E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sioni negociata me del Pieron

Karriera futbollistike e Alesandro Del Pieros mund të vazhdojë te Sioni i Xhenaro Gatuzos. Negociata, e cila është përgënjeshtruar gjatë gjithë verës nga presidenti i klubit zviceran, Konstantin, u rikthyer në qendër të vëmendjes.

Kjo pasi drejtuesit e klubit helvet kanë udhëtuar drejt Torinos për t’u takuar me vëllain-menaxher të ish-kapitenit legjendar të Juventusit, për të diskutuar rreth detajeve të kontratës.

Në realizimin e suksesshëm të kësaj marrëveshje, një rol vendimtar mund të ketë edhe Gatuzo, i cili mund të bindë ish-shokun e skuadrës në përfaqësuesen italiane ti bashkohet Sionit.

Takimi është zhvilluar në zyrat e menaxherit të Del Pieros, ndërsa besohet se palët janë fare pranë arritjes së akordit. Ëndrra e drejtorit sportiv të Sionit, Dexhenaro për të parë në të njëjtën skuadër Gatuzon dhe Del Pieron mund të bëhet realitet në harkun e pak orëve.

Bisedimet kanë qenë pozitive dhe palët kanë kërkuar 48 orë përpara se të marrin një vendim. Në anën tjetër, sulmuesi 37-vjeçar ka marrë garanci për seriozitetin e klubit zviceran dhe për faktin se projekti është mjaft ambicioz.

Oferta e Sionit parashikon një kontratë 2-vjeçare për Alesandro Del Pieron, si një mënyrë për të fituar garën me ofertat e ndryshme që sulmuesi ka marrë nga SHBA-ja, Kanadaja, Tailanda, Kina, Brazili, argjentina apo Emiratet e Bashkuara Arabae.

Pas 19 vjetësh të kaluara te Juventusi, Del Piero pritet të ndryshojë ekip dhe Zvicra duket një destinacion i mirë, ndërsa pritet të mësohet edhe me çfarë numri në fanellë do të luajë “Pinturikio”, pasi 10-ën te Sioni e ka Ousama Darragi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›