Flet shefi i sektorit kundër narkotikëve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Sokol Selfollari

Lufta kundër narkotikëve, faktor kyç për heqjen e vizave Shqipëri-BE
Trafiku i narkotikëve, në pranga 14 zyrtarë lokalë gjatë vitit 2010
Shqipëria ka çrrënjosur një nga problemet, atë të narkotikëve, që deri pak vite më parë e rendiste vendin tonë si prodhues dhe eksportues të lëndëve narkotike. Plot 14 zyrtarë të arrestuar dhe të ndjekur penalisht, është bilanci i luftës së policisë së shtetit në goditjen e kultivimit dhe trafikut të narkotikëve për këtë vit. Sipas shefit të sektorit kundër narkotikëve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Sokol Selfollari ligjet referuese, të cilat i përmendi pak ditë më parë dhe kryeministri Berisha në një nga mbledhjet e Komitetit Ndërministror po zbatohen rigorozisht, duke vënë në pranga të gjithë zinxhirin e këtij trafiku. Një ndër fenomenet më problematike në dekadën e fundit në vendin tonë, trafiku i bimëve narkotike, duket se po pëson një rënie të konsiderueshme. Kjo për shkak të ashpërsimit të masave ndëshkuese, teknologjisë së avancuar si dhe bashkëpunimit me vendet fqinje, duke bërë kështu dhe heqjen e Shqipërisë nga njolla e vendeve të këtij trafiku.
“Duke krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar mendojmë se kemi deri tani, një reduktim në masën 50 për qind. Nëse vitin e kaluar deri ne 31 korrik ishin asgjësuar 48.447 bimë, këtë vit janë asgjësuar 20.503 bimë, domethënë diku te 50 për qind”- u shpreh shefi i sektorit të narkotrafikut, Sokol Selfollari.
Megjithëse ka një përmirësim të ndjeshëm të situatës, zonat e kultivimit mbeten ato që kanë qenë të cilat kanë krijuar një lloj tradite negative.
“Nuk është se ka ndryshuar shume problemi i zonave problematike, përveç Gjirokastrës që ka një përmirësim të dukshëm në krahasim me vitet e mëparshme, nga zona e Lazaratit, që këtë vit është një reduktim shume i madh i kultivimit të bimëve narkotike. Dhe mbetet problematike zona e Shkodrës, ndonëse ka me pak se vitin e kaluar, po gjithsesi mbetet zona më problematike”- vë në dukje Selfollari.
Monitorimi i vazhdueshëm nga ajri me mjete të specializuara ka dhënë rezultate pozitive sidomos për zbulimin e bimëve të kultivuara në toka pa pronar. Faza operacionale e policisë për asgjësimin e bimëve ka filluar që në datën 1 qershor dhe pritet të mbyllet në mesin e muajit shtator. Lufta antikanabis është ashpërsuar shume këtë vit për të përmbushur edhe kushtet e Brukselit për liberalizimin e vizave. Kryeministri Sali Berisha e ka shpallur luftën kundër narkotikëve si betejë dhe objektiv primar, në kushtet kur Shqipëria po përgatitet për liberalizimin e vizave me vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe të listës së Schengenit. Të dhënat impresionuese të Policisë së Shtetit, konfirmojnë se autoritetet kanë bërë një punë të çmuar në drejtim të luftimit të fenomeneve të krimit, siç është edhe narkotrafikimi i lëndëve narkotike.
Apeli i shefit të ekzekutivit drejtuar forcave të rendit që të veprojnë me më shumë forcë ndaj kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike, duket se është realizuar plotësisht. Kryeministri Sali Berisha i ka kërkuar policisë që të zbatojë ligjet e rrepta që janë miratuar nga parlamenti.