E Diel, 1 Nëntor 2026

"Fletët e votimit janë materiale zgjedhore"

Niazi Jaho
Konstitucionalisti shpjegon nga ana juridike përcaktimin e togfjalëshit "materiale zgjedhore" dhe mundësinë e këqyrjes së fletëve të votimit

Nisja e negociatave për komisionin hetimor të zgjedhjeve të 28 qershorit ka ngritur edhe një pikëpyetje të madhe që është interpretimi juridik i fjalës "materiale zgjedhore". Sipas të majtëve, ky togfjalësh përfshin gjithçka që ndodhet në kuti, ndërsa, sipas të djathtëve, gjithçka që është në kuti me përjashtim të fletëve të votimit. Një nga konstitucionalistët më të vjetër në Shqipëri, Niazi Jaho, shpjegon termin juridik të materialeve të votimit.


Në një intervistë për "Shekullin", Jaho pohon se fletët e votimit deri në djegien e tyre, vazhdojnë të jenë materiale zgjedhore dhe si rrjedhim edhe dokumente zyrtare, madje në raste të veçanta, ashtu si edhe dokumente të tjera, deri në djegien e tyre mund të jenë objekt këqyrjeje.


Zoti Jaho, rezoluta e PE-së e 8 korrikut 2010, kërkon ngritjen e një komisioni parlamentar që do të kishte mandatin për të hetuar zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Ka mendime se në materialet zgjedhore nuk përfshihen fletët e votimit.


A mund ta sqaroni këtë çështje nga ana juridike?
Nëse është shprehur ndonjë mendim i tillë, do të ishte mirë që të paraqiteshin argumente dhe jo të bëheshin interpretime subjektive, aq më tepër kur bëhet fjalë për nocionin "materiale zgjedhore" që përdoret në Rezolutën e PE-së.


Nuk besoj të ketë jurist, anëtar të Komisioneve Zgjedhore apo ndonjë person tjetër që mund të kishte dijeni elementare për mekanizimin e zgjedhjeve, i cili do të thoshte se në materialet zgjedhore nuk përfshihen fletët e votimit. Ju doni që unë të sqaroj këtë çështje. Kjo nuk është e vështirë, sepse sqarimi do të ishte më i qartë po t'i referoheshim vetëm disa dispozitave të Kodit Zgjedhor.


Zgjedhjet siç dihet, zhvillohen në bazë të normave të sanksionuara në Kodin Zgjedhor. Në aspektet ose fazat e ndryshme të këtij procesi, zbatohen rregulla të caktuara që gjejnë pasqyrim në përdorimin apo plotësimin e dokumentacionit përkatës. I gjithë dokumentacioni ose materiali zgjedhor është në fakt një zinxhir i vetëm që fillon me shpërndarjen e tij dhe përfundon me shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Neni 99 i Kodit Zgjedhor i titulluar:


"Dërgimi i materialeve zgjedhore nga KQZ-ja në KZAZ", jep pasqyrën dhe emërtimin e këtij dokumentacioni (materiali zgjedhor). Në të përmenden: fletët e votimit, vulat e KQV-së, procesverbalet e ndryshme, lënda për timbrosjen e zgjedhësve, numri i kodeve të sigurisë, kutitë e votimit, kutitë për materialet e votimit, si edhe mjetet e tjera të nevojshme për procesin e votimit.


Derisa në materialet zgjedhore përfshihen edhe vulat, boja e timbrosjes, kutitë e votimit, etj., si është e mundur që fletët e votimit që hidhen në kutitë e votimit të mos konsiderohen materiale votimi?!


Bëhet natyrshëm pyetja: Çfarë janë këto fletë votimi, nëse ato nuk përfshihen në materialet zgjedhore? Nëse dikush mendon se ato pushojnë së qeni të tilla meqenëse do të digjen, mendoj se gabon. Fletët e votimit deri në djegien e tyre, vazhdojnë të jenë materiale zgjedhore dhe si rrjedhim edhe dokumente zyrtare, madje në raste të veçanta, ashtu si edhe dokumente të tjera, deri në djegien e tyre mund të jenë objekt këqyrjeje.


Le të vazhdojmë me argumente të tjera ligjore. Neni 138 i Kodit Zgjedhor është titulluar "Këqyrja e materialeve zgjedhore". Në pikën 3 të këtij neni thuhet: "KQZ-ja me kërkesën e palëve ose kryesisht, kur çmon se për dhënien e vendimit është e nevojshme rinumërimi dhe/ose rivlerësimi i votave të caktuara, kryen në praninë e palëve rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave dhe pasqyron përfundimin në procesverbalin e mbledhjes së KQZ-së dhe vendimin përkatës të saj.


Në rast se kërkesa për rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të caktuara bëhet nga dy anëtarë të KQZ-së, ajo është e detyrueshme të bëjë rinumërim dhe/ose rivlerësim të votave të kërkuara".


Neni 138 i Kodit Zgjedhor që përmendëm më lart është titulluar "këqyrja e materialit zgjedhor", ndërsa në përmbajtjen e tij bëhet fjalë si për procesverbalin dhe vendimin, edhe për fletëvotimet. A mundet që procesverbali të quhet material zgjedhor, ndërsa fleta e votimit jo? Sigurisht që jo.


Si shpjegohet që në Kodin Zgjedhor bëhet dallimi midis kutive me fletë votimi dhe kutive me materialet e tjera zgjedhore?


Ky dallim është i nevojshëm dhe i logjikshëm. Nuk mund të ishte ndryshe. Në qoftë se i gjithë materiali zgjedhor, përfshi këtu edhe fletët e votimit, do të grumbulloheshin në një kuti votimi, vetëm zgjedhje nuk do të kishim, pa folur këtu për zgjedhje të fshehta dhe demokratike.


Këto procedura janë të lidhura midis tyre dhe kushtëzojnë njëra-tjetrën. Le ta ilustrojmë këtë me një shembull: Në zgjedhjet e 28 qershorit 2009, në qendrën e votimit ishte vendosur një kuti votimi, por, sipas Nenit 99 të Kodit Zgjedhor, KQV-së i ishte dërguar edhe kutia për materialet zgjedhore. Pas mbylljes së votimit, kryetari i KQV-së vulos kutinë e votimit dhe fut në kutinë tjetër materialet zgjedhore.


Në të dy këto raste mbahen procesverbalet përkatëse. Këto kuti, sipas nenit 114 të Kodit Zgjedhor, shoqërohen për në qendrën e numërimit të votave. A mund të thuhet se meqë ka dy kuti ose meqë fletët e votimit ndodhen në kuti të veçanta, nuk konsiderohen materiale votimi?


Një mendim i tillë do të ishte jo vetëm i zhveshur nga çdo argument, por edhe i pakonceptueshëm, sepse një ndarje ose dallim i tillë, teknikisht i nevojshëm, nuk mund të ndryshojë thelbin e çështjes: atë që pasqyrohet qartë në disa dispozita të Kodit Zgjedhor.


Nëse hetimi parlamentar i zgjedhjeve do të shtrihet ose jo në këqyrjen e fletëve të votimit dhe në ç'masë mund të ishte ajo, kjo është një çështje që ka të bëjë me objektin dhe planin e hetimit dhe jo me "faktin" e "diskutueshëm" nëse fletët e votimit përfshihen ose jo në materialet zgjedhore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›