E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mirë po thonë

Për udhëheqësit e futbollit kosovar, edicioni 2010/2011 ishte më i miri në periudhën e pasluftës. Sipas tyre, rënia e shikueshmërisë është ‘behanja’ e vetme e kampionatit të porsapërfunduar. E për këtë rënie, ata i fajësuan zyrtarët e klubeve të cilët flisnin shumë për kurdisje pa pasur fakte. Megjithatë, krerët e FFK-së thonë se janë në rrugë të mirë drejt inkuadrimit në FIFA e UEFA. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 24 qershor 2011 në ora 14:00

Kampionati i porsapërfunduar është vlerësuar si më i miri në Kosovën e pasluftës nga ana e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv (KE) të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), edhe pse njohësit e futbollit kosovar edicionin 2010/2011 e kishin konsideruar si më të dobëtin, në çdo aspekt, në 12 vitet e fundit.

Ky organ i shtëpisë së futbollit kosovar e ka nxjerrë këtë vlerësim në bazë të një hulumtimi të detajuar që ka bërë. “Nuk po themi që ka qenë kampionati më i mirë vetëm pse ne jemi anëtarë të KE të FFK-së. Por, shifrat flasin që ishte kampionati më i rregullt në Kosovën e pasluftës”, ka thënë të enjten nënkryetari i FFK-së, Bekim Haxhiu, në një konferencë për media, në të cilën prezent ishin edhe anëtarët e tjerë të këtij organi, me përjashtim të kryetarit, Fadil Vokrrit.

“Nuk themi që jemi të kënaqur, sepse ka ende punë për t’u bërë, sepse FFK-ja ka dëshirë që futbollin ta sheh secilën herë duke përparuar më shumë”, shtoi ai.

Sipas udhëheqësve të FFK-së, derisa Kosova nuk anëtarësohet në FIFA e UEFA, është e pamundur që në futbollin kosovar të bëhen ndryshime të theksueshme.

Megjithatë, ata mburren me punën që kanë bërë deri më tani, pasi, sipas tyre, futbolli kosovar secilin vit po përparon.

Nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi, tregoi se gjatë edicionit 2010/2011 shtëpia e futbollit kosovar kishte organizuar 1185 ndeshje. 398 prej tyre kishin pasur organizim të cilësisë së lartë, 513 janë organizuar mesatarisht - pa ndonjë vërejtje, ndërsa 58 ndeshje me lëshime, por pa ndikim në rezultat. Ndërsa, 49 tjera ishin të organizuara me lëshime të theksuara.

Ademi përmendi se futbolli kosovar është pasuruar edhe me kampionatin e femrave, derisa kontribut të çmueshëm po jep edhe futsalli mirë i organizuar. Sipas tij, futbollistët kosovarë janë edukuar pasi më pak janë ndëshkuar, derisa kujtoi se është bërë një punë e mirë edhe me gjeneratat e reja. Ai kujtoi se edhe shumë trajnerëve kosovarë u është mundësuar të pajisen me licenca të FIFA-s e UEFA-s. Një arritje tjetër të madhe që përmendi Ademi ishte edhe njohja e kartonëve të futbollistëve kosovarë nga FIFA.

E nëse ky ishte viti më i suksesshëm për futbollin kosovar në periudhën e pasluftës, atëherë pse shikueshmëria ishte më e vogël për dallim prej edicionit 2009/2010? Kësaj pyetjeje bashkërisht iu përgjigjën dy nënkryetarët e FFK-së, Agim Ademi e Bekim Haxhiu.

“Kemi pasur pak rënie të shikueshmërisë. Sigurisht se ky fakt na brengos. Këtu më së shumti kanë ndikuar njerëzit të cilët pa pasur fakte dilnin nëpër media dhe flisnin për kurdisje të rezultateve, duke i larguar kështu shikuesit nga tribunat”, tha Ademi, për të vazhduar më pas Haxhiu: “Nuk bëhet fjalë për rënie të madhe, sepse ndeshja e fundit e edicionit 2009/2010 mes Trepçës e Besës, kur Trepça kishte fituar titullin, kishte rritur mesataren e shikueshmërisë”.

Mesatarja e shikueshmërisë në Superligë për një ndeshje ishte 1151, ndërsa në Ligën e Parë 649.

Krerët e FFK-së përsëritën se vazhdimisht ndiheshin të shqetësuar me atë që përflitej shumë rreth kurdisjeve të rezultateve. Ata bënë me dije se nga sezoni i ri askush nuk do të guxojë të flasë për kurdisje pa pasur fakte. “Ne nuk ua ndalojmë të flasin për kurdisje. Por, nuk duhet të flitet pa pasur fakte sepse kështu dëmtohet imazhi i futbollit tonë. Ne kemi bërë kërkesë zyrtare në organet e hetuesisë që t’i hetojnë rastet kur flitet për kurdisje”, u shpreh Ademi.

Sipas tij, edhe kritikat e shumta ndaj referëve ishin të pabaza. Ai kujtoi se gjyqtarët janë përcaktuar për t’i referuar ndeshjet nëpërmjet shortit, i cili tërhiqej drejtpërdrejt në një televizion.

Edicioni 2011/12 nis më 13 gusht

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, në mbledhjen e vet të fundit për edicionin 2010/2011 të mbajtur të enjten, ka vendosur që edicioni i ri të nisë më 13 gusht me ndeshjen për Superkupën e Kosovës mes kampionit Hysit dhe fituesit të Kupës, Besës.

Kurse, xhiroja e parë e kampionatit të ri zhvillohet më 20 gusht. Krerët e FFK-së kanë paralajmëruar se klubet do të hasin në kritere më të forta sesa viteve të kaluara për t’i licencuar stadiumet e tyre, të cilat janë në gjendje të rëndë infrastrukturore.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›