Flash: Holanda fiton me Bullgarinë

"Tulipanët" fituan bindshëm me Bullgarinë, në "Amsterdam Arena", një nga rivalët kryesorë për dy vendet e para, dhe kreu rokadën me skuadrën bullgare, teksa është dy pikë më shumë, edhe pse ka një ndeshje më pak. Në fakt, fitorja mund të quhet "ala Real Madrid", pasi ishin dy lojtarët e klubit madrilen që vendosën edhe rezultatin. Uesli Shnajder konfirmoi formën e tij të jashtëzakonshme kur realizoi një gol madhështor me goditje standarde, duke i dhuruar avantazhin "tulipanëve" në minutën e 23-të. Në pjesën e dytë erdhi radha e Rud Van Nistelroit të dyfishojë rezultatin, me një tjetër gol të zgjuar në minutën e 58-të, pas harkimit të Rajan Babel.
* * *
Rumania hodhi një hap të rëndësishëm drejt finaleve të Euro 2008, kur ruajti kryesimin e grupit pas fitores së arritur në transfertë me Bjellorusinë (1-3). Adrian Mutu (16') kaloi në avantazh skuadrën e tij, përpara se Romashenko (21') të barazonte rezultatin. Në të 41', Dika shënoi golin e dytë. Goleadën rumune e mbylli sërish Mutu (77'), i cili realizoi nga pika e bardhë. Rumania, që nuk ka humbur asnjë nga tetë takimet e zhvilluara, ndodhet në kuotën e 20 pikëve.
* * *
Sllovenia arriti një fitore të pastër 3-0 në Luksemburg (tetë humbje në po kaq ndeshje). Pjesa e parë u mbyll 2-0 me golat e Lavric (7') dhe Novakic (37'). Dy minuta pas fillimit të pjesë së dytë, Lavric (47') trefishoi rezultatin. Sllovenia u ngjit në kuotën e 7 pikëve dhe u barazua me pikë me Bjellorusinë.
* * *
Në ndeshjet e tjera, për grupin E, Anglia konfirmoi potencën e saj me fitoren 3-0 ndaj rivalit direkt, Izraelit, dhe me të njëjtin rezultat fitoi edhe Rusia me Maqedoninë. Për Anglinë shënoi fillimsht Majkëll Ouen, për t'u pasuar nga Ricards, ndërkohë që Rajt-Filips konfirmoi fitoren bindëse me Izraelin duke shënuar edhe fitoren e tretë rresht. Kroacia fitoi me Estoninë.
Surprizë ishte barazimi 2-2 i Maltës me Turqinë në Grupin C. Hungaria fitoi me Bosnjën 1-0.
Në Grupin B, Skocia mposhti Lituaninë 3-1, ndërsa Gjeorgjia ndali në shtëpi Ukrainën, 1-1, duke e djegur përfundimisht ëndrrat e Shevcenkos me shokë për të marrë pjesë në finalet e Euro 2008.
VIDEO NGA NDESHJET E RAUNDIT TE 9