PS: Të ruajmë të dhënat që jepen për pasaportat

KËRKESA
Socialistët paralajmërojnë ngritjen e një komisioni hetimor në lidhje me mënyrën se si ruhen të dhënat personale që përfshihen në pasaportat biometrike
TIRANË - Socialistët mund të kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar në lidhje me kontratën që shteti shqiptar ka lidhur me kompaninë franceze "SAGEM Securite & Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve" për pajisjen e shtetasve shqiptarë me mjete identifikimi elektronike.
Gjatë punimeve të Komisionit të Ligjeve ku u diskutua amendimi i ligjit për "Pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaporta për jashtë shtetit", deputetët e majtë kërkuan hartimin e një ligji për pasaportat biometrike, ku të përcaktohen qartë kriteret e ruajtjes dhe të përdorimit të të dhënave personale. Për socialistët deri më tani nuk ka një ligj që të garantojë mbrojtjen e këtyre të dhënave për shtetasit shqiptarë.
Deputeti socialist Damian Gjiknuri u shpreh se aktualisht e vetmja bazë ligjore është kontrata koncensionare e ratifikuar nga parlamenti shqiptar. Sipas tij, kjo kontratë është vetëm për lehtësira fiskale dhe nuk mund të merret si bazë ligjore.
Shkak për mungesën e një ligji të tillë, për socialistët, ka qenë nxitimi për të lidhur kontratën dhe mosvëmendja ndaj kontratës me kompaninë. Një nxitim i tillë nga ana e qeverisë shqiptare, sipas deputetëve të majtë në Komisionin e Ligjeve, ka sjellë që të mos ketë një rregullim për mbrojtjen e të dhënave personale.
Deputeti Gjiknuri e cilësoi absurde mungesën e një ligji të tillë në vendin tonë, ndërkohë që vendet e tjera europiane e kanë të rregulluar, pasi e detyron edhe Rregullorja e Bashkimit Europian. "Jemi i vetmi vend që kemi përdorur kontratë koncensionare dhe është absurditet, sepse ka rëndësi biznesi aty.
Baza e të dhënave në botë është e shtetit dhe portalin shteti ia vë në dispozicion kompanive. Juve ju duket kot se është kontratë 250 mijë dollarësh dhe ju duket kot se ka interes aty. Kontrata është 250 milionë dollarë aty.
Mbase do të ngremë edhe ne një komision hetimor për këtë se kjo e meriton", - akuzoi deputeti Gjiknuri.
Ai kërkoi miratimin e një ligji ku të përcaktohet definicioni i fjalës pasaportë biometrike, mënyra e ruajtjes të dhënave biometrike dhe afati i ruajtjes.
Një gjë e tillë është kundërshtuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Armand Teliti, sipas të cilit, përcaktimi "biometrike" është në kontratën e miratuar nga parlamenti.
"Fakti që pasaportat janë biometrike përcaktohet në kontratën me kompaninë me konsorciumin fitues të tenderit. Përcaktimi biometrik është bërë në kontratë dhe kjo kontratë është miratuar në Parlament. Ajo ka kaluar një filtër parlament dhe besoj që ky përcaktim ka marrë një përcaktim ligjor. Elementët biometrikë të pasaportave tona ju e dini të gjithë se janë vetëm shenjat e gishtave nuk janë retina", - theksoi drejtori Teliti.
Kushtetuesja rrëzoi ligjin e vjetër. Socialistët: Ligji i ri, antikushtetues. I jep shumë kompetenca AKKP
PS, kundër ligjit të ri "për kthimin e pronës"
TIRANË - Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi në parim mes debatesh të shumta disa ndryshime të bëra në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronës, i propozuar nga deputeti Enkelejd Alibeaj. Në fakt, një ligj i tillë është rrëzuar tre herë nga Gjykata Kushtetuese.
Deputeti Alibeaj, i cili ishte edhe relatori i këtij projektligji, vlerësoi se procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave paraqet rëndësi madhore në kuadër të reformës pronësore, si dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
Alibeaj tha se ndryshimet e propozuara synojnë përcaktimin e kritereve dhe procedurave për rishikimin e vendimeve që kanë marrë formë të prerë nga ish-zyrat rajonale të AKKP që qark, të ish-komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe ish-komisioneve të rretheve ose bashkive për kthimin ose kompensimin e pronave të ish-pronarëve.
Por, një ligj i tillë u kundërshtua na deputetët e opozitës, duke e cilësuar antikushtetues, pasi nuk ka ndryshime nga ligji i rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Për deputetët e majtë, ankimimet për vendimet e gjykuara si të padrejta lidhur me kthimin dhe kompensimin e pronave duhet të jepen vetëm nëpërmjet vendimeve gjyqësore.
"Nga ana e relatorit u ekspozua një pjesë shumë sipërfaqësore e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sepse i vlerëson vendimet e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të pronave, jo si akte të mirëfillta administrative dhe as akte gjyqësore por "quasi gjyqësore".
Nga ana tjetër, pikërisht për këtë motiv, Kushtetuesja vendosi që kundërshtimi i këtyre vendimeve të bëhet në rrugë gjyqësore dhe jo nëpërmjet një organi administrativ më të lartë", theksoi deputetja e Partisë Socialiste, Shegushe Ligori. Një tjetër pikë e kundërshtuar nga opozita lidhet edhe me kompetencën e drejtorit të kësaj agjencie.
Ky ligj, sipas socialistëve, është nxitës i korrupsionit.
"Asnjëherë qytetarët nuk po marrin dot pronat se ligjet ndryshohen. Të vështirë e kanë edhe organet që duhet të përshtaten. Veç kësaj është grabitja e pronave dhe është nxitës i korrupsionit.
Nuk e kuptoj si mund t'i lihet një drejtori të vetëm që të zgjidhi një konflikt, siç është Drejtori i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të pronave", - shprehu shqetësimin deputetja Ligori. Anëtarët e Komisionit të Ligjeve u mjaftuan me miratimin në parim vetëm me votat e të djathtëve, ndërkohë që miratimi nen për nen u la për ditën e premte.
Ligji për SHISH, shtyhet takimi me të huajt
Komisioni i Sigurisë ka shtyrë për një datë të pacaktuar takimin që eksperti i Inteligjencës dhe Sigurisë në Komisionin e parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, së bashku me stafin e OSBE-së kishte parashikuar të zhvillonte me anëtarët e Komisionit të Sigurisë. Eksperti britanik do të japë rekomandime që do t'i paraqiten kryetarit dhe anëtarëve për ligjin që qeveria ka hartuar për kontrollin e Shërbimit Informativ.
Edhe pse ditën e martë seanca dëgjimore me ekspertin britanik u la për dje në orën 10, ajo nuk u zhvillua. Shkak për mungesën e tij në Komisionin e Sigurisë ka qenë takimi që ai ka zhvilluar me kryetarin e prezencës së OSBE-së në Tiranë. Ligji për Kontrollin parlamentar të Shërbimit Informativ është i ndryshëm nga ndryshimet në Ligjin "Për Shërbimin Informativ Shtetëror", të debatuara publikisht së fundmi.