shanin skuadrën e tyre dhe në momentin e shënimit të golit tonë në portën e Apolonisë ata filluan të hidhnin shishe në fushën e blertë.
TË VEÇANTA
- Në tribunën VIP kanë qenë të pranishëm presidenti Kokëdhima dhe Laska.
- Në pjesën e dytë, Laçi ka ndërruar fanellën, për shkak të ngjashmërisë së pjesshme me fanellën fierake. Në pjesën e dytë, kurbinasit kanë veshur bluza të kaltra, ndërsa në të parën kanë pasur bluza të bardha me vija të zeza.
- Gjyqtari i katërt ka akorduar vetëm 3 minuta shtesë në pjesën e dytë, ndërkohë që vetëm ndërprerja pas golit të Laçit ka qenë 4 minuta.
