Restauratorët e rinj europianë kthejnë në identitet shtëpitë e gurta
Një grup prej 50 restauratorësh të rinj nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të Europës po punojnë për kthimin në identitet të disa objekteve “Monument Kulture” në qytetin e Gjirokastrës. Kjo nismë realizohet në kuadër të Kampit të Shtatë Ndërkombëtar të Restaurimit, të çelur së fundi në qytetin e gurtë. Ai mundësohet në kuadër të marrëveshjes së përgjithshme për projektin “Gjirokastra 2009 -2011”, si një bashkëpunim i fondacionit suedez “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, me Ministrinë e Kulturës dhe organizmat e tjerë të trashëgimisë kulturore në rang kombëtar dhe lokal. Ndërhyrjet në këtë drejtim po realizohen në banesat e gurta të Resajve, Çenajve, kompleksin e hamameve të gurta në zonën e shtatë krojeve etj. Sipas koordinatores së këtij kampi restaurimi, Lejla Haxhiç, për herë të parë puna e restauratorëve të rinj po shtrihet në një grup banesash, pasi gjatë viteve të kaluara ajo është përqendruar vetëm në banesën karakteristike të Babametove. “Për dy javë rresht të rinjtë pjesëmarrës në kampin e restauratorëve, krahas leksioneve teorike në lidhje me trashëgiminë kulturore, do të punojnë dhe për kryerjen e disa ndërhyrjeve të vogla restauruese në pesë objekte “Monument Kulture” në qytetin e Gjirokastrës. Synohet që punime te tilla të kryhen në përputhje me profilin arkitektonik të këtyre godinave të gurta”, thotë koordinatorja Haxhiç. Përpara disa javësh organizatorët e Kampit të Restauratorëve çelën një fushatë aplikimesh për pronarët e banesave karakteristike, të cilët kërkojnë asistencë teknike për mirëmbajtjen e këtyre shtëpive. Krahas pesë objekteve në të cilat kanë nisur punimet, janë edhe 11 monumente të tjera kulture, administratorët e të cilave kanë marrë përgjigje pozitive për realizimin e ndërhyrjeve restauruese në to. “Krahas pesë objekteve ‘Monument Kulture’ në të cilat ka nisur puna, gjatë organizimeve të ardhshme ne do të ndërhyjmë edhe në 11 objekte të tilla. Dua të them që me kapacitetet që disponojmë ne nuk marrim përsipër të kryejmë volume të mëdha restaurimi, por megjithatë do të japim kontributin tonë për mirëmbajtjen e këtyre objekteve muzeale”, thotë Haxhiç.