Mustafa: Zgjidhjet duhet kërkuar përmes institucioneve, jo rrugës
Edhe pse vlerëson se është e drejtë e secilit që të protestojë, Mustafa ka thënë se për LDK-në të gjitha kërkesat që kanë kaluar përmes Kuvendit të Kosovës duhet të realizohen në mënyrë institucionale dhe përgjigjja nga qeveria duhet kërkuar brenda Kuvendit të Kosovës.
“Nuk shohim arsye që gjërat që mund të zgjidhën në mënyrë institucionale të bartën në rrugë, përkundër asaj që është e drejtë e çdo subjekti të protestojë apo të shprehë mos pajtimin apo vullnetin edhe në formë tjera, por ne jemi për atë që këto gjëra të zgjidhen përmes institucioneve”, ka thënë ai, siç transmeton Kosovapress.
Por, i pari i LDK-së nuk deshi të komentojë rreth asaj se a ka pas dhunë dje në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë dhe kush ishte nxitësi i dhunës.
Me vlerësimet e tij në këtë rast Isa Mustafa një formë ka mbrojtur veprimet e Qeverisë së drejtuar nga Hashim Thaçi.
"Nuk ka lënë dukje të mirë çfarë kemi parë në terren, por natyrisht gjithmonë duhet të kemi parasysh se në qoftë se gjërat dalin jashtë institucioneve mund të pritet se do të kemi probleme, të cilat më nuk dëshirojmë t’i shohim nëpër rrugët tona dhe në ekranet tona”, ka thënë ai.
Ndër të tjera, kreu i LDK-së, Isa Mustafa theksoi se vendimi i Kuvendit të Kosovës për reciprocitet duhet të zbatohet dhe për këtë duhet të raportojnë në një seancë edhe ministrat e Qeverisë së Kosovës se në çfarë shkalle është bërë implementimi.