E Diel, 1 Nëntor 2026

Një vit nga mbyllja e marrëveshjes gjykohet nevoja e Fondit në këtë kohë krize

Në prag të njëvjetorit të mbylljes së marrëveshjes me Fondin Ndërkombëtar Monetar (FMN), opinione të ndryshme ekspertësh po hedhin idenë e rikthimit si formë e duhur për të rritur kredibilitetin, por edhe të ndonjë mundësie për të marrë kredi me interesa të buta. Por ka të tjerë që e gjykojnë rolin e FMN-së në Shqipëri si jo të justifikuar, nisur nga stabiliteti ekonomik që po kalon vendi. Për herë të parë, Shqipëria lidhi marrëveshje me FMN-në në vitin 1991, pas daljes nga situata e kaosit dhe rrëzimit të sistemit komunist. Nga kjo marrëveshje u përfituan jo vetëm përvoja, por edhe fonde me terma të butë. Në vitin 2004 u nënshkrua një tjetër marrëveshje, kësaj here për uljen e varfërisë dhe rritjen ekonomike. Të gjitha marrëveshjet kanë qenë trevjeçare dhe lidheshin pasi analizohej situata ekonomike dhe stadi ku ndodheshim. Në janar të 2009-s, qeveria shqiptare dhe FMN-ja ranë dakord të kalonin në një tjetër raport, atë të monitorimit dhe këshillimit, pa pasur të drejtë përfitimi kredie, për shkak se stadi ekonomik i vendit rezultoi më i rritur. Megjithatë pasojat e krizës ekonomike, thellimi i borxhit dhe luhatjet makroekonomike nxisin debatin, e bën rolin e FMN-së, jo thjesht si vëzhgues, por edhe si këshillues dhe mbështetës me kredi. Për ta kuptuar më qartë situatën ku ndodhet ekonomia dhe a nevojitet prezenca e FMN-së, gazeta “Shqip” sjell forumin mes ekspertëve më të njohur të fushës, të cilët kanë punuar me FMN-në, kanë asistuar në marrëveshjet e saj, si edhe kanë analizuar efektet që kanë sjellë në ekonomi.
Situata nuk e lejon
Sybi Hida, ekspert i fushës së politikave fiskale, ish-funksionar i FMN-së, jep detaje se kur nevojitet Fondi dhe pse situata ekonomike aktuale nuk na lejon t’u rikthehemi marrëveshjeve të mëparshme. “FMN-ja e përfundoi programin që kishte me qeverinë tonë për arsye të plotësimit të kritereve që kanë vendet anëtare me të. Pra, FMN-ja do të ketë program me qeverinë tonë nëse vendi ynë klasifikohet si vend me të ardhura të ulëta dhe përballet me një goditje që do të shkaktonte humbje të rezervave valutore. Kriteri i parë tashmë është i kaluar, ndërsa situata makroekonomike e 2009-s dhe 2010-s flasin për një stabilitet makroekonomik me një llogari korrente të përballueshme”, thotë Hida. Anëtari demokrat i Komisionit të Ekonomisë thekson se, kur flitet për program me FMN-në, qeveria, buxheti, nuk përfiton kredi nga Fondi, por valutë të huaj që kalon nëpërmjet Bankës Qendrore. Pavarësisht se një ekonomi nuk mund të ketë nevojë për fondet e FMN-së, disa qeveri kanë zgjedhur të kenë program me FMN-në për të rritur kredibilitetin e tyre. “Mendoj se qeveria/ekonomia jonë, duke marrë parasysh edhe bashkëpunimin që ka me institucionet e Bashkimit Europian, e ka krijuar kredibilitetin e saj dhe një marrëveshje me Fondin mund të mos ofrojë vlerë të shtuar. Por, dëshiroj të theksoj se bashkëpunimet me institucionet ndërkombëtare nuk përbëjnë kosto dhe një gjë e tillë duhet t’i lihet në dorë vetë qeverisë, pa abuzuar me kredibilitetin e këtyre institucioneve”, shprehet Hida.
Zgjidh problemet
Për të përfituar nga recetat e FMN-së nevojitet vullnet politik i qeverisë, kapacitete menaxheriale të mjaftueshme, sidomos në drejtim të administrimit fiskal etj., ndërsa mbështetjen e drejtpërdrejtë prej saj, potencialisht e gëzon çdo vend anëtar, sikurse është edhe Shqipëria. Për Zef Preçin, ekspert i tregut dhe konkurrencës, qeveria është në nevojë gjithnjë e më shumë për fonde, borxhi i shtetit po rritet, menaxhimi i financave publike po shfaq probleme, ndërsa investimet e huaja në këmbim të pakësimit të prurjeve monetare të emigracionit janë ende larg... Pra, sipas tij, rikthimi i vendit te FMN, përndryshe një marrëveshje e re kuadër me këtë institucion, në të vërtetë do të shënonte fillimin e zgjidhjes së problemeve, shmangien e "sovranizmit" të panevojshëm dhe padyshim edhe rritjen më të shpejtë të aftësive thithëse të ekonomisë. “Bashkohem me zërat që kërkojnë mirëmenaxhim të financave publike, duke përfshirë rikthimin sa më të shpejtë të FMN-së edhe për një arsye tjetër. Shqipërisë i mungon llogaridhënia dhe kontrolli qytetar mbi përdorimin e fondeve publike, ndërsa mekanizmat kontrollues parlamentarë janë shumë të dobët”, nënvizon Preçi. Vetëm kështu, vijon ai, do të mund të krijohet edhe një klimë më e shëndetshme biznesi, instrumentet administrative si tarifa doganore, paga pune apo çmime shitjeje reference do të "nxirren jashtë përdorimit" dhe historitë me investime gjigante pa plan, pa preventiv, pa projekt e pa studime mbi fizibilitetin do t'i takojnë së shkuarës.
Kemi ndryshuar
Artan Hoxha beson se viti 2010 do të jetë më i mirë, për rrjedhojë rikthimin e FMN-së do ta gjykonte si një hap prapa. Ekspert në fushën ekonomike dhe drejtues i Institutit të Studimeve Bashkëkohore, Hoxha analizon qetë situatë, duke mos u ngutur, pasi “FMN-ja aty është”. “Nëse do kemi nevojë për të, kemi të gjithë të drejtën t’ia kërkojmë. Deri në këtë moment dhe në parashikimet për muajt në vazhdim s’pritet ndonjë skenar i rënduar negativ, ndaj është e parakohshme shtrimi i kësaj çështjeje”, thotë Hoxha. Statusi i ri i Shqipërisë përkundrejt FMN-së që u materializua në fillim të vitit 2009 nuk ishte një “kapriçio, por një rrjedhojë logjike e stadit të zhvillimit, parashikuar kjo edhe në statusin e vetë FMN-së. Raportet e Shqipërisë me FMN-në tashmë nuk janë raporte kujdestarie, por raporte partneriteti”. Për Hoxhën, vendimmarrja ekonomike dhe monetare shqiptare do të jetë më e përgjegjshme për shkak të autorësisë më shumë shqiptare dhe “më pak FMN-istë në të ardhmen”.
Ia vlen
Gjergj Teneqexhi është ndër ata ekonomistë që e ka vlerësuar dhe mban raporte të mira institucionale me FMN-në. Si ish-zyrtar i lartë i Ministrisë së Financave për një kohë të konsiderueshme, Teneqexhi e njeh mirë rolin e FMN-së në një ekonomi si kjo e jona. “Personalisht i jam bashkuar ‘korit’ që ka qenë kundër ndërprerjes së raporteve ‘klasike’ të bashkëpunimit me FMN-në, gjë të cilën e kam shprehur edhe me përfaqësues të FMN-së. Rivendosja e këtyre raporteve do të kontribuonte në menaxhimin më të mirë të financave publike dhe do të ndihmonte në zgjidhjen e problematikave, që janë shfaqur kohët e fundit qoftë në aspektin e politikave fiskale qoftë edhe në procesin e hartimit dhe zbatimit të buxhetit të shtetit, siç mund të jetë rasti i përdorimit të instrumentit të huas gjatë këtij viti”, thotë Teneqexhi. Ai merr shembullin e bilancit të pagesave, i cili mund të përmirësohet falë një huaje nga FMN-ja.
Debati politik
Të tjerë ekspertë mendojnë se ideja e rikthimit të FMN-së nuk është gjë tjetër vetëm nxitje e një debati politik. Sherefedin Shehu, ish-zv.ministër Financash, thotë se marrëdhëniet me FMN-në vazhdojnë, por me një status të ri, pasi Shqipëria kaloi nga një vend në tranzicion, ose i pazhvilluar, në një vend në zhvillim. Sa i takon kthimit, nuk mund të flitet për të, sepse FMN-ja është prezente, por në rast se bëhet fjalë për kredi nga FMN-ja atëherë Shehu thotë se mund të ketë një marrëveshje të re me të, mbi bazën e së cilës jepet kredia. “Në rastin e Shqipërisë, nuk e besoj se do të ndodhë kjo, mbasi nuk pritet të jetë në krizë dhe aq më pak në krizë likuiditeti siç ka ndodhur në vendet të cilat rilidhën marrëveshje dhe morën kredi nga FMN-ja. Fondi nuk jep kredi për këdo që kërkon, por mbështet vendet në tranzicion ose në vështirësi financiare si rezultat i krizave dhe faktorëve të tjerë politikë ose natyrorë. Edhe në rast të një marrëveshje të Shqipërisë me FMN-në, nuk pritet që ajo të shoqërohet me kredi ose financime, për sa kohë që qeveria nuk është në vështirësi financiare”, sqaron eksperti i financave, Shehu.
Nevojitet kredi
“Po, kemi nevojë për një kredi mbështetëse në këtë moment që ndodhen financat e vendit dhe perspektiva jo fort pozitive për vitin që vjen”, ishte përgjigjja e prerë dhe shkurt e një tjetre ish-zv.ministre e Financave. sipas Adriana Berberi, pas vitit 2005 u keqpërdor stabiliteti makro i arritur dhe vit pas viti qeveria disa herë edhe në kundërshtim me rekomandimet e FMN-së aplikoi politika apo ndërmori masa të cilat filluan ta cenojnë këtë stabilitet. “Në mënyrë më të veçantë mund të përmendim rritjen e deficitit, rritjen e pagave, aplikimin e politikave fiskale, që në planin afatgjatë krijojnë probleme etj. Duke shfrytëzuar këtë format marrëveshje, qeveria arriti deri atje sa të shprehet se nuk kemi nevojë për FMN-në”, shpjegon Berberi. Personalisht, ajo thekson faktin se, arritja e standardit ekonomik dhe politik e bën të panevojshme "praninë" e FMN-së, gjë e cila konsiderohet fitore. “Ne nuk do të kemi nevojë për FMN-në atëherë kur do të qeverisim në mënyrë të kujdesshme dhe me vizion afatgjatë. Unë uroj që kjo ditë të vijë sa më shpejt për Shqipërinë dhe shqiptarët”, përfundon Berberi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›