Flash: Shi milionash nga logot e bluzave

Klubet gjermane po përjetojnë një fluks të madh fitimi nga sponsorizimi i kompanive të mëdha, të cilat vendosin logot e tyre në bluzat e lojtarëve të skuadrave të Bundesligës. Shuma e sponsorizuar shënon një rekord: 122,7 milionë euro shkuan në arkat e 18 klubet të elitës së futbollit gjerman, e cila përbën 15 milionë euro më shumë se ato të derdhura në vitin 2006, ku u arkëtuan 107,4 milionë euro. Bajerni i Munihut, një nga klubet më të njohura gjermane, përfiton cdo vit 20 milionë euro nga marrëveshja e sponsorizimit me kompaninë e telekomunikacionit "T-Com". Një shumë të lakmueshme arkëton edhe Shalke 04 nga marrëveshja me gjigantin rus "Gazprom", me të cilën ka nënshkruar një kontratë 5,5-vjecare në shumën totale prej 125 milionë euro.
Edhe Volfsburgu përfiton një shumë prej 20 milionë eurosh nga koncerni i automobilave "Volkswagen". Borusia e Dortmundit përfiton 12 milionë euro nga koncerni industrial "RAG", ndërkohë që Verder Bremen arkëton 9,5 milionë euro nga "Citibank". Kampionia e Gjermanisë, Shtutgardi do të përfitojnë nga koncerni energjitik "EnWB" afërisisht 6,5 milionë euro. Karslruhe, ku aktivizohet edhe shqiptari Edmond Kapllani do të përfitojë nga 1.5 milionë euro nga "KiK", Bokumi (2.5 milionë euro) dhe Hansa Rostok (2 milionë euro).
Bosi rrezikon burgun
Pronari i Mancester Sitit, Taksin Shinavatra dhe gruaja e tij duhen të paraqiten në një gjykatë tajlandeze, më 14 gusht. Nëntë gjyqtarë të Gjykatës Supreme kanë hapur ndaj tij një proces për korrupsion. Ish-kryeministri akuzohet se ka përdorur fonde publike për qëllime personale duke përfituar shuma të jashtëzakonshme. Taksin rrezikon të dënohet me 10 vjet burg. Shinavatra jeton së bashku me gruan e tij në Angli.
"Kalcopoli", 37 veta në gjyq
Luciano Moxhi dhe 36 personazhe të tjerë të futbollit italian do të gjykohen në skandalin e futbollit italian të njohur si "Calciopoli". Prokurorët Filipo Beatrice e Xhuzepe Narduci bënë publike listën e personave që do të gjykohen për ndeshjet e trukuara në kampionatin italian. Sipas prokurorëve nga Napoli janë 29 ndeshje të kampionatit të Serisë A, sezoni 2004-2005 për të cilat rezultati ka qenë i paravendosur, dhe një e Serisë B.
Ultrasit djegin klubin
Rreth 500 tifozë të Iraklisit u treguan të pamëshirshëm kundër skuadrës të zëmrës së tyre duke djegur zyrat e klubit selanikas. Një akt i paprecedent në Greqi. Ultrasit ishin duke ndjekur stërvitjen e skuadrës në kompleksin e Mikras, aty ku ndodhen edhe zyrat e klubit, e më pas iu vunë zjarrin atyre. Me Iraklisin sezonin e kaluar luajtën edhe shqiptarët Indrit Fortuzi, Andi Lila, Elvis Kraja dhe më parë kanë luajtur edhe Edvin Murati e Altin Haxhi.
Reali i rrëmben Saviolën Barcës
Pas blerjeve të Metzelderit dhe Pepes për në repartin e mbrojtjes, sulmuesi argjentinas Saviola është lojtari i ri i Realit të Madridit. Për ta dhënë lajmin ishte vetë trajneri i ri i të "Bardhëve", Bernd Shuster, gjatë një programi të radios "Punto". "Saviola di të bëjë gol, është i ri dhe mund të japë shumë"- shpjegoi trajneri gjerman, i cili insistoi për rekrutimin e ish-lojtarit të Barcelonës. Reali i Madridit nënshkroi një kontrate pesëvjecare me mbrojtësin e skuadrës së Portos, Pepe. Braziliani 24-vjecar arriti në "Santiago Bernabeu" për shumën prej 30 milionë eurosh. Pepe në dy edicionet e fundit ka luajtur për kampionet e Portugalisë, Porto.