E Shtunë, 31 Tetor 2026

Radhët për pasaporta, zgjaten oraret e punës në zyrat e aplikimit



Artan CENA
TIRANË - Pas krijimit të radhëve në zyrat e aplikimit për pasaportat biometrike, Ministria e Brendshme ka njoftuar dje se punonjësit e kompanisë “Aleat” kanë zgjatur orarin e punës. Ka qenë një kërkesë zyrtare e Ministrisë që ka sjellë dhe reagimin e kompanisë private. Ka qenë Ministria e Brendshme që njoftoi dje se kompania e prodhimit të kartave dhe pasaportave biometrike ka vendosur zgjatjen e orarit të punës në mënyrë që t’u vihet në ndihmë qytetarëve. Ardhja e emigrantëve ka krijuar radhë të gjata në pikat e aplikimit. Për këtë arsye, kompania koncesionare “Aleat” po aplikon orare të zgjatura të punës në zyrat e aplikimit në 77 bashki e komuna dhe në 21 zyra të shpërndarjes së dokumenteve të identitetit.
Kërkesa
Ministria e Brendshme ka paraqitur pranë kompanisë koncesionare “Aleat” më 20 korrik 2010 kërkesën për aplikimin e orareve të zgjatura të punës në zyrat e aplikimit për dokumente identiteti pranë zyrave të Gjendjes Civile dhe në zyrat e shpërndarjes pranë komisariateve dhe drejtorive të policisë në qarqe. Në përgjigje të kësaj kërkese, kompania koncesionare “Aleat” po aplikon orare të zgjatura të punës në zyrat e aplikimit në 77 bashki e komuna dhe në 21 zyra të shpërndarjes së dokumenteve të identitetit. Në takimin e përditshëm mes përfaqësuesve të Ministrisë së Brendshme dhe kompanisë “Aleat” u konfirmua se janë marrë të gjitha masat për mbajtjen hapur me orare të zgjatura, nga ora 08:30 deri në orën 19:00, në të 77 zyrat e aplikimit si dhe në 21 zyra të shpërndarjes. Këto zyra do të jenë të hapura dhe ditën e shtunë. Ditën e diel do të jenë të hapura zyrat e aplikimit në 12 qytete qendër qarku si dhe në bashkitë Kavajë, Lushnjë, Sarandë, Kamzë si dhe në komunën Paskuqan. Në të njëjtën mënyrë do të punojnë edhe zyrat e shpërndarjes.
Radhët
Sportelet e gjendjeve civile jo vetëm në kryeqytet, por dhe në disa qytete janë të mbipopulluara nga aplikues, të cilët kërkojnë të pajisen me pasaporta biometrike dhe karta identiteti. Fluksi është rritur ndjeshëm, sidomos me fillimin e muajit gusht kur një numër i madh emigrantësh kthehen në atdhe me pushime dhe njëkohësisht kërkojnë të pajisen me pasaporta biometrike dhe karta identiteti. Por, në zyrat e aplikimeve kanë hasur në probleme pa fund për shkak të numrit të vogël të punonjëseve që bëjnë aplikimin. Qytetarët janë të detyruar të zënë radhën që në orët e para të mëngjesit. Në Tiranë urdhri që qytetarët mund të aplikojnë në çdo njësi, edhe pse mund të jenë të regjistruar në një tjetër njësi bashkiake ka sjellë një kaos më të madh. Kryetarët e minibashkive në Tiranë kanë bërë kërkesë që numri i punonjëseve në këto zyra të shtohet sidomos për muajin gusht. Numri i punonjësve që bënin aplikimet për karta identiteti, gjatë zgjedhjeve ishte 4 -5, sot ka vetëm 1 deri në 2 punonjës.

Numri i aplikimeve
Deri më datë 4 gusht 2010 kanë aplikuar për pasaportë biometrike mbi 880 mijë persona dhe janë prodhuar mbi 840 mijë pasaporta biometrike. Ministria e Brendshme i kërkoi kompanisë koncesionare “Aleat” që nëse do të ketë fluks qytetarësh dhe në bashki e komuna të tjera, të aplikohet regjimi i mësipërm si dhe të shtohet numri i bashkive e komunave ku punohet dhe ditën e diel, pavarësisht nga fluksi i qytetarëve.

Basha: Vendet ku do të hapen zyrat që emigrantët të aplikojnë për dokumentet
TIRANË - Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, në një intervistë për Dojçe Velen, ka folur për mënyrën e re të aplikimit që do të përdoret për emigrantët dhe vendet ku do të hapen zyrat në Itali dhe Greqi. Sipas Bashës, “në një perspektivë afatmesme ka përfunduar një marrëveshje mes Ministrisë së Brendshme dhe kompanisë koncesionare ‘Aleat’ për hapjen e zyrave të aplikimit për pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit në Romë, Milano, Athinë e Selanik. Ndërkohë që është lënë hapur mundësia për të shqyrtuar hapjen e këtyre zyrave edhe në poste të tjera konsullore të vendeve të BE-së. Kjo marrëveshje është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe do t’i paraqitet për miratim përfundimtar Parlamentit dhe menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare do të nisë procesi i aplikimit për kartat e pasaportat biometrike pranë këtyre 4 posteve konsullore që përmenda dhe sipas nevojave edhe në poste të tjera konsullore për t’u ardhur në ndihmë më afër qytetarëve shqiptarë që jetojnë në vendet e BE-së”. Ministri i Brendshëm deklaroi se “për këtë sezon veror, sikundër dhe atë të kaluarin, Ministria e Brendshme ka kërkuar nga kompania koncesionare ‘Aleat’ mbajtjen hapur të zyrave tej orarit zyrtar, po kështu për të punuar ditëve të shtuna e të diela. Siç dhe e kemi bërë të ditur nëpërmjet njoftimeve që kemi bërë publike, oraret janë zgjatur dhe në qendra të caktuara ku fluksi është i madh do të fillojë operimi duke nisur nga kjo fundjavë edhe të shtunave e të dielave, që shpresojmë se do të ndihmojë në përballimin e fluksit të jashtëzakonshëm që përjetojnë këto zyra në sezonin veror për shkak të ardhjes së një numri shumë të madh të bashkëqytetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit”.

GREQI, shkatërrohet banda shqiptare e grabitësve

ATHINË - Policia greke shpartalloi një organizatë kriminale shqiptaro-gjeorgjiane. Sipas Policisë së Athinës, operacioni u zhvillua në lagjet “Kolono”, “Shën Pandeleimon” dhe “Eliniko” pasditen e së mërkurës. Burime policore sqaruan se policia po ndiqte prej ditësh organizatën dhe konkretizoi operacionin në momentin kur anëtarët e saj po përgatiteshin të kryenin grabitjen e radhës. Gjatë kontrolleve të kryera në banesat e tyre, me praninë e prokurorit, policia gjeti dhe sekuestroi armë, sende të vjedhura dhe një sasi prej 30 kilogramë lëndë narkotike të llojit kanabis sativa. Policia tha se vuri në pranga tre shtetas shqiptarë dhe dy gjeorgjianë, emrat e të cilëve nuk bëhen publikë për arsye hetimi. Sipas autoriteteve greke, anëtaret e kësaj organizate akuzohen për vepra të rënda penale dhe krijim të organizatave kriminale. Të arrestuarit dhe materialet në ngarkim të tyre do t’i dërgohen gjykatës, e cila do të vendosë afatet e burgimit.

6 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›