E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flasin për reformat

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, pas takimit që pati me Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh Kryeministër i vendit, Hashim Thaçi, është takuar edhe me Kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ku është biseduar për zhvillimet e fundit dhe proceset që po kalon Kosova.

Po ashtu, është biseduar edhe për mundësinë e bashkëpunimit ndërpartiak në të mirë të qytetarëve të vendit.

Pas takimit, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se kanë biseduar për çështje aktuale të cilat e rëndojnë situatën e qeverisjen në Kosovë.

“Biseduam po ashtu për çështjet aktuale, të cilat e rëndojnë sot situatën e qeverisjes në Kosovë, reformave të cilat ne duhet t’i zhvillojmë në Kosovë, të integrimeve evropiane në të cilat ne do të punojmë bashkërisht dhe çështje të tjera zhvillimore, të cilat nuk i detajuam, për të cilat, sigurisht se i shprehem pikëpamjet tona dhe deponimin tonë që të punojmë dhe t’i kontribuojmë zhvillimit të vendit”, ka thënë ai.

Mustafa po ashtu e ka përgëzuar lirimin e Haradinajt nga Tribunali i Hagës, duke thënë se lirimi i tij nuk i ka kontribuar vetëm atij personalisht, por bashkë me të ka fituar edhe lufta e drejtë për liri e Kosovës.

Ndërkaq, Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, duke shprehur nderimin e tij të madh që e viziton këtë parti, ka thënë se këto dy parti, LDK dhe AAK, kanë një shkallë të besimit dhe të bashkëpunimit deri në nivelin e qeverisjes së përbashkët, e cila është kultivuar në të kaluarën.

Haradinaj shpreson se kjo përvojë e bashkëpunimit do t’u ndihmojë të dyja partive në rrugën për t’u ndihmuar qytetarëve.

“Ne kemi një shkallë të besimit të ndërsjellë që janë të zhvillume gjatë periudhës së kalume deri në një shkallë të qeverisjes së përbashkët. Pra, kemi shumë përvoja të bashkëpunimit dhe shpresoj se ato përvoja dhe besim do të na ndihmojë në rrugën tonë të mëtejme me i ndihmu qytetarët e vendit”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se në takim po ashtu është biseduar për mundësitë e bashkëpunimit në proceset që janë me rëndësi për vendin./kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›