E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamurtari shkarkon Mucen pas barazimit me Bylisin

Superliga ka zhvilluar vetëm javën e parë të sezonit 2012-2013, megjithatë kaq duket se ka mjaftuar për të sjellë largimin e trajnerit të parë. Trendi negative në stolat e skuadrave të futbollit ka nisur me shkarkimin nga detyra të Shkëlqim Muçës nga Flamurtari.

Drejtuesit e klubit vlonjat e kanë marrë vendimin për të larguar teknikun Muça gjatë mbrëmjes së të hënës, gjatë një analize urgjente pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë të kampionatit me Bylisin në fushën asnjëanëse të Beratit.

Ishte pikërisht ky rezultat, i cilësuar i pakënaqshëm, por mbi të gjitha loja e dobët e skuadrës, motivacioni zyrtar për shkarkimin e trajnerit. Në fakt, në Vlorë të gjithë presin shumë nga ekipi gjatë këtij sezoni, ku ëndërrojnë të fitojnë titullin kampion për të festuar në mënyrën më të mirë 100-vjetorin e Pavarësisë.

Dhe për ta realizuar këtë investimet kanë qenë mjaft të mëdha, ku mjafton të kujtosh vetëm dy afrimet e sulmuesve Soza dhe Memelli. Sipas burimeve jo-zyrtare, Muça është akuzuar edhe se nuk ka pasur as kontrollin brenda ekipit.

Në këtë mënyrë, përfundon aventura e atij që cilësohet si një prej teknikëve më të mirë shqiptarë te Flamurtari, skuadër në stolin e së cilës u emërua vetëm 8 muaj më parë. Muça ishte kontestuar vazhdimisht nga tifozët, pasi ekipi nuk ka bindur me lojë.

Tashmë Flamurtari do të vazhdojë përgatitjet për ndeshjen e dytë të kampionatit, ku të premten ata do të presin në shtëpi Laçin. Por, të gjithë janë të përqendruar te gjetja e trajnerit të ri, ku sipas informacioneve nga Vlora, ëndrra për stolin është tekniku spanjoll i Tiranës, Hulian Rubio.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›