E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për sapecin/at dhe kastravecin/at

Ilir Beqja 

Ka disa javë që njerëz të ndryshëm, me pozicione politike a shoqërore të ndryshme, në mënyrë të përsëritur shkruajnë në gazeta të ndryshme partiake a të pavarura për sjelljen politike të Edi Ramës, për gabimet e tija në drejtimin e PS, për të metat e tija në të bërit opozitë, për gjynahet e tija në bashkëpunimin me Berishën e të tjera. Autorët kanë bërë analiza të ndryshme sipas shijeve, inateve, preferencave, qëllimeve, porosive apo sponsorëve. Për pasojë vlerësimet janë të larmishme. Por të gjithë kanë një gjë të përbashkët. Përçmojnë sjelljen dhe aksionin politik të Edi Ramës dhe të PS në fshatin shqiptar dhe për fshatin shqiptar. Të gjithë konkludojnë që Edi Rama po merret me specin e kastravecin dhe jo me politikë. Si për ironi, edhe këto dy perime kanë disa gjëra të ngjashme: mbillen e rriten goxha në Mesdhe, hahen të freskëta në verë, kanë të njëjtën prapashtesë dhe kanë edhe ngjyrë të përafërt.
* * *
U bë e disata herë që vendos të shkruaj në publik për çfarë bëhet në PS, për çfarë bën kryetari i saj, për çfarë bëjnë forumet e saj. Çdo herë them që nuk marr përsipër të bëj avokatin e Edi Ramës apo të sjelljes së tij politike (pasi gjykoj se nuk është kjo puna ime, përveçse vetë Edi Ramës nuk i lypet avokatia ime). Por, arsyeja që shkruaj është thjesht fakti se konstatoj se ajo çfarë po bëjmë në PS që prej 13 muajsh nuk po përcillet sa e si duhet tek publiku e gjerë. Faji për këtë mund të jetë edhe i yni. Të merresh me specin dhe kastravecin do të thotë të merresh me bujqësinë shqiptare, të merresh me fshatin shqiptar. Më lejoni të rendis në vijim gati një duzinë arsyesh pse ne në PS, mendojmë se është e domosdoshme të merresh me specin dhe kastravecin.
1. Më shumë se gjysma e popullsisë së Shqipërisë jeton në fshat. Ne vlerësojmë që edhe në të paktën 20 vitet e ardhshme një pjesë e rëndësishme e popullsisë shqiptare do të vijojë të jetojë në fshat.
2. Gjysma e forcave të punës janë (ose duhet të jenë) të angazhuar në sektorin privat bujqësor. Këto tregon edhe studimi më i fundit i INSTAT për forcat e punës. Sipas këtij studimi, 47% e shqiptarëve në moshë pune janë të zënë me punë në sektorin privat bujqësor.
3. Bujqësia është i vetmi sektor ku gratë janë shumicë në forcat aktive të punës. Sipas studimit të sipërcituar të INSTAT, gratë përbëjnë 57% të të punësuarve në sektorin bujqësor. Për PS zhvillimi i komponentit gjinor në çdo element të jetës së vendit është gjykuar thelbësor për zhvillimin e vendit.
4. Bujqësia kontribuon për disa vite me radhë me mesatarisht 23% në Produktin e Brendshëm Bruto, duke qenë dega e ekonomisë me kontributin më të lartë.
5. Po të analizohet në mënyrë më të detajuar rritja e përvitshme e Produktit të Brendshëm Bruto, rezulton që sektori publik rritet me 5% në vit, sektori privat rritet me 10% në vit, ndërsa sektori bujqësor nuk arrin të rritet me më shumë se 2% në vit. Kjo bën që i gjithë Produkti i Brendshëm Bruto të rritet jo më shumë se 5-6% në vit. Vetëm duke rritur ritmin e rritjes së bujqësisë, Shqipëria mund të arrijë shumë lehtë një rritje vjetore me 8% në vit. Një ritëm i tillë rritjeje për disa vjet, do të thotë që vendi të arrijë shpejt një nivel të admirueshëm zhvillimi, që në fakt shqiptarët e presin prej 17 vitesh.
6. Bujqësia duhet të jetë në gjendje të sigurojë bazën ushqimore për të gjithë popullsinë, por ajo nuk e bën një gjë të tillë as për vetë popullsinë që jeton në fshat. Sot 60% e familjeve shqiptare që jetojnë në fshat arrijnë të prodhojnë vetëm për vetëkonsum, 25% e familjeve shqiptare që jetojnë në fshat nuk arrijnë të prodhojnë as sa për vetëkonsum, ndërsa vetëm 15% e familjeve shqiptare që jetojnë në fshat arrijnë të fitojnë nga shitja e produkteve bujqësore dhe blegtorale nga ekonomitë e tyre bujqësore.
7. Bujqësia mund të sigurojë bazën ushqimore për popullsinë jo detyrimisht duke prodhuar çdo gjë në vend, por duke kombinuar prodhimin e brendshëm me eksportin dhe importin duhet të arrijë që sigurimi i furnizimit ushqimor të mos rëndojë në deficitin tregtar të vendit. Sot, në Shqipëri importojmë në vlerë 7 herë më shumë produkte ushqimore se sa eksportojmë.
8. Shqipëria ka një afërsi natyrale të pashoqe me tregjet e Evropës së Bashkuar. Po ashtu ka një avantazh natyral ndaj prodhuesve të vendeve fqinjë, pasi produktet e saj bujqësore arrijnë të piqen 30–40 ditë më shpejt, pra mund të jenë më shpejt të disponueshme në tregjet e Evropës. Kjo mund të kthehet në një komponent të mirëfilltë zhvillimi për vendin.
9. Situata botërore tregon që ka një tendencë në rritje të kërkesës për produkte ushqimore. Shoqëruar kjo me një rritje të ndjeshme të kostove të transportit, produktet ushqimore të importuara do të jenë përherë e më të shtrenjta, duke sjellë në mënyrë të pashmangshme shtrenjtim të kostos së jetesës për familjet shqiptare. Sa më shumë të arrijmë të prodhojmë në vend, aq më “sovranë” do të jemi nga tregjet ndërkombëtare.
10. Edhe pse bujqësia jep 23% të Produktit të Brendshëm Bruto, struktura pothuajse feudale e funksionimit të ekonomisë së tregut në fshat, bën që të ardhurat fiskale që gjenerohen nga bujqësia të jenë praktikisht zero. Pra, vetëm nga përfshirja e prodhimit bujqësor në kanalet e qarkullimit tregtar të vendit, nga përfshirja e prodhimit bujqësor si lëndë e parë në industrinë agro-përpunuese, nga përfshirja e fshatit në kapitalizëm, Shqipëria mund të arrijë në pak vite të mbledhë të ardhura fiskale sa 30% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga rreth 24–25% që mbledh sot. Këto të ardhura fiskale do të jenë më shumë infrastrukturë, më shumë arsimim, më shumë shëndetësi për familjet shqiptare në fshat e në qytet.
11. Angazhimi i familjeve shqiptare që jetojnë në fshat me bujqësi është garanci që edhe natyra e mrekullueshme shqiptare do të ruhet dhe mbrohet. Sot ka një tendencë degradimi të saj. Rikuperimi i gjithë landscape-it rural do të jetë bazë e shëndoshë për një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit të brendshëm, agro-turizmit etj.
Pa dyshim që ka edhe arsye të tjera po kaq të forta që dëshmojnë pse është thelbësore të merresh fort me bujqësinë shqiptare. Do të ishte dritëshkurtësi që një forcë politike serioze të kërkojë të vijë në pushtet duke neglizhuar çfarë parashtrova më sipër.
* * *
11 arsyet që rendita më lart janë të ditura dhe nuk është nevoja të shkosh në fshat apo të hash speca e kastravecë që t’i kuptosh. Kanë qenë të ditura edhe në qershor 2005 kur bëhej fushatë elektorale, edhe në shtator 2005 kur votohej për programin qeveritar. Kanë kaluar 3 vjet dhe asgjë nuk ka ndryshuar në fshatin shqiptar, edhe pse kusuret burojnë nga një mosvëmendje totale ndaj fshatit në 17 vjetët e fundit.
Ajo që është praktikisht e pamundur të kuptosh duke ndenjur në Tiranë, është pse situata ka degraduar kështu, kush janë plagët e bujqësisë shqiptare, çfarë melhemi duhet përdorur për t’i kuruar plagët, çfarë terapie duhet përdorur.
Ajo që më mërzit kur lexoj shkrimet kundër Edi Ramës, është se problemet e fshatit në të përditshmet shqiptare zënë me dhjetëra herë më pak vend se shkrimet e analistëve për të majtën, opozitën, PS-në apo Ramën. A thua se PS po kërkon të vijë në pushtet për të kënaqur shijet e analistëve.
Vetëm duke shkuar në fshatrat e Korçës, mund të kuptosh se pasi mbaroi kanali ujitës u kujtuan se nuk kishte ujëmbledhës. Një fshatar i tha Edi Ramës se është njësoj sikur të na kishin sjellë ujë në shtëpi dhe rubinetin të na e kishin vënë në tavan, ku edhe me karrige nuk mund të pimë ujë.
Duhet të vizitosh fushat e Myzeqesë, që të kuptosh se si shpërdorohen fondet për fidanë drufrutorë, saqë fshatarët e Divjakës i thanë Edi Ramës se kishin mbetur pa mënd kur u kishin çuar fidanë mollësh.
Duhet të vizitosh fshatrat e Kukësit, që të kuptosh përsëri se si shpërdorohen fondet për fidanë drufrutorë, saqë fshatarët i thanë Edi Ramës se ua kishin çuar në gusht fidanët, që u thanë pasi u mbollën kur s’kishin me se të ujiteshin.
Vetëm duke vizituar fshatrat e Gjirokastrës, mund të kuptosh se çfarë nevojash për arsim kanë brezat e rinj atje, saqë një grua e moshuar i kërkoi Edi Ramës që të mos ia dyfishonte pensionin se vetëm 1.500 lekë të vjetra në ditë më shumë do të merrte dhe nuk priste t’i ndryshonin jetën, por të bënte derman që mbesa e nipi i saj të shkonin në shkollë për të qenë.
Vetëm duke vizituar fshatrat e Pukës, mund të kuptosh se si shpërdorohen fondet për blegtorinë. Në Pukë na thanë që si është e mundur që zv.ministri i Bujqësisë që ka vetëm dy vjet që ka ikur prej Puke ka harruar që në anët tona kemi mbarështuar dhi, por jo dhen. Në Pukë kishin dërguar fonde për të mbështetur atë bujk që kishte më shumë se 50 krerë dhen në ekonominë e tij bujqësore, ndërkohë që askush në Pukë nuk ka më shumë se 15 krerë dhen.
Por në Shqipërinë bujqësore ka edhe histori suksesi. Vetëm se duhet të shkosh në komunën e Xarës e të shohësh se çfarë ka bërë Dhimo me bashkëfshatarët e tij të Mursisë. Të shohësh një komunë ku askush nuk është i papunë, ku uji i pijshëm është 24 orë, ku rrugët janë të shtruara, ku taksat paguhen, dhe ku pasi nuk u del më toka fushë për të prodhuar sipas porosive që u vijnë nga Evropa, po mbjellin perime edhe nëpër kodra.
* * *
Edhe pas këtij shkrimi do të vazhdojë të shkruhet për specin/at e kastravecin/at. E vetmja që më mbetet të them është se zhvillimi i plotë i Shqipërisë kalon edhe nga zhvillimi i kapitalizmit në fshat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›