E Diel, 1 Nëntor 2026

Flet Kristaq Berxholi, profesori i Fakultetit të Veterinarisë “Virusi i ‘Nilit Perëndimor’, sa kërcënohen njerëzit”

Pas konstatimit të dy rasteve në Greqi, alarmi për virusin e Nilit Perëndimor ka mbërritur edhe në vendin tonë.

Strukturat shëndetësore janë vendosur në gadishmëri për t'i paraprirë çdo situate. Por çfarë është virusi i Nilit dhe sa i rrezikshëm është ai? Në intervistën e tij për gazetën "Panorama", Prof. Kristaq Berxholi, në Departamentin e Shëndetit Publik të Fakultetit të Mjekësisë Veterinare, shpjegon të gjitha detajet e sëmundjes.
Profesor Berxholi, ditët e fundit po flitet shumë për virusin e Nilit Perëndimor pas konstatimit të tij në Greqi, mund të na thoni cfarë është ky virus?
Virusi i Nilit Perëndimor është një virus që transmetohet nëpërmjet mushkonjave dhe shkakton infeksion të ngjashëm për nga shenjat me gripin. Shenjat luhaten nga ato më të lehtat, deri tek shenja të rënda nervore. Virusi për herë të parë është veçuar nga gjaku i një gruaje me ethe të larta në Uganda në vitin 1937, në Nilin Perëndimor nga ka marrë dhe emrin. Që nga ajo kohë, ai është izoluar herë pas here në Egjypt (1950) dhe shumë shpejt u pa dhe në vende të tjera të Afrikës, Azisë e kështu me rradhë. Në Europë virusi i Nilit Perëndimor është parë për herë të parë në Shqipëri, në vitin 1958 në gjakun e dy personave, ku u evidentuan antitrupa kundrejt këtij virusi. Më vonë ai (virusi) u izolua si virus në deltën e lumit Rhone, Vollga, Portugali, Sllovaki, Moldavi, Ukrainë, Francë, Rumani, Rusi dhe tashmë së fundmi edhe në Greqi. Në vendin tonë, duke filluar nga viti 1958 e deri para disa muajsh, nuk janë bërë kërkime për prezencën e tij në njerëz dhe aktualisht ne nuk dimë situatën e këtij infeksioni në popullatën humane. Përsa i përket kafshëve në vendin tonë, kërkimet e vetme e të para janë bërë në vitin 2010 nga Prof. K.Bërxholi (Fakulteti i Mjkësisë Veterinare) në kuaj, ku janë gjetur raste infeksioni (me prezencë antitrupash) në kuaj të zonave të ndryshme, si në rrethin e Fierit, Kavajës, Durrësit, Shkodrës, Lushnjës. Ato nuk janë vënë re në kuajt e Gjirokastrës, Ersekës, Tepelenës etj. Këto të dhëna flasin për prezencën e këtij infeksioni në vendin tonë.
Si transmetohet ky lloj virusi?
Njerëzit dhe kafshët, sidomos kuajt, infektohen kur pickohen nga mushkonjat e infektuara, që quhen vektor-transmetues të virusit. Ata që e ruajnë virusin e Nilit Perëndimor janë shpendët, por sidomos sorrat. Mushkonjat, duke thithur gjakun tek zogjtë, marrin njëkohësisht virusin... dhe kështu fillon cikli i infeksionit që më pas pasohet tek njeriu apo kafshët e tjera si kuajt, kur këto ushqehen me këto specie. Njeriu i infektuar nuk e përhap sëmundjen tek njerëzit e tjerë dhe as tek mushkonjat apo kafshë të tjera. Rruga e transmetimit të infeksionit tek njerzit dhe kafshët është si më poshtë.
Po njeriu si preket prej këtij infeksioni ?
Njeriu preket nga ky infeksion kur futet në zonat e mushkonjave të infektuara, të llojit përkatës. Infeksioni i virusit të Nilit Perëndimor tek njeriu luhatet si sëmundje, që nga rastet pa shenja fare ose shenja të dobëta, deri në sëmundje serioze të trurit dhe vdekje të pacientit. Rreth 80% e presonave të infektuar, por pa shenja të sëmundjes, nuk janë të vetëdijshëm për praninë e saj. Shumë njerëz, të cilët shfaqin shenja të lehta të sëmundjes, që quhet ndryshe dhe si "ethja e Nilit Perëndimor", shfaqin shenja në të cilat përfshihet temperaturë, dhembje koke, muskujsh dhe lodhje. Në më pak se 20% të personave të infektuar kanë enjtje të nyjeve limfatike si dhe njolla të kuqe në trup. Ethja tipike e Nilit Perëndimor zgjat 2-7 ditë. Tek disa individë vihet re një formë e rëndë e sëmundjes, në trajtën e encefalitit, gjatë të cilit kemi infektim të trurit ose të cipave që e mbulojnë atë. Në këtë rast, vërehen shenja të tilla si: ndryshim i sjelljes së njeriut, çrregullime të orientimit, koma, dridhje, konvulsione, dobësim i muskujve, humbje e vizionit, mpirje, paraliza dhe vdekje. Këto shenja mund të zgjasin disa javë. Efektet neurologjike në disa raste mund të jenë edhe të vazhdueshme. Personat me moshë mbi 50- vjeç janë më të rrezikuarit nga ky infeksion, të cilët shfaqin sëmundje të rëndë dhe vdekje. Deri tani për njerëzit nuk ka vaksinë.
Ju thatë që virusi i Nilit Perëndimor prek më shumë kafshët, cilat lloje ?
Virusi i Nilit Perëndimor prek në mënyrë të shpeshtë kuajt, por prek gjithashtu dhe dhitë, dhentë. Mbi 180 lloje zogjsh preken nga ky virus. Macet dhe qentë pickohen nga mushkonjat e infektuara, porse ata nuk zhvillojnë sëmundje si ndodh p.sh. tek kuajt. Sorrat janë specie që preken më shumë nga ky virus dhe rreth 90% e tyre vdesin nga sëmundja. Kuajt, siç u përmend, janë speciet-kafshë më të ndjeshmit kundrejt virusit. Në rastin e infeksionit ata shfaqin shenja të lodhjes, lëvizje të pavullnetshme të muskujve, ethe dhe karakteristike është kërcitja e dhëmbëve. Nga sëmundja mund të vdesin rreth 50% e kuajve të prekur. Këto gjithashtu janë dhe burim virusi për mushkonjat, të cilat mbasi e marrin atë nga kuajt e prekur, e transmetojnë tek njerzit. Aktualisht, për kuajt egziston një vaksinë e efektshme, që mbron deri në 94% të kafshëve të vaksinuara.
Cilat mushkonja janë bartëse të virusit të Nilit Perëndimor (VNP)?
Dy mushkonjat vektorë primare (Vektor - një insekt që transmeton virusin që shkakton sëmundje) për virusin e Nilit Perëndimor janë mushkonja të tipit Culex, si ato pipiens dhe aedes albopictus. Deri tani, në vende të ndryshme të botës janë parë se e transmetojnë virusin rreth 43 lloje të tilla. Në vendin tonë janë evidentuar aedes albopictus dhe pipiens, që rreth viteve 1966, fillimisht në Sarandë, në gomat e automjeteve që vinin nga Kina në ato vite. Kjo është dhe karakteristika kryesore e këtyre mushkonjave. Vetëm femrat janë të afta të shkaktojnë sëmundje, pasi ato thithin gjak dhe prodhojnë vezë, nëpërmjet të cilave transmetohet dhe virusi. Një femër prodhon nga 50 deri në 150 vezë. Mushkonjat rrojnë dhe shtohen me shumicë në vendet e lagëta, rrjedhjet e lumenjve, moçale, këneta ose pas shirave të rrëmbyeshëm. Këtë e kemi vërtetuar dhe ne ku kemi vërejtur infeksion në zonat moçalore të Fierit, Shkodrës dhe jo në zonat malore si Tepelenë apo Gjirkosatër. Mushkonjat femra, për t'u ushqyer, mund të lëvizin deri në afërsisht 10 km nga vendi i lëshimit të vezëve. Mbas 4-7 ditësh, pasi femra ka thithur gjakun e infektuar me virus, virusi në organizmin e mushkonjës bëhet i aftë për të shkaktuar sëmundje, kjo sidomos tek zogjtë.
A ka kafshë të tjera që mund të infektohen nga VNP?
Në përgjithësi preken të gjithë sisorët e mëdhenj. Në veçanti, kuajt janë mjaft të ndjeshëm. Po kështu preken dhe qentë, macet, lepujt që mbahen në shtëpi e mjaft specie të tjera. Në vendin tonë ende nuk njihet mirë situate epidemiologjike e këtij infeksioni. Burimi i infeksionit edhe për këto kafshë është i njejtë si për njerëzit: pickimi nga mushkonjat e infektuara. Në rast se vërehen shpendë të egër apo kafshë të tjera të ngordhura në mënyrë të paqartë, menjëherë duhet që personat përkatës t'i drejtohen shërbimit veterinar më të afërt.
çfarë shenjash manifestojnë kafshët e infektuara?
Duke qenë se kafshët kanë kontakte të ngushta me njeriun, është e domosdoshme të japim një informacion të shkurtër për këtë moment. Në përgjithësi, disa mund të mos kenë shenja fare. Të tjerat mund të kenë një numër shënjash si: ethe, spazma të muskujve, dobësi, humbje e koordinimit dhe ndryshime në temperamentin ose personalitetin e tyre. Për kuajt shenjat e sëmundjes përfshijnë: pengim në ecje, dobësi të gjymtyrëve të pasme, paralizë të gjymtyrëve, paaftësi për të qëndruar në këmbë, plogështi dhe tundje e kokës. Kuajt mund të vdesin ose duhen eliminuar nëpërmjet eutanazisë, pasi nuk bëhen më për shërbimin e njeriut. Theksojmë se kuajt mund të jenë të infektuar, por nuk shfaqin shenja të sëmundjes. Për këtë arsye, kontrolli i statusit shëndetësor të tyre është i domosdoshëm.
A mund të preken njerëzit kur kanë kontakte me kafshët e infektuara?
Nuk ka të dhëna për rastet që infeksioni i viruist të Nilit Perëndimor të kalojë tek njeriu nëpërmjet prekjes së kafshëve të sëmura. Megjithë-këtë, njerëzit të cilët do të prekin shpendë ose kafshë të vdekura, duhet të zbatojnë rregullat e sigurisë praktike, të tilla si mbulimi i plagëve të hapura në duar ose fytyrë, vendosja e maskës në hundë, larje me kujdes e duarve e masa të tjera të higjienës së përgjithshme. Gjithmonë kafshët ose shpendët e vdekura të kapen me dorashka. Kjo këshillë është e domosdoshme sidomos për ata që punojnë me kuaj të sëmurë apo dhe të shëndoshë, si dhe me tufa zogjsh që të dyjave nuk nuk u dihet statusi i gjendjes së tyre shëndetësore.
Mund të trajtohen kafshët e infektuara?
Për kafshët e infektuara nuk ka trajtim specifik, por vetëm mjekime mbështetëse për të lehtësuar gjendjen e kafshës së sëmurë dhe për të reduktuar rëndesën dhe zgjatjen e shenjave. Njerëzit të cilët dyshojnë për kuaj apo kafshë të shoqërimit se janë të prekur nga infeksioni, duhet menjëherë të drejtohen tek specialisti veteriner.
Egziston vaksina për të mbrojtur kafshët nga ky virus?
Aktualisht ka dy vaksina të regjistruara kundër këtij virusi në Kanada. Për çdo informacion të mëtejshëm drejtohuni tek informacioni i dhënë më lartë. Aktualisht, për kafshët e vogla e kafshët e tjera nuk ka ende vaksinë.
Mundet që njerëzit ta marrin virusin gjatë ngrënies së zogjve dhe kafshëve të infektuara me virusin e Nilit Perëndimor?
Nuk ka të dhëna që njerëzit të infektohen gjatë konsumimit të zogjve apo kafshëve të tjera, që janë të infektuara me virusin e Nilit Perëndimor. Megjithatë, është e domosdoshme që edhe në këtë rast të zbatohen rregullat e sigurisë praktike në përgatitjen e ushqimeve dhe të mishit, duke e zier mirë atë. Theksojmë se mishi nga zogjtë dhe kafshët duhet gjithmonë të përpunohet (gatuhet, piqet apo zihet) mirë përpara se sa të konsumohet.
Po gjuetarët a mund të infektohen nga ky virus?
Gjuetarët, duke qenë se qëndrojnë për një kohë të gjatë për gjueti jashtë shtëpisë, mund të jenë objekt i pickimit të mushkonjave, sidomos në zonat moçalore, këneta etj. Ata duhet të mënjanojnë gjithmonë vatrat natyrore të mushkonjave të infektuara. Për të reduktuar infeksionin, gjuetarët duhet të veshin veshje me këmbë dhe mëngë të gjata, si dhe të përdorin "spray" kundër mushkonjave. Kjo e fundit është shumë e rëndësishme, sidomos kur nuk njihen zonat me virus aktiv të Nilit Perëndimor. Për më shumë informacion drejtohuni tek Prof. K.Bërxholi, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›