E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fletët e votimit ndezin KQZ-në. Ristani: Do ti asgjësojmë. Laze: Vendim i gabuar

Kreu i institucionit paralajmëron mbledhje pas deretit të Topit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të ndjekë rrugën ligjore për sa u përket fletëve të votimit. Neni 178, pika 6, i problematizuar si pika e nxehtë e diskutimit teknik mbi asgjësimin e tyre, apo arkivimin e materialit zgjedhor, është për kryetarin e KQZ-së, Arben Ristani, i qartë, dhe se ai do të zbatohet shumë shpejt.

Në një prononcim televiziv ai ka rikujtuar edhe njëherë se debati politik mbi çështjet zgjedhore nuk interferon në vendimet e institucionit, i cili udhëhiqet në punën e vet nga kuadri ligjor që parashikohet në Kodin Zgjedhor në fuqi. “Ngërçi politik ka mbajtur peng zbatimin e nenit 178 të Kodit Zgjedhor.

Kjo çështje gjithsesi nuk do të kalojë pa vendimmarrje në mbledhjen e parë të KQZ-së, që do të përgatisë infrastrukturën për zgjedhjet lokale të 2011-s”, u shpreh Ristani. Sipas tij, rruga e parashikuar nga ligji në këtë pikë, çon drejt asgjësimit të fletëve të votimit dhe arkivimit të materialit zgjedhor, akte të cilat i shërbejnë edhe riorganizimit të infrastrukturës për zgjedhjet e ardhshme lokale. Gjithsesi, mendimi i kreut të KQZ-së duket se do të peshojë vetëm si një votë në balancën e vendimit të komisionit, për arsye se anëtarët e tjerë ruajnë mendime disi më të ndryshme. Kështu, Artan Laze, anëtar i komisionit, ka deklaruar dje për “Shqip” se deri në gjykimin e kësaj çështjeje mbeten ende dy–tri muaj kohë, në të cilët priten zhvillime politike që mund të bëjnë të panevojshëm një diskutim të tillë nga KQZ. “Së pari, diskutimi për kutitë nuk do të bëhet në gusht, pasi ne jemi me leje.

Së dyti, mendoj se rreth kësaj pike ka shumë interpretime që lidhen si me aspektin teknik, ashtu edhe me atë politik. Unë do ta shpreh mendimin tim në mbledhje, por gjithsesi gjykoj se në momentin që 50% e elektoratit ka pretendime rreth zgjedhjeve, nuk do të ishte me vend asgjësimi i fletëve të votimit.

Kjo ka të bëjë me stabilitetin politik dhe shtetëror të vendit.
E rithem, diskutimi teknik do të bëhet në mbledhje.
Nga ana tjetër, kjo gjë mund të mos jetë e nevojshme, pasi, sipas asaj që po duket, do të ngrihet një komision parlamentar. Nëse ky komision do të kërkonte nga KQZ-ja që të vinte në dispozicion materialet zgjedhore, apo kutitë e votave, atëherë edhe diskutimi në këtë pikë nuk do të kishte ndonjë vlerë të madhe”, tha Laze. Me rëndësi në debatin e tanishëm është bërë koha e hapjes së kutive, e cila lidhet me dekretin e Presidentit për zgjedhjet lokale. Kështu, një hetim parlamentar që do të konstatonte parregullsi në materialin zgjedhor, apo do të kërkonte vënien në dispozicion të kutive, do të sabotonte argumentimin e shumicës për interpretim të objektit nga gjykatat. Një përgjigje ka ardhur nga anëtari Laze edhe për sa i përket argumentimit të bërë deri më tani për nevojën e kutive bosh në zgjedhjet e 2011-s.
“Mund të blihen kutitë e nevojshme, pasi edhe nuk kushtojnë shumë”, ka thënë Laze.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›