E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flasin me Vetëvendosjen

Zëvendësndihmëssekretari amerikan i shtetit, Thomas Countryman dhe ambasadori Christopher Dell kanë takuar drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin dhe Visar Imerin. Takimi është realizuar me ndërmjetësim për shkak të mungesës së komunikimit mes palëve. Nga Shpend Limoni më 13 shkurt 2011 në ora 10:14

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur kontakte me Lëvizjen Vetëvendosje.

Dy diplomatët amerikanë, zëvendësndihmëssekretari amerikan i shtetit, Thomas Countryman, i cili të premten ka qëndruar në Prishtinë, dhe ambasadori Christopher Dell kanë takuar krerët e kësaj Lëvizjeje, Albin Kurtin dhe Visar Imerin.

Express ka mësuar se takimi është realizuar me ndërmjetësim, për shkak të mungesës së kontakteve mes dy palëve.

Ambasadori Dell gjatë fushatës së fundit zgjedhore kishte bërë komente refuzuese për Lëvizjen Vetëvendosje.

Dell, gjatë një takimi me drejtues të Partisë Fryma e Re, që është parë si përkrahje për këtë subjekt politik në garën zgjedhore, kishte hedhur poshtë mundësinë e takimit me përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje.

Por, kjo nuk është arsyeja e vetme që Ambasada amerikane dhe Lëvizja Vetëvendosje janë ekskomunikuar mes vete. Vetëvendosje është kundërshtare pothuaj e të gjitha proceseve që përkrahen fuqishëm nga Ambasada e SHBA’ve në Prishtinë.

Kjo ka mjaftuar që Ambasada e SHBA’së në Prishtinë të mos trokas në dyert e Vetëvendosjes.

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë forca e tretë politike nga zgjedhjet e fundit dhe pikërisht për këtë ata tani trajtohen ndryshe edhe nga faktori ndërkombëtar.

Në Lëvizjen Vetëvendosje të shtunën kanë refuzuar të japin komente rreth takimit.

Zëdhënësi i këtij subjekti, Erzen Vraniqi ka thënë për gazetën se krerët e Vetëvendosjes kanë vendosur që të mos flasin për mediat rreth takimit me amerikanët për shkak të “sensitivitetit” të çështjes si dhe për faktin se ky është edhe takimi i parë për të cilin Vetëvendosje zyrtarisht ka njoftuar

Zyrtari i lartë i kësaj partie, Glauk Konjufca ka thënë për gazetën se nuk di hollësi për takimin pasi që nuk ka marrë pjesë.

Sido që të jetë për takimin ka njoftuar Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për media.

“Albin Kurti dhe Visar Ymeri nga Lëvizja VETËVENDOSJE! janë takuar mbrëmë me zyrtarin e lartë të Departamentit të Shtetit të ShBA-së, Thomas Countryman, si dhe me ambasadorin amerikan në Kosovë, Christopher Dell”, thuhet në komunikatë.

Sipas “Vetëvendosjes”, tema kryesore që është diskutuar në këtë takim ka qenë çështja e bisedimeve të ardhshme me Serbinë, të cilat kjo lëvizje i kundërshton.

“Në këtë takim u diskutua për zhvillimet politike në Kosovë, por edhe rreth Kosovës, me përqendrim të veçantë në negociatat e reja që po përgatiten të ndodhin mes Kosovës dhe Serbisë. Qëllimi i takimit ishte më shumë informues, ku secila palë i shfaqi pikëpamjet dhe bindjet e veta për problemet politike që i ka Kosova dhe zgjidhjet për to”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

“Përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! u treguan zyrtarëve amerikanë për qëndrimet e programin e VETËVENDOSJE-s, si dhe për arsyet pse i konsiderojmë negociatat me Serbinë të padrejta, asimetrike dhe të rrezikshme për Kosovën”, thuhet tutje në komunikatë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›