E Diel, 1 Nëntor 2026

Mallra kontrabandë nga Greqia, në pranga tregtari dhe një shofer



Artan CENA
TIRANË - Kontrabanda e mallrave ka çuar në pranga një biznesmen dhe një shofer autobusi pranë një kompanie turistike. Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësja e Policisë së Tiranës, Alma Katragjini, gjatë një konference për shtyp. Sipas saj, gjatë operacionit të suksesshëm të koduar “Fitimi pa doganë II” është bërë i mundur arrestimin i dy personave, të cilët akuzohen për kontrabandë. Vlera e mallrave të sekuestruara shkon në 200 mijë euro. Sipas policisë, në pranga kanë rënë: Adrian Biba, 39 vjeç, shofer në një kompani turistike dhe Artan Sota, 37 vjeç, tregtar. Arrestimi i tyre u bë pas një hetimi 3-mujor të Policisë së Tiranës, e cila thekson se këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, përmes pikës kufitare të Kakavijës, transportonin në mënyrë ilegale mallra të ndryshme nga Greqia drejt Tiranës.
Aksioni
Tregtari dhe shoferi i autobusit kishin disa javë që ishin vënë nën hetim. Efektivët e Krimit Ekonomik kishin nisur hetimet dhe mbajtjen në vëzhgim të të dyshuarve. Ditën e djeshme ata kanë marrë informacione se me autobusin e linjës Tiranë-Athinë po transportoheshin mallra të shumta kontrabandë me një vlerë të lartë. Kështu që është ndërmarrë dhe operacioni i koduar “Fitimi pa doganë II”. Në mëngjes, kur automjeti ka mbërritur në kryeqytet, efektivët e Krimit Ekonomik e kanë rrethuar dhe kanë nisur kontrollin. Në bagazhet e autobusit, në vende të ndërtuara posaçërisht për mallrat kontrabandë, është gjetur dhe sasia e madhe e materialeve që nuk kishin fatura kalimi nga dogana. Menjëherë janë vënë në pranga: Ardian Biba, 39 vjeç, me profesion shofer në linjë autobusëve Tiranë-Athinë dhe Artan Sota, 37 vjeç, me profesion tregtar i pajisjeve elektronike në Tiranë. Policia tha se dy të arrestuarit janë nën akuzë për “kontrabandë me mallra të tjera”.
Hetimet
Ka qenë një hetim 3-mujor në kompaninë “Klit Balkan” për linjën e autobusëve Tiranë-Athinë dhe anasjelltas që ka bërë të mundur sekuestrimin e sasisë së konsiderueshme të mallrave kontrabandë. Dy të arrestuarit e kalonin mallin nëpërmjet pikës së kalimit kufitar Kakavijë, me autobus, ku në brendësi të mjetit kishin bërë vende të posaçme. Gjatë aksionit, në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar: autobusi i kompanisë “Klit-Balkan”, 736 mijë etiketa të detergjenteve të markave të ndryshme larëse, 280 kg, me pigmente, të cilat shërbenin për prodhimin e sallameve, të rrezikshme për shëndetit, që do t’u shiteshin dyqaneve të ndryshme në Tiranë, 18 mijë palë syze dielli të markave të ndryshme firmë, 250 copë antena dhe dekor satelitor të kompletuara, 110 adaptorë, pjesë të pajisjeve elektronike, disa televizorë plazma, disa kamera dixhitale. Gjithashtu është arritur në përfundimin se vlera e të gjithë mallrave të sekuestruara arrin në 200 mijë euro.
Box
Aktiviteti
Pas një hetimi të gjerë, të shtirë ndaj dy të arrestuarve, u dokumentua tërësisht se ata e porositnin dhe transportonin mallin nga Greqia nëpërmjet pikës së kalimit kufitar Kakavijë deri në Tiranë, me qëllim shitjen e mallrave në kompani të ndryshme në Shqipëri. Aktualisht, nga këto struktura, po punohet intensivisht për të identifikuar dhe kapur dhe persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm. Dosja me materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumim të veprës penale të “kontrabandës me mallra të tjerë”.

Operacioni “Turizmi”
Prostitucion në mes të qytetit, arrestohen dy adoleshentët tutorë të 27-vjeçares
ELBASAN - Prostitucion në mes të Elbasanit. Prej disa kohësh dy adoleshentë kishin nxjerrë në rrugë një vajzë 27 vjeçe, me qëllim që të shiste trupin e saj kundrejt pagesave të ndryshme. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit thanë se dy adoleshentët, 16 dhe 17 vjeç, janë arrestuar gjatë aksionit të koduar “Turizmi”. Operacioni është bërë në orët e para të ditës së djeshme. Policia tha se, “në orën 01:30, nga ana e Seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme, në sajë të një pune të mirorganizuar si dhe mbajtjes nën vëzhgim prej disa javësh, është finalizuar me sukses operacioni i koduar ‘Turizmi’, ku është bërë arrestimi në flagrancë i dy të rinjve me inicialet A. K., 17 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, lagjja ‘5 Maji’, i dënuar më parë për ‘vjedhje’ dhe O. D., 16 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Elbasan, lagjja ‘Dyli Haxhire’”.
Në pranga ka rënë dhe 27-vjeçarja me inicialet L. M., lindur në Lagjen Nr. 6 Kombinat Tiranë dhe banuese në Elbasan, lagjja “5 Maji”. Arrestimi është bërë pasi në bazë të të dhënave të grumbulluara në rrugë operative dhe ligjore nga ana e policisë, janë grumbulluar prova të mjaftueshme se dy të rinjtë me inicialet A. K., dhe O. D., shfrytëzonin për qëllime prostitucioni vajzën me iniciale L. M., në një banesë të pabanueshme, e cila ndodhet në qendër të qytetit të Elbasanit, te Posta. Ndaj dy adoleshentëve është marrë masa e “arrestit me burg”, pasi kanë konsumuar akuzën e "shfrytëzimit të prostitucionit". Po kështu është bërë dhe arrestimi i 27-vjeçares me inicialet L. M., pasi ka kryer elementet e veprës penale të "ushtrimit të prostitucioni”. Gjatë operacionit policia ka sekuestruar në cilësinë e provave materiale 2 telefona celularë të tipit “Samsung”, si dhe 2000 lekë.

6 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›