OSBE: Prisni mendim tonë për ligjin e SHISH

Britania dhe OSBE do të japin asistencë për ligjin e ri që i jep parlamentit të drejtën të kontrollojë SHISH
TIRANË - Projektligji i ri, mbi mbikëqyrjen parlamentare të shërbimeve informative dhe të sigurisë, i përgatitur në fshehtësi nga shumica në pushtet, nuk do të kalojë pa shqyrtimin e organizmave ndërkombëtarë dhe konsulencës së tyre, shoqëruar edhe me pikëpamjet e shoqërisë civile.
Ky projektligj, i cili i mundëson mazhorancës qeverisëse të kontrollojë Shërbimin Informativ Shtetëror dhe të gjitha Shërbimet e Sigurisë, do t'i nënshtrohet edhe asistencës së personelit të OSBE-së, së bashku me një ish-anëtar të Komisionit për Sigurinë dhe Shërbimet Informative të Britanisë së Madhe.
Këtë e konstaton zyra e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, e cila në një deklaratë për shtyp thekson se për këtë projektligj do të ketë rekomandime nga OBSE-ja dhe konsulenca britanike. Këto rekomandime do t'i paraqiten kryetarit, anëtarëve të komisionit të të gjitha forcave politike dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, para se ky projektligj të miratohet.
"Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është duke ofruar asistencë në hartimin e projektligjit mbi mbikëqyrjen parlamentare të shërbimeve informative dhe të sigurisë.
Një ish-anëtar i specializuar i Komisionit për Sigurinë dhe Shërbimet Informative të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, së bashku me personelin e OSBE-së, do të japë rekomandime, të cilat do t'i paraqiten Kryetarit dhe anëtarëve të komisionit të të gjitha partive politike, anëtarëve të institucioneve dhe shoqërisë civile, para se të miratohet projektligji.
Synohet hartimi i një versioni të parë paraprak për forcimin e procedurave parlamentare, përfshirë përmes proceseve të konsultimit publik", - thuhet në deklaratën e OSBE-së.
Sipas OSBE-së, projektligji rregullon mbikëqyrjen nga parlamenti të punës së shërbimeve informative dhe të sigurisë dhe është i ndryshëm nga ndryshimet në Ligjin "Për Shërbimin Informativ Shtetëror".
Ndërkaq, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, thekson se "mbikëqyrja parlamentare e shërbimeve kombëtare informative dhe të sigurisë, si dhe e institucioneve qeveritare që i mbikëqyrin ato, siguron llogaridhënie demokratike."
Por, në bazë të këtij projektligji, të drejtën për të kontrolluar shërbimet informative të vendit e ka nënkomisioni për Shërbimin Informativ, që është pjesë e Komisionit të Sigurisë Kombëtare.
Sipas këtij projektligji, nënkomisioni do të ketë në kompetencë të tij kontrollin ndaj Shërbimit Informativ Shtetëror, si dhe çdo shërbim tjetër Inteligjent që ekziston në vend siç është edhe ai i ushtrisë (SHIU), etj.
Edhe shërbimet e reja që mund të krijohen, do të jenë objekt kontrolli i këtij komisioni. Kjo problematikë sanksionet qartë në nenin 3 të këtij projektligji, i cili parashikon që nënkomisioni kontrollon Shërbimin Informativ të ministrisë së Mbrojtjes, të Brendshme, të Financave dhe të ministrisë së Drejtësisë. "Nënkomisioni kontrollon Shërbimin Informativ të ministrisë së Mbrojtjes (SHIU), të ministrisë së Brendshme, të ministrisë së Drejtësisë dhe të ministrisë së Financave.
Nënkomisioni kontrollon, gjithashtu, çdo shërbim informativ që mund të krijohet nga autoritetet shtetërore për të kryer veprimtari të ngjashme apo që merr të njëjtat kompetenca si shërbimet që janë paraqitur në dy paragrafët e mësipërm të këtij neni", - thuhet në nenin 3 të këtij projektligji.
"Nëse situata politike agravohet, vendet anëtare mund të marrin një vendim politik duke lënë jashtë kriteret teknike"
Fajon: Situata politike vonon heqjen e vizave
Pavarësisht deklaratave të zyrtarëve europianë dhe atyre shqiptarë se liberalizimi i vizave është një proces teknik dhe jo politik, raportuesja për Shqipërinë dhe Bosnjën në Parlamentin Europian thekson se përkeqësimi i situatës politike mund të vonojë heqjen e regjimit të vizave për Shqipërinë.
Sipas Tanja Fajon, një pjesë e vendeve anëtare të Bashkimit Europian kanë shprehur shqetësimin e tyre për krizën politike dhe pasojat që ajo mund të ketë mbi procesin e liberalizimit të vizave që, sipas saj, mund ta shndërrojnë në fund procesin teknik në proces politik.
"Ka shqetësime tek vendet anëtare për situatën politike në Shqipëri për shembull. Dhe kjo, nëse situata do të përkeqësohet, mund të vonojë procesin për heqjen e vizave ndaj Shqipërisë. Shpresoj që ne do t'i përmbahemi qëndrimit për kriteret teknike e që ky proces nuk do të bëhet politik në fund", - është shprehur Fajon gjatë një interviste televizive.
Raportuesja sllovene ka nënvizuar se shpreson që në muajin shtator Komisioni Europian të paraqesë një raport pozitiv, pas përfundimeve të dala nga ekspertët në vëzhgimet e tyre në terren mbi plotësimin e tre kushteve të mbetura.
Por, pavarësisht kësaj, Fajon i druhet situatës politike në Shqipëri, që nëse nuk do të vendoset dialogu midis forcave politike, nëse do të ketë sërish protesta dhe nëse Parlamenti do të vijojë të jetë jofunksional, kjo, sipas raportueses, do të ndikojë në vendimin e vendeve anëtare të BE-së për liberalizimin e vizave, pasi, së pari, vendit i nevojitet stabiliteti i duhur politik. "Në rast se raporti nuk do të jetë pozitiv, kam frikë se i gjithë procesi mund të shtyhet. Një shqetësim tjetër është për shembull situata politike në Shqipëri.
Nëse do të përballemi me protesta serioze sërish në rrugë, apo do të mungojë dialogu mes politikanëve të të gjitha palëve, ose që Kuvendi të mos jetë funksional, atëherë vendet anëtare do të shprehin shqetësime të tjera, sigurisht, sepse vizat janë proces teknik, por duam të shohim gjithashtu një vend me stabilitet të mirë politik", - është shprehur Fajon.
Duke krahasuar situatat politike midis Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës, Tanja Fajon qartësoi se po ndihet gjithnjë e më shumë fakti se vendet e BE-së nuk po shikojnë vetëm procesin teknik dhe kriteret teknike, por edhe stabilitetin politik të vendeve respektive. Për sa i përket dyshimit se Shqipëria do të vlerësohet ose jo në bllok me Bosnje-Hercegovinën, raportuesja Fajon specifikoi se e shikon që të dy vendet të jenë në të njëjtën paketë për raundin e dytë të liberalizimit te vizave.
Por, sipas saj, nëse njëri vend nuk përmbush kriteret e kërkuara, atëherë ai do të mbetet më mbrapa në këtë proces. "Nëse vijmë në situatën ku teknikisht njëri prej vendeve nuk përmbush tërësisht të gjitha kriteret e përcaktuara nga komisioni, atëherë është e mundur që këto dy vende të ndahen e dikush të shkojë më shpejtë se tjetri", - qartësoi Fajon. Megjithatë, ajo shtoi se do të ishte më mirë që procesi të finalizohej për të dy vendet në të njëjtën kohë.