E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani zyrtarizohet Sallaku

Kanë përfunduar të gjitha enigmat përsa i takon drejtimit të ri që do të marrë Partizani. Ashtu siç është përfolur, tashmë në krye të klubit të kuq do të jetë biznesmeni i njohur në kryeqytet, Lulëzim Sallaku.

Ky i fundit ka blerë 60 për qind të aksioneve të ish-presidentit të “demave”, Albert Xhani, ndërsa me firmosjen e kontratave për shitjen tashmë gjithçka është zyrtare.

Ndryshimi i pronësisë ka ardhur për vlerën e 1.7 milionë eurove, ndërsa tashmë Sallaku është presidenti i ri dhe administrator i Partizanit. Këtë rol ai e ka pasur edhe gjatë këtyre ditëve, pra gjatë negociatave për blerjen e aksioneve, me një autorizim të ish-drejtuesit të klubit, Xhani.

Sallaku vjen në krye të skuadrës më popullore në Shqipëri si përfaqësues i një grupi prej pesë biznesmenësh që do të investojnë te të kuqtë, për t’i rikthyer ekipit lavdinë e dikurshme.

Sallku nuk është i panjohur në ambientin e Partizanit, pasi më parë ai ka qenë pjesë e bordit drejtues me 10 për qind të aksioneve, të cilat më pas ia ka kthyer Xhanit në periudhën e përplasjeve ndërmjet ish-presidentit me aksionarin tjetër, Paro Laçi.

Sallaku nuk e ka fshehur planin që 60 për qindëshi i aksioneve të jetë i të gjithëve dhe jo vetëm i grupit që përfaqëson, ku gjithkush qoftë ky biznesmen apo tifoz i thjeshtë mund të blejë aksione.

Me kalimin e pronësisë së pjesës më të madhe të aksioneve të klubit nga Xhani te Sallaku tashmë pritet të mësohet edhe çfarë do të ndodhë me skuadrën. Më parë presidenti i ri ka pohuar se mund të ruhet skuadra e krijuar nga aksioneri Laçi, në rast se ajo është pretendente për t’u ngjitur në Superligë, ndërsa ndryshimi i parë mund të nisë nga stoli.

Në këtë mënyrë, drejtuesit e rinj kanë në plan t’ia besojnë ekipin trajnerit Shahin Berberi, duke larguar teknikun aktual Nikolin Çoçlli, ndërsa në stafin teknik mund të jetë edhe ish-portieri i njohur Blendi Nallbani. Gjithsesi, çdo gjë pritet të zyrtarizohet në ditët në vazhdim.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›