E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamurtari vazhdon njëjtë

Udhëheqësit e Flamurtarit kanë vendosur ta vazhdojnë punën me forca të njëjta. Pas këtij vendimi, mbetet e paqartë nëse do të kyçen në ‘Xhemajl Ibishi’ tre biznesmenë, të cilët kishin shprehur gatishmërinë për ta ndihmuar klubin kuq e zi. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 24 qershor 2011 në ora 13:45

Edhe pse e humbi statusin e anëtarit të Superligës, Flamurtari me forca të njëjta do të mundohet të rikthehet në elitë, pas një viti që do të garojë në Ligën e parë. Në fakt, kryesia e deritanishme e Flamurtarit të mërkurën mbrëma e ka mbajtur një mbledhje, në të cilën ka vendosur që ta vazhdojë punën në ‘Xhemajl Ibishi’.

“Kryesia e klubit, në përbërje të plotë, e ka mbajtur një mbledhje dhe me këtë rast ka konstatuar se nuk ka asnjë luhatje për vazhdimin e udhëheqjes se klubit nga kjo kryesi.
Futboll luhet edhe në Ligen e Parë dhe ne do të luajmë me bindje të plotë se që në vitin tjetër Flamurtari do të rikthehet aty ku ka qenë më shumë se 40 vjet dhe aty ku e ka vendin”, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga Flamurtari, në të cilën paralajmërohet një organizim i ri në ‘Xhemajl Ibishi’.

“I falënderojmë të gjithë dashamirët e klubit që kanë shprehur gatishmëri për ta ndihmuar dhe për ta përkrahur klubin në të ardhmen, dhe me këtë na kanë dhënë kurajo për të vazhduar me energji edhe më të madhe se deri tash”,, theksohet në këtë kumtesë, nëpërmjet të cilës kuqezinjtë u bëjnë thirrje tifozëve të tyre që t’i mbesin besnik klubit të tyre të zemrës.

Ndërkohë, pas këtij vendimi ende mbetet e paqartë se a do të hyjnë në Flamurtarë tre biznesmenë kosovarë, të cilët kishin shprehur gatishmërinë që ta ndihmojnë ekipin prishtinas në rrugë drejt rikthimit në Superligë.

“Ne e çmojmë kontributin e kryesisë aktuale të Flamurtarit. Kanë bërë shumë për klubin, por ata tashmë janë lodhur duke derdhur para dhe do të lodhen akoma më shumë, sepse në futbollin kosovar nuk e fiton asnjë cent, ndërsa shpenzon shumë”, tha Ismet Munishi, i cili e kishte iniciuar inkuadrimin e tre biznesmenëve në Flamurtar.

“Qëllimi ka qenë që ata donatorë bashkërisht me kryesinë e Flamurtarit ta ndihmojnë klubin me histori në Kosovë që të rikthehet në Superligë. Ky ka qenë qëllimi. Qëllimet janë të pastra dhe mbetet të shihet se çfarë do të ndodh”, përfundoi Munishi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›