E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Flauti Magjik” Kur interpretonte Ramiz Kovaçi dhe Luiza Papa

Sonte në Teatrin e Operas dhe Baletit vjen premierë opera e Mozartit “Flauti Magjik”, përralla e dikurshme është sot plaga e divorcit mes një gruaje dhe një burri

“Flauti” i vlerësuar si një opera e mbushur me mister, ku të gjitha ngjarjet skenike dhe muzikore ndjekin një dinamikë shumë të fortë teatrale, vjen sonte në mbrëmje premierë në Teatrin e Operas dhe Baletit, në një version të tjetërsuar nga regjisori gjerman Stefan Neugebauer. “Flauti magjik” i Mozartit nuk është konflikti i Mbretëreshës së Natës ndaj mbretit që i rrëmbeu vajzën, por e sjellë në kohët moderne ai është konflikti mes një çifti në prag divorci për kujdestarinë e vajzës së tyre. Në fakt, nuk është hera e parë që “Flauti magjik” ceket nga publiku shqiptar, por është hera e parë që kjo vepër jepet e plotë për artdashësit dhe në një version krejt të ndryshëm nga ai i vitit 1791, kur për herë të parë Mozarti si spektator dhe kompozitor shihte veprën e tij në skenë. Ndërsa lidhjet e publikut shqiptar me “Flautin magjik” të Mozartit datojnë që pas çlirimit. Siç kujton drejtori i Teatrit të Operas dhe Baletit, për herë të parë Flauti “erdhi” në Shqipëri në një “Mbrëmje fragmentesh skenike” në Operan e vjetër, përmes dy personazheve të “Flautit Magjik”: Papageno i interpretuar nga Ramiz Kovaçi dhe Papagena e interpretuar nga Luiza Papa. “Duhet të ketë qenë, me sa më kujtohet, 150-vjetori i gjeniut Salzburgez”- kujton Zhani Ciko, i cili shton se të nesërmen e asaj mbrëmjeje magjike në mes gjelbërimit të pyllit, mozartiani Tonin Harapi do të shkruante një artikull entuziast mbi interpretimin fragmentar të “Flautit magjik” të Mozartit. “Të mos harrojmë, ende në skenën tonë deri në këtë moment nuk ishte vënë asnjë vepër e plotë e autorit. Ishte koha kur pamundësia për ta parë në skenë na detyronte të gërmonim në koleksionet familjare të disqeve të vjetra”- shton Ciko, duke kujtuar se vepra të tilla vetëm kështu mund t’i dëgjoje në atë kohë. E pas kësaj “premiere mozartiane” kaluan dhe 100 vjet të tjera që në teatrin e Operas dhe Baletit të vihej një tjetër vepër e Mozartit. Në 250-vjetorin e tij në skenën e TKOB-së u vu “Cosi fan Tutte” dhe një balet krejt i veçantë, sipas Cikos, “Caro Mozart”...për të ardhur në sonte në mbrëmje te “Flauti magjik”, që vjen tërësisht në një këndvështrim tjetër. Personazhet janë po ata, thelbi i “konfliktit” po ai, vetëm se tashmë Mbretëresha e Natës është një nënë, ndërsa Mbreti është një baba, të dy në prag divorci, që në mes të konfliktit të tyre kanë vënë vajzën e tyre. “Për ta treguar më qartë këtë grindje familjare që prek Mozarti në tematikën e tij në mënyre të nënvetëdijshme, ne zgjodhëm ta kthenim vendngjarjen në një shtëpi prej tre katesh. Të nëntë dhomat janë menduar në mënyrë të tillë që çdo personazhi t’i korrespondojë njëra prej tyre. Për shembull, dhoma e Papagenos ngjason me një dyqan zogjsh; dhoma e Taminos është si ajo e një hoteli, apo dhoma e fëmijëve që është një dhomë tipike e lënë pas dore. Që në uverturë dallohet çifti që grindet dhe vajza e vogël Pamina, teksa janë në tryezën e ngrënies. Pra, që këtu duket fillimi i gjithçkaje” - tha regjisori Stefan Neugebauer.

Riad Ymeri, tenori që u përzgjodh nga një audicion

Tenorit kosovar Riad Ymeri i është besuar një nga rolet kryesore të veprës, ajo e Taminos. Por interesante është sesi ai erdhi nga Kosova në Shqipëri, për të qenë pjesë e një audicioni që u mbajt në Teatrin e Operas dhe Baletit për premierat e sezonit të ri. Ai ishte i vetmi tenor nga Kosova që iu paraqit komisionit përzgjedhës përkrah dhjetëra të tjerëve që vinin kryesisht nga skena e Teatrit të Operas dhe Baletit. Por për një vepër të madhe si ajo e “Flautit Magjik”, rëndësi ka zëri dhe talenti mbi të gjitha. Prandaj komisioni përzgjedhës, i kryesuar nga Zhani Ciko, Edit Mihali dhe regjisori gjerman Stefan Neugenbauer, klasifikoi si fitues pikërisht tenorin nga Kosova, Riad Ymeri. “Është hera e parë që interpretoj një rol të plotë në “Flautin magjik”. Më parë kam interpretuar në arie të kësaj vepre, por asnjëherë një rol të plotë. “Flauti magjik” është një vepër që interpretohet në të gjitha skenat europiane dhe botërore dhe është një përgjegjësi e madhe të interpretosh në këtë vepër” - tha tenori kosovar. “Flauti magjik” vihet në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit në kuadër të festimeve të “Tetorit Gjerman” nga Teatri i Operas dhe Baletit në bashkëpunim me Ambasadën Gjermane. Regjia i është besuar Stefan Neugebauer, që bashkëpunimet me Shqipërinë i ka patur të shpeshta vitet e fundit. Ndërsa për herë të parë dirigjimi i është besuar një 33-vjeçari shumë të talentuar, Elias Grandi. Premiera mozartiane është sonte në orën 19.00 dhe do të vijojë në datat 6-7-9-10 tetor në po të njëjtën orë, në po të njëjtën skenë. “Flauti Magjik” – opera gjermane në dy akte e kompozitorit Wolfgang Amadeus Mozart (1756-1791) mbi libretin e Emanuel Schikaneder. Për herë të parë është vënë në skenë në Vjenë, Theater auf Wieden, 30 shtator 1791. Aida Tuci

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›