E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çipi: Flamurtari, aspak agresiv

SHKRUAN: Jeton Selimi 04-10-2011 15:12

Flamurtari në Tiranë nuk shfaqi asgjë dhe humbja 2-0 ishte më se e merituar. Por për Geri Çipin, shefin e klubit vlonjat, nuk është kjo humbje ajo që “djeg”, por mënyra sesi u humb kjo përballje. Për të, Flamurtari nuk po bind ende dhe në të katërta ndeshjet e zhvilluara deri më tani, ka munguar ai shpirti luftarak që e karakterizon skuadrën bregdetare. “Po, është kështu, – thotë nëpërmjet telefonit për gazetën Geri Çipi, – ndeshja kundër Tiranës ishte një ndeshje e keqe nga ana jonë. Të të mundë Tirana nuk është turp, pasi dihen vlerat dhe historia e kësaj skuadre, por ajo që më shqetëson është mënyra sesi skuadra luan. Nuk organizohemi dhe loja ngushtohet në veprime të ndryshme individuale.” Më pas, numri dy i skuadrës kuqezi e thellon mendimin e tij. “Por nuk është vetëm ndeshja me Tiranën. Edhe në tri ndeshjet e para, skuadra nuk ka luajtur ashtu siç ne jemi mësuar ta shohim. Mungon loja në grup dhe për pasojë nuk jemi aq agresivë sa duhet. Nuk mund të ecet në një kampionat me fitore brenda fushe dhe humbje në transfertë, të paktën jo nëse pretendojmë të fitojmë diçka në këtë sezon”, - komenton Çipi, që më pas sheh edhe gjëra pozitive nga ky sezon. “Ky kampionat është i bukur dhe do të jetë më i bukur sesa ai i sezonit të shkuar. Për mendimin tim, merita është e Tiranës, pasi me futjen e saj në valle për titull, do të rritet shumë edhe rivaliteti. Një moment i mirë për ne është ndërprerja e kampionatit, që do të na lejojë të reflektojmë dhe të rregullojmë defektet që kemi vënë re gjatë këtyre javëve”, - përfundon prononcimin e tij shefi i klubit vlonjat, Geri Çipi.

Josa: Kastrioti e meritoi

Në Shkodër janë të bindur: krutanët e merituan fitoren. Të paktën këtë thotë trajneri i kuqebluve, Mirel Josa, që përveç këtij pohimi ka edhe rezervat e veta në lidhje me gjykimin e ndeshjes. “E nisëm shumë mirë takimin përballë Kastriotit, por goli i vendasve i ndryshoi raportet në fushë, ndërsa goli i Inkangos na e vështirësoi shumë arritjen e objektivit, ndonëse Kastrioti mbeti me dhjetë lojtarë për pjesën më të madhe të lojës. Shënuam shpejt dhe na u ngjallën shpresat pas golit të Vajushit, por kundërshtari luajti mjaft i organizuar dhe e mbrojti fort rezultatin. I tillë është futbolli, duhet ta pranojmë se Kastrioti fitoi me meritë dhe konstatova se në skuadër ka lojtarë mjaft cilësorë. Mendoj se ndërprerja e kampionatit do të jetë një moment i mirë për skuadrën e Vllaznisë Dua të rishikoj edhe një herë rastin e anulimit të golit dhe një pozicion jashtë loje, për të cilin nuk jam akoma i bindur. Kam pretendime për shtesën e lojës në fundin e takimit, ku u dhanë vetëm tri minuta dhe kur të paktën qenë bërë gjashtë ndërrime”, - ka përfunduar trajneri i kuqebluve, Mirel Josa.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›