E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ-ja i tha “jo” referendumit për ndryshimet kushtetuese në 2008



Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi në vitin 2008 një kërkesë për referendum nga Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës, i drejtuar nga Artur Zheji, për ndryshimet kushtetuese të miratuara nga Kuvendi më 21 prill të atij viti. Shumica në KQZ, 8 anëtarë nga 9, e cilësoi kërkesën si jo të bazuar në Kushtetutë, duke thënë se nuk ka qenë kompetencë e KQZ-së miratimi i referendumit. Reagimi i kreut të këtij komiteti, Artur Zheji, ishte i menjëhershëm duke e çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, por pa rezultat. "Vendimi i KQZ-së tenton të pengojë të drejtën e sovranit popull për të mbrojtur dokumentin më të shenjtë të Republikës, Kushtetutën, të miratuar po nga sovrani me referendum", - ishte reagimi i Zhejit. KQZ-ja e hodhi poshtë kërkesën për referendum popullor kundër ndryshimeve kushtetuese, pasi e cilësoi atë të pabazuar në Kushtetutë. KMK kishte kërkuar shpërndarjen e formularëve për të organizuar referendumin, që do të shfuqizonte nenin 9904, i cili kishte të bënte me ndryshimet kushtetuese. Anëtarët e KQZ-së konsideruan se ka një pengesë për fillimin e procedurave fillestare nga ana e KQZ-së. Sipas tyre, ligji 9904 nuk është një ligj i zakonshëm, por një ligj që ka ndryshuar Kushtetutën. Ndaj, referendumi për një ligj që ka sjellë ndryshime në Kushtetutë, është një referendum kushtetues. Dhe në bazë të Kushtetutës, amendamenti kushtetues i miratuar, i nënshtrohet referendumit, kur këtë e kërkon 1/5 e anëtarëve të Kuvendit, pra 28 deputetë. "Kemi një procedurë fillestare totalisht jashtë KQZ-së. Komisioni është jashtë juridiksionit të vet", - do të shprehej atëherë ish- kreu i KQZ-së, çlirim Gjata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›