E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veturat Z

Tash e tutje veturat zyrtare do të dallojnë shumë prej veturave civile. Çdo veturë zyrtare në targat e saj do ta ketë shkronjën Z e cila simbolizon termin zyrtar. Pajisja me këto targa ka filluar në momentin që kur ka filluar dhënia e targave të reja për qytetarët e Kosovës Nga Nexhmije Ahmeti më 13 shkurt 2011 në ora 10:11

Targat me regjistrim KS nuk do të shihen më as nëpër veturat zyrtare të institucioneve të Kosovës. Me targa të reja janë pajisur edhe veturat zyrtare të Presidencës, Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, Policia, Shërbimi Doganor, etj. Ato dallojnë shumë me ato të veturave civile. Targat zyrtare nuk do të fillojnë me tre numra e pastaj me shkronja, por fillojnë me një numër dhe me shkronjën Z, që nënkupton se janë zyrtare. Sikurse targat për vetura civile, edhe targat për automjete zyrtare dallojnë për nga kodi.
Me kodin 1Z fillojnë targat e veturave të Presidencës, të Kuvendit me 2Z, ndërsa ato të Qeverisë me kodin 3Z.

Sipas udhëzimit administrativ 14/2009 që ka lëshuar Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me regjistrimin e automjeteve, targat horizontale për automjetet e
institucioneve qendrore dhe lokale janë të përshkruara sipas specifikave. Për Presidencën e Kosovës, në pjesën e parë vertikale të targës, vendosen shkronjat e Republikës së Kosovës RKS, Kodi 1Z, në tekstin e mëtejmë shkronja Z që simbolizon termin zyrtar, stema horizontale dhe numri 01. Për Kuvendin e Kosovës në pjesën e parë vertikale të targës vendosen shkronjat RKS, kodi 2Z, stema shtetërore dhe numri treshifror,
viza horizontale dhe numri 02. Për veturat zyrtare të Qeverisë së Kosovës, në pjesën e parë vertikale të targës, vendosen shkronjat RKS, kodi 3Z, stema shtetërore, numri treshifror, viza horizontale dhe dy numrat kombinues të cilët ndahen sipas ministrive.

Targa të reja janë bërë edhe për vetura zyrtare të nivelit lokal, por që ato do t’i jepen vetëm kryetarëve të komunave. Veturat zyrtare mund t’i mbajnë targat e vjetra deri në momentin kur t’iu skadojë afati i regjistrimit. “Ato vetura që kanë regjistrim mund të vazhdojnë të qarkullojnë me to, ndërsa në momentin e regjistrimit të ri do të pajisen me targat e reja të Republikës së Kosovës”, tha Fisnik Rexhepi, këshilltar i ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.

Me targa të reja të Kosovës është pajisur edhe Policia. Këto vetura nuk do të kenë më targat qysh i kanë pasur deri më tani. Në targat e Policisë përveç shkronjave RKS në pjesën tjetër të targës shkruan POLICE. Edhe këto targa ndahen në numra kombinues në bazë të drejtorive. Por, jo të gjitha veturat e Policisë janë pajisur me targa të reja. Zëdhënësi Baki Kelani tha se regjistrimi i automjeteve të Policisë shkon gradualisht. “Në momentin që i skadon regjistrimi i fundit, vetura duhet të pajiset me targa të reja. Andaj edhe veturat e Policisë në momentin e regjistrimit do t’i marrin targat e reja”, tha Kelani për Express. Njëjtë si Policia targa të reja do të kenë edhe Shërbimi Doganor. Përndryshe dhënia e targave të reja të Kosovës ka filluar në dhjetor të vitit të kaluar, ndërkohë që në qarkullim janë edhe ato të vjetrat me regjistrim KS.
Edhe targat zyrtare janë të ndara sipas dikastereve përkatëse për Qeverinë dhe sipas rajoneve për Policinë. Përveç kodit 3Z, veturat zyrtare të Qeverisë janë të ndara edhe me numra. Për zyrën e kryeministrit dy numrat janë 01, për Ministrinë e Punëve të Brendshme 02, për Ministrinë e Punëve të Jashtme 03, Ministria e Forcës së
Sigurisë 04, Ministria e Drejtësisë 05, Ministria e Ekonomisë dhe Financave 06, Ministria e Shërbimeve Publike 07, Ministria e Transportit 08, Ministria e Arsimit 09, Ministria e Energjisë dhe Minierave 10, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale 11,
Ministria e Shëndetësisë 12, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor 13, Ministria e Pushtetit Lokal 14 dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë 15. Njëjtë janë ndarë edhe targat zyrtare të Policisë. Kështu që Drejtoria e Përgjithshme e Policisë do ta ketë kodin 01, Policia Kufitare 02, Drejtoria Rajonale e Prishtinës 03, ajo e Mitrovicës 04 dhe e Pejës 05.
Veturat e Presidencës i kanë targat 1Z, ato të Kuvendit 2Z, ndërsa ato të Qeverisë me kodin 3Z.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›